Qeveria nuk e përfill Analizën e vet Sekretariatit për Implementim të Marrëveshjes së Ohrit

“Ky raport shqyrtues është përgatitur nga Sekretariati për Zbatimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (SIMKO) dhe do të paraqitet në Këshillin e Ministrave për diskutim dhe miratim”. Kështu shkruan në Analizën e Marrëveshjes së Ohrit e cila u publikua para një muaj e gjysmë në faqen e Sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit (SIMO), raporton Portalb.

Deri më tani asnjë lëvizje përpara nuk është bërë për ta paraqitur në Qeveri këtë dokument me qëllim që rekomandimet në të të fillojnë te implementohen. Mungon vullneti politik shkaku i krizës së stërzgjatur, thonë për Portalb nga partia shqiptare në pushtet BDI e cila ishte më e interesuar për ta bërë këtë analizë.

Zyrtarisht nga SIMO nuk ka informacione se nëse është paraqitur në Qeveri apo jo Analiza në fjalë.

Portalb ka tentuar që të marrë prononcim nga numri një i SIMKO-s, zv/kryeministri Festim Halili, por i njëjti ka qenë i pakapshëm për redaksinë tonë.

Për këtë çështje nga foltorja e Parlamentit ka pyetur edhe deputetja e BDI-së Nora Aliti. Ajo ka pyetur se çfarë do të bëhet me analizën e Marrëveshjes së Ohrit dhe cila është ardhmëria e analizës.

Aliti në deklaratën e saj për Portalb ka treguar se pse ngriti këtë çështje në parlament.

“Është e paqartë a ka kaluar Analiza e Marrëveshjes së Ohrit në Qeveri apo jo?! Për këtë arsye edhe parashtrova pyetje në Kuvend, por zv/kryeministri për Marrëveshjen e Ohrit nuk ishte aty edhe akoma s’kam marrë përgjigje. Unë nuk kam informatë tjetër veç asaj që u parashtrua si pyetje”, sqaroi për Portalb deputetja Aliti.

Kjo analizë ka për qëllim pasqyrimin e gjendjes reale për funksionimin e institucioneve, ngecjet e vet Marrëveshjes së Ohrit dhe rekomandimet për funksionalizimin e sistemit politik, me qëllim ndërtimin e kohezionit social në vend.
Marrëveshja e Ohrit është nënshkruar më 13 gusht 2001, me qëllim ndalimin e konfliktit të armatosur më 2001 dhe dhënien e kornizave për bashkëjetesë mes etniteteve të ndryshme.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button