Ja pasqyra e Marrëveshjes së Ohrit: Fjalë shumë e punë pak

Me qëllim ndaljen e konfliktit të vitit 2001 dhe vënien e bazamantit për një shtet multietnik më 13 gusht të vitit 2001 u nënshkrua Marrëveshja e Ohrit. Dokumentin e nënshkruan kryetari i RM-së, Boris Trajkovski, lideri i VMRO-DPMNE-së dhe kryeministër Lubço Georgievski, lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski, i PPD-së Imer Imeri dhe Arbën Xhaferi kreu i PDSH-së. Ndryshimet kushtetuese, de jure konfirmuan shoqërinë multietnike. Marrëveshja e Ohrit detyron autoritetet e qeverisjes qendrore të garantojnë përfaqësimin e drejtë dhe mosdiskriminimin, raporton Portalb.

Por, si qëndrojnë gjërat de facto në raport me Marrëveshjen e Ohrit? Tryeza, deklarata, debate e analiza plotë, mungon realizimi dhe dhënia e përgjegjësisë për udhëheqësit e institucioneve përkatëse për zbatimin e saj, shkruan Portalb.

Numri një për zbatimin e MO-së, njëherit edhe zëvendëskryeministër, Musa Xhaferi asnjëherë nuk është zotuar të jap numra konkret në lidhje me perspektivën e marrëveshjes. Praktika tregon se më shumë janë organizuar tryeza e konferenca sesa janë dhënë numra për suksesin e marrëveshjes. Ndoshta sepse s’ka pasur rezultate për këtë të fundit, raporton Portalb.

“Tash për tash nuk kam të dhëna precize statistikore. Nuk është çështja vetëm e asaj se sa shqiptarë dhe sa maqedonas punësohen kemi edhe komunitete tjera, sipas Kushtetutës duhet të trajtohen edhe ato. Komuniteti shumicë duhet ta hap perspektivën e saj, nuk munden komunitetet më të vogla. Përfaqësimi adekuat është kategori kushtetuese, nuk është vetëm numra në administratë. Është e drejtë shumë themelore”, kështu është përgjigjur zëvendës kryeministri Musa Xhaferri në pyetjen se sa është përfaqësimi i shqiptarëve në administratën e Maqedonisë, sot në Shkup, gjatë prezantimit të analizës së Marrëveshjes së Ohrit, raporton Portalb. Ai nuk foli për numrin e të punësuarve të pa sistemuar që marrin rroga e rrinë në shtëpi.

Portalb ju sjell disa ‘leksione’ nga Musa Xhaferri, ndër vite për MO-në, mbi tolerancën, respektin ndaj njëri tjetrit, frymën demokratike në vend, e kështu me radhë… Por, fatkeqësisht nuk do të shihni të dhëna konkrete mbi realizimin e marrëveshjes.

13 gusht 2015

“Ngjarjet fatkeqësisht te ne kanë dëshmuar se siguria e një populli nuk ka çmim. Prandaj ne duhet të investojmë shumë. Ne pajtohemi me një standard më të ulët social, ekonomik, por kur rrezikohet siguria jonë ne jemi të gatshëm t’i japim të gjitha. Prandaj siguria jonë është në NATO, perspektiva është në BE. Ne do të jemi pavarësisht përgjegjësive, konsekuent se Marrëveshja e Ohrit ka një bazament i cili pajton, harminizon, të gjithëve këtu. Çdo kthim pas është dëshmuar edhe te popujt tjerë se është fatale, dhe ne nuk e dëshirojmë për gjeneratat e ardhshme”, pat thënë Musa Xhaferri.

13 gusht 2014

“Fotografinë e vërtetë gjatë implementimit të Marrëveshjes së Ohrit mund ta fitojmë vetëm nëse bëjmë analizën cilësore të parametrave të saj dhe sa  është ajo e suksesshme në ndërtimin e besimit në ato institucione, sidomos në institucionet e sigurisë dhe ato të jurisprudencës”, pat deklaruar Xhaferri.

13 gusht 2012

“Sot është 13 gushti dhe e gjithë vëmendja dhe përkushtimi do të drejtohen këtu në Sllupçan.  Ne e zgjodhëm si vendin më simbolik, për arsye se dëshmorët që dhanë gjakun janë më meritorët që u arrit paqja dhe po garantohet interesi ynë kombëtar shqiptar dhe u bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve që sot të përkujtojnë kujtimin e tyre dhe të ndërgjegjësohen për të realizuar amanetet në interesin tonë kombëtar demokratik me qëllim përparimi i vendit dhe të integrohemi në strukturat e NATO-s dhe BE , aty ku janë popujt e civilizuar dhe të përparuar”, pat thënë Xhaferri.

13 gusht 2011

“Sot kur shënojmë 10 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit shënojmë edhe të arriturat që vendi ynë i ka bërë gjatë kësaj dekade. Të gjithë faktorët politikë në vendin tonë, me një përkrahje të pa rezervë të bashkësisë ndërkombëtare, kanë kontribuar për të implementuar obligimet që dolën nga ky dokument cili garanton një shtet shumë etnik të barabartë për të gjithë qytetarët e saj. Respektimi i njërit-tjetrit pa marrë parasysh përkatësin etnike dhe fetare është një nga parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit. Parim ky i cili paraqet bazë të shëndoshë për ndërtimin e një shoqërie demokratike me standarde ndërkombëtare”, pat theksuar Xhaferri.

13 gusht 2010

“Mbetemi tërësisht të përkushtuar ndaj Marrëveshjes kornizë të Ohrit dhe presim që të gjithë pjesëmarrësit të marrin përsipër obligim të plotë për atë që paraqet proces të vazhdueshëm dhe ta mbështetin zbatimin e Marrëveshjes edhe si tekst, por edhe frymën e saj”, thuhet në deklaratën e përbashkët të firmosur nga ambasadorët e BE-së, SHBA-ve, NATO-s dhe OSBE-së në Maqedoni”, pat theksuar Xhaferri.

Kritika nga nënkryetari i BDI-së Sadullah Duraku drejtuar bashkëpartiakut Musa Xhaferri

Në dhjetor të vitit të kaluar (2014), me anë të një letrë publike, Sadullah Duraku nënkryetar i BDI-së dhe Kryetar i Komunës së Likovës adresoi një letër drejt zëvendëskryeministrit Musa Xhaferri duke e kritikuar atë ashpër për mospërfaqësimin adekuat të shqiptarëve nëpër institucione.

“Qytetarët e Komunës së Likovës janë më të merituarit për Marrëveshjen e Ohrit dhe kjo dihet botërisht. Kjo marrëveshje ka dalë nga lufta e vitit 2001 dhe qytetarët e mbështetën dhe i qëndruan besnike UÇK-së. Për fat të keq, Musa Xhaferi sillet sikur ky njeri e ka bërë Marrëveshjen e Ohrit. Nuk është i vetëdijshëm nga e ka këtë post që e ka nga vitit 2002/2003 deri më sot. Çudia është më e madhe se në vend që ti favorizojë pak në përqindje këto qytetarë, e bën të kundërtën, bile-bile ka urrejtje pse nuk përkulen”, shkruante në reagimin e Durakut.

Faktori ndërkombëtarë e mbështet dhe e inkurajon por nuk e gjykon zbatimin

“Marrëveshja Ohrit dhe dispozitat kushtetuese relevante mbeten të domosdoshme në ndërtimin e shoqërisë së qetë, juridike dhe të bashkuar multietnike”, është porosia e betonizuar e faktorit ndërkombëtarë.

Diplomati holandez Piter Fejth, që ishte i përfshirë në arritjen e Marrëveshjes Kornizë në vitin 2001, porositi që ta pyesim Qeverinë se përse 14 vjet më vonë, ende bisedohet dhe analizohet ecuria e implementimit të saj.

“Komisionari Han shumë qartë e definoi implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, është prioritet i Maqedonisë në rrugën drejt anëtarësimit në BE dhe reflekton në raportin e progresit. Ngecjet e implementimit në Maqedoni nuk janë të panjohura për praktikën ndërkombëtare.”, theksoi Piter Fejt.

Përfaqësimi joadekuat dhe diskriminues i shqiptarëve

Raporti vjetor i Avokatit të popullit për vitin 2014 ka vërtetuar të dhëna diskriminuese për shqiptarët në sferën e përfaqësimit të drejtë.

download

 

Në paraqitjen e fundit, Musa Xhaferri, 14 vjet pas nëshkrimit të MO-së fton kritikuesit e marrëveshjes që të urdhërojnë me zgjidhje, që fjalët e tyre të mos mbeten vetëm në suaza të kritikës. “Akoma ka parti politike dhe individë që thonë se e keqja që i ka ndodhur Maqedonisë është Marrëveshja e Ohrit dhe nuk japin ndonjë zgjidhje. Ata që thonë Marrëveshja e Ohrit është e vdekur le të krijojnë terren për t’i shtyrë proceset”, porositi Xhaferri./Portalb

 

Lajme të ngjashme

Back to top button