Skandali i KSHZ-së test i rëndësishëm, a do ta kalojë me sukses Qeveria e Maqedonisë?!

Skandali i nëntë rrogave i njoftuar nga ambasadori i SHBA-së, Xhes Bejli, para të cila publiku kërkoi që të kthehen pas, por të cilat Komisioni Shetëror Zgjedhor i Maqedonisë vendosi që t’i mbajë, sipas gazetarëve, analistëve dhe pjesëtarëve të Qeverisë së Maqedonisë, Kristina Ozimec, Sefer Tahiri dhe Branimir Jovanoviç është test i rëndësishëm që i bëhet Qeverisë së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj, shkruan Portalb.mk.

Nga Qeveria e Maqedonisë sot u arsyetuan se nuk kanë pasur informata për bonuset shtesë të KSHZ-së duke u thirr në atë se Komisioni është trup i pavarur. Megjithatë, zëdhënësi i Qeverisë, Mile Boshnjakovski tha se: “Kur do t’i marrim të gjitha informacionet do të bëhet një lloj barazimi apo rregullore, do të shohim në cilën formë do të bëhet kjo, që në suaza të Qeverisë dhe ministrive në të ardhmen të parandalohen shpenzimet e panevojshme të këtij lloji. Por, KSHZ është trup i pavarur dhe Qeveria atje nuk ka inregenca”.

Krahas kësaj gazetarja Kristina Ozimec vlerësoi se skandali i KSHZ-së paraqet shenjë se VMRO-DPMNE-ja nuk është problemi kryesor i Maqedonisë, por sistemi politik i cili paraprihet nga mentaliteti i dobët dhe sjellja joetike e funskionarëve shtetëror dhe qytetarëve të Maqedonisë.

“Porositë e dërguara deri te KSHZ nuk janë vetëm për të, apo për Dumën dhe Srcev, realisht tërë shoqëria jonë sillet sikur KSHZ-ja. Ajo është simbolikë për gjithçka çfarë nuk vlen në mentalitetin tonë, se kur bëhet fjalë për thithje nga shteti është njëjtë te pjesa dërmuese e përfaqësuesve politik, pa dallim të religjionit dhe kombësisë. Është pasqyra jonë. Edhe deputetët të cilët duan pagesa rrugore, po ashtu janë pasqyra jonë. Shpesh herë duan ta mashtrojnë shtetin për përfitime personale e cila është legale por shpesh herë edhe ilegale. KSHZ jemi ne. E vërteta që nuk duam ta dëgjojmë është se problemi kryesor nuk ka qenë VMRO-ja, por të gjithë ne, mentaliteti ynë, dhe për të ndryshuar shteti duhet të ndryshohet mentaliteti ynë, në të kundërtën do të shkojmë në falimentim”, tha Ozimec.

Ndërkaq, ish-gazetari Sefer Tahiri vlerësoi se zgjedhjet “Pushteti vlerësohet në mbarëvatjen e proceseve zgjedhore, por puna e Komisionit Shtetëror Zgjedhor është test serioz i pushtetit”, tha Seferi.

Ndërkaq pjesëtari i Ministrisë së Financave ka vlerësuar se rasti i KSHZ-së është shenjë se si Qeveri ne nuk kemi marrë mësimin.

“Kot mundohemi të ulim harxhimet joproduktive të buxhetit, kot mundohemi të plasojmë fotografi se gjoja sillemi në mënyrë të përgjegjshme me paratë e qytetarëve, sepse kur paraqitet diçka e tillë shkatërron gjithçka. Dhe sa mendon se ne e morëm mësimin, menjëherë del një rast tjetër”, tha Branimir Jovanoviq.

KSHZ

Opinioni: KSHZ duhet t’i kthejë paratë

Megjithëse kompensimet e KSHZ-së lejohen me Kodin Zgjedhor, opinioni publik vlerëson se paratë duhet të kthehen. Ndërkaq, duke mos dashur të komentojë për etikën e pjesëtarëve të KSHZ-së, sa i takon moskthimit të parave, ish pjesëtarja e KSHZ-së, Tanja Alltanxhieva tha se “mjafton presioni që po bëhet në opinion dhe KSHZ-ja të reflektojë në vete, se ato para duhet apo nuk duhet të kthehen, pavarësisht asaj se a janë marrë në baza ligjore apo jo. Megjithatë, do të ishte e pahijshme të komentoj për etikën, pasi që i kam kolegë”, tha për Portalb.mk, Alltanxhieva.

Deklarata e Bejlit: LSDM-ja të mos ndjekë politikën e VMRO-së

Sipas gazetares Kristina Ozimec, deklarata e amabasadorit të SHBA-së në Maqedoni, Xhes Bejli është një paralajmërim i qeverisë së Maqedonisë së udhëhequr nga Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë se nuk duhet të shkojë hapave të ish-qeverisë së VMRO-DPMNE-së.

“Pasqyra e KSHZ-së paraqet atë çfarë jemi ne, Bejli e theksoi fotografinë tonë nëpërmjet KSHZ-së, por nëse fokusohemi vetëm në KSHZ-në sërish lëshuam rastin e të shikuarit të pasqyrës së madhe të një sistemi që funksionon vetëm për grupet elitare të partive dhe kombësive, derisa shkon në dëm të qytetarëve. Bejli dërgoi edhe porosi drejt qeverisë së re, duke thënë: se nëse mendoni të shkoni drejt pararendësve tuaj, jeni mashtruar. Tashmë dihet se amerikanëve nuk ju duhet vetëm stabilitet, por demokraci, sepse me Gruevskin kuptuan se në mungesë të demokracisë nuk kishte as stabilitet, as për ne e as për tërë rajonin”, tha Ozimec.

Ndërkaq Sefer Tahiri në lidhje me deklaratën e Xhes Bejlit tha se që të parandalohen këto anomali në të ardhmen duhet të kemi ndryshime të ligjeve.

“Që të mos përsëritet e njëjta në të ardhmen dhe të mos e lodhim ambasadorin amerikan, duhet të ndryshohet neni 19 i Kodit Zgjedhor i cili thotë se kryetari dhe anëtarët e organeve zgjedhore kanë të drejtën e kompensimit, që vërtetohet me akt të Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve”, tha Tahiri.

Ish aktivisti Branimir Jovanovic, tash këshilltar i ministrisë së Financave deklaroi se rasti i KSHZ-së nuk arsyetohet me ligjin dhe Kushtetutën, por është shenjë se gjërat duhet të ndryshohen.

“Harxhimet e KSHZ-së janë e dhënë se për çfarë po harxhohen paratë e popullatës, në mënyrë të papërgjegjshme. Këtu nuk ndihmon asnjë ligjëratë e llojit se gjithçka është në kuadër të ligjit, sepse ligji dhe Kushtetuta duhet t’i sigurojë ushqim, veshmbathje dhe strehim qindra mijëra të varfërve në këtë shtet, e jo përfitime të shumta të funksionarëve. Është e qartë se me vite është imponuar një kulturë qeverisëse, e sjelljes dhe e të menduarit, sipas së cilës pushteti duhet të shërbejë për pasurim personal. Është e qartë se kjo nuk mund të ndodhë brenda natës, por nuk do të thotë se ne nuk duhet të mundohemi që t’i ndryshojmë gjërat”, tha Jovanoviq.

Përndryshe, skandali me KSHZ-së erdhi pasi që ambasadori i Amerikës në Maqedoni, Xhes Bejli deklaroi se: “Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) për zgjedhjet parlamentare dhe lokale të fundit në Maqedoni ka shpërblyer veten me 9 rroga shtesë”, ndaj kësaj reagoi KSHZ duke thënë “se kompensimet janë marrë në baza ligjore”. Nga KSHZ njoftuan se kompensimi është bërë në bazë të nenit 19 të Kodit Zgjedhor, i përcaktuar nga një akt i miratuar, i cili që nga vitit 2006 vlen për kryetarët kurse që nga viti 2014 vlen për anëtarët e Komisionit.

Skandali shkoi duke u thellua pasi që vendimin për kompensim Komisioni e ka marrë prapa dyerve, në mungesë të opinionit dhe të njëjtin nuk e ka publikuar në uebfaqe. Dje Komisioni ka mbajtur seancës publike në të cilën është vendosur se vendimin për kompensim do ta publikojë në uebfaqe, por që paratë nuk do të kthehen.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

*

VERZIONI DESKTOP