Kush fshihet pas ultimatumit 72 orësh nga “UÇK”?

Nga organet kompetente pritet të hulumtojnë në lidhje me atë se kush qëndron pas “kumtesës numër 6 të UÇK-së” dhe kush e shqetëson publikun me vendosje të ultimatumeve të provokuar nga vendimi gjyqësor për ngjarjet e Kumanovës, raporton Dojçe Vele.

Bëhet fjalë për lëvizje të turbullta, të cilat prapë se prapë nuk duhet të nënvlerësohen. Të këtilla ishin qëndrimet fillestare në publik, pasi që gazeta “Lajm”, bëri të ditur se në redaksinë e tyre në Shkup, mbrëmë ka arritur një njoftim nga shtabi gjeneral i UÇK-së. Në njoftimin e shënuar me numër 6, u kumtua se UÇK-ja e gjykon vendimin gjyqësor në lidhje me anëtarët e grupit të Kumanovës, ndërsa nga shqiptarët kërkojnë që t’i braktisin të gjithë institucionet shtetërore ku janë të punësuar, në të kundërt do të fillojnë me sulmet. U dha ultimatum prej 72 orësh, i cili filloi mbrëmë, dhe mbaron të mërkurën në mesnatë. Rastësisht ose jo, mbrëmë u hakuan ueb faqet e Gjykatës Penal dhe Gjykatës Supreme të Maqedonisë, ndërsa në rrjetet sociale ky sinjal shihet si shenjë proteste nga grupi i cili prezantohet si “Anomymosus Albania” dhe porosit “Lironi trimat e Kumanovës”, përcjell Portalb.mk.

Balonë e fryrë

“Ultimatumi nga UÇK-ja” në hapësirat me shumicë shqiptare pranohet me protestë, por edhe me tallje në rrjetet sociale. Një pjesë e reagimeve theksojnë se gati se çdo vit UÇK-ja dërgon ndonjë kumtesë të ngjajshme e cila përfundon si “balonë e fryrë”, dhe kërkojnë nga organet kompetente përgjigje se kush qëndron pas këtyre shqetësimeve që i bëhen publikut.

Ish-Ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov konsideron se ky lloj i kumtesave më tepër lidhet me “lajmet e rrejshme” por përsëri nuk është një gjë që duhet të lihet pas dore dhe të injorohet.

Pavle Trajanov, LD
Pavle Trajanov

“Pa marrë parasysh se a bëhet fjalë për kërcënim serioz ose jo, shërbimet sekrete duhet të kenë qasje serioze dhe të sillen me përgjegjësi në këto raste. Duhet të verifikohen këto kërcënime dhe të parandalohen aktivitete të tilla. Kumtesa më tepër lidhet me trendin e zakonshëm të shpërndarjes së lajmeve të rrejshme, me qëllim që të tërhiqet vëmendja dhe të mundësohet përsëritje e procedurës gjyqësore për ngjarjet e Kumanovës”, thotë Trajanov.

Ai rikujton se pas ngjarjeve të Kumanovës edhe personalisht kërkoi të përfshihet hetim ndërkombëtar, në të cilën do të kyçeshin Maqedonia, Kosova dhe Sërbia, ndërsa me ndihmën e shërbimeve të inteligjencës të ShBA-së, Gjermanisë, Britanisë dhe Francës. Trajanov nuk thellohet më tepër në atë se kush qëndron pas një ultimatumi të tillë, por potencon se “ka një numër të madh të spekulimeve se pas kësaj kumtese nga “UÇK-ja”, qëndron prapavijë politike.

Kumtesa vjen pas procesit gjyqësor i cili zgjati 2 vite, ndërsa aktgjykimi të cilin Gjykata Penale në Shkup e mori javën e kaluar për 37 të akuzuarit për terrorizëm dhe organizatë terroriste në “Lagjen e Trimave” të Kumanovës më 9 dhe 10 Maj të vitit 2015. Shtatë nga ta morën dënime të përjetshme, ndërsa të tjerët gjithsej 746 vjet dënim me burg. 13 nga ta morën dënime më të larta se 40 vite, 6 nga të akuzuarit u dënuan më shumë se 20 vjet, një prej tyre u dënua 18 vjet, dy të tjerë me nga më shumë se 14 vjet burg dhe 2 nga të akuzuarit u dënuan me më shumë se 13 vite burg. Për shkak të mungesës së provave, 4 nga të akuzuarit u liruan nga ndjekja. Në luftimet e 9 dhe 10 maj të vitit 2015, jetën e humbën 8 pjestarë të forcave policore, dhe 40 të tjerë përfunduan me lëndime, ndërsa jetën e humbën edhe 10 pjesëtarë nga grupi i armatosur.

BDI kërkon hetim ndërkombëtar

Ali Ahmeti dhe Kristian Timonie
Ali Ahmeti dhe Kristian Timonie

Nga partitë e bllokut politik shqiptarë deri më tani nuk ka koment, dhe as vlerësim në lidhje me këtë ultimatum. Lideri i BDI-së qeveritare, Ali Ahmeti, në takimin e mbrëmshëm në Shkup me ambasadorin e Francës në Maqedoni, Kristian Timonier, e përsëriti qëndrimin partiak se pas aktgjykimit për rastin e Kumanovës nevojitet hetim ndërkombëtar, më saktësisht formim i komisionit anketues parlamentar dhe zbardhje e plotë e të vërtetës. Këtë qëndrim BDI-ja e paraqiti menjëherë pas publikimit të vendimit gjyqësor më 2 nëntor.

“Procesi gjyqësor dhe provat nga protagonistët nxjerrin në pah dilema rreth organizatorëve dhe motiveve të këtij rasti të rëndë, për shkak se qytetarët kanë të drejtë ta dinë të vërtetën e plotë. Një pjesë e provave dhe materialeve për të cilat qytetarët mund të informohen përmes mediave, aludojnë në përfshirje të përfaqësuesve zyrtarë të niveleve të larta të cilët kanë komunikuar me protagonistët e ngjarjes. Për këtë i bëjmë thirrje MPB-së dhe organeve të rendit të kyçin edhe ekspertë ndërkombëtar në hetimin e rastit dhe të vendosin komunikim dhe bashkëpunim edhe me autoritetet kosovare dhe ato shqiptare, me qëllim të shkëmbimit të informatave të cilat do të çonin në zbardhje të plotë të rastit”, thuhet në kumtesën e BDI-së.

Vendimi gjyqësor u kumtua më 2 nëntor

Një ditë pas vendimit (03.11.2017), këtë qëndrim, lideri partiak ia përcolli edhe shefit të zyrës së NATO-s në Maqedoni, Gorazd Bartol, në një takim në shtabin partiak në Tetovë. Ahmeti e vlerësoi si “nevojë urgjente” përfshirjen e hetimit ndërkombëtar për rastin dhe të formohet komision anketues parlamentar, ngjashëm siç ndodhi me rastin “Sopot”, me qëllim të zbardhjes së plotë të rastit, duke përfshirë edhe motivet dhe organizatorët.

Vendimi gjyqësor ishte shkas për protestat që u mbajtën në Shkup para dy ditësh (05.11.2017). Protesta e cila udhëhiqej nga familjarët dhe shokët e të dënuarve filloi në sheshin “Skenderbeu” me mesazhin “Duam gjykim ndërkombëtar”.

Protesta ne Shkup 05.11.17 rasti i Kumanoves
Protesta ne Shkup 05.11.17 rasti i Kumanoves

Ata kërkuan hetim ndërkombëtar, ndërsa prokurorët, gjyqëtarët dhe hetuesit të jenë të zgjedhur nga OSBE-ja. Protesta u zhvilluan edhe para ambasadës së Maqedonisë në Prishtinë dhe para objektit të qeverisë së Kosovës. Si shenjë proteste për vendimin e Gjykatës Penale në Shkup, në qytetet kosovare Gjilan dhe Pejë, publikisht u dogjën flamuj të Republikës së Maqedonisë. Për këtë rast reagoi edhe MPJ e Maqedonisë duke kërkuar nga autoritetet kosovare të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përcaktim të përgjegjësisë për kryerësit.

Gjithnjë sipas raportit të Dojçe Vele, nuk përjashtohet mundësia që në Shkup të ketë edhe protesta të tjera gjatë kësaj jave kundër vendimit të gjykatës për pjesëtarët e grupit të Kumanovës.

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button