Marrja e mandatit të Zoran Zaev, deklarohet shumica parlamentare

Shumica parlamentare e Maqedonisë njëzëri për Portalb bënë të ditur se përshëndesin aktin e dhënies së mandatit të kryetarit të Maqedonisë, Gjorge Ivanov kryetarit të Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev për formim të Qeverisë së Maqedonisë duke vlerësuar se ky akt hap rrugën e stabilitetit politik, ekonomik dhe institucional të Maqedonisë, shkruan Portalb.mk.

Lideri i LSDM-së, Zoran Zaev pas marrjes së mandatit u shpreh se me partitë e shumicës parlamentare do të mundohet që ta formojnë kabinetin qeveritar për më pak se 10 ditë dhe të dorëzojnë propozim në Kuvend.

“Nuk do të presim afat 20 ditor, menjëherë do të fillojmë bisedimet me partitë që i kanë dhënë 67 nënshkrimet për mandatin dhe do të mundohemi që në afat prej më pak se 10 ditëve ta formojmë kabinetin qeveritar dhe ta dorëzojmë propozimin në Kuvend”, tha Zaev.

Pas këtij akti, nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët u shprehën se përshëndetin aktin e dhënies së mandatit liderit të LSDM njëherit edhe kandidatit për kryeministër Zoran Zaev, duke vlerësuar si një fillim shprese për qytetarët e Maqedonisë, në krijimin e një Qeverie reformuese, të barabartë për qytetarët e saj, duke hapur shtigje dhe perspektiva, demokratike, zhvillimore dhe integruese për Maqedoninë.

“Qytetarët e Maqedonisë meritojnë një qeverisje të drejtë mbi parimet dhe vlerat universale. Funksionimi i shtetit të së drejtës do të jetë garanci për një rrugëtim sa më të shpejtë për në NATO dhe BE”, shkruan në kumtesën e koalicionit Aleanca për Shqiptarët.

Edhe nga Bashkimi Demokratik për Integrim përshëndetën marrjen e mandatit për formim të Qeverisë të Zoran Zaevit duke vlerësuar se kjo është një shenjë se Maqedonia po shkon drejt stabilitetit politik dhe zhvillimit demokratik.

“Dhënia e mandatit të Gjorge Ivanov duhej të ndodhte sepse ajo paraqet obligim kushtetues, nëse nuk do ta bënte një gjë të tillë atëherë ajo do të paraqiste vepër penale. Ne e përshëndesim marrjen e mandatit të Zoran Zaev dhe shprehim përkushtimin tonë në rrugën e formimit të Qeverisë së re nëpërmjet shumicës parlamentare. Kjo është një shenjë se Maqedonia po shkon drejt stabilitetit dhe zhvillimit demokratik, dhe kjo është një gjë e mirë”, tha për Portalb, Ejup Alimi.

Krahas këtyre marrjen e mandatit e përshëndetin edhe nga koalicioni Rilindje me Besë duke shprehur se Maqedonia shkon drejt stabilitetit politik dhe zhvillimit demokratik.

“Ne e përshëndesim marrjen e mandatit të Zoran Zaev nga Gjorge Ivanov. Kjo për Maqedoninë paraqet një shenjë se shteti po shkon drejt stabilitetit politik, ekonomik dhe institucional dhe se po hapen rrugët e formimit të Qeverisë reformuese. Gjithashtu vlerësoj se ne do të marrim pjesë në bisedime kurse për pjesmarrje në Qeveri do të vendosim pas shqyrtimit të programit qeveritar”, tha për Portalb, Fadil Zendeli.

Përndryshe, presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov sot ia ka dhënë mandatin për formimin e Qeverisë liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, raporton Portalb.mk.

Presidenti Ivanov tha se janë tejkaluar të gjitha pengesat për dhënien e mandatit.

Zoran Zaev e ka lexuar para mediave garancinë që ia ka dhënë presidentit.

Ai tha se në emrin e shumicës parlamentare “garanton mbrojtjen e unitaritetit, sovraniteti, pavarësisë dhe multietnicitetit të shtetit. Ai gjithashtu garantoi respektimin e rendit aktual kushtetues, por dhe mbrojtjes territoriale të Republikës së Maqedonisë. Ai gjithashtu u betua se do të jetë gjithnjë në anën e mbrojtjes së interesave shtetërore dhe proceset e vendimit do të jenë në pajtueshmëri me sundimin e ligjit. Në fund Zaev gjithashtu garantoi se asnjë dokument, platformë, deklaratë, akt ose veprim që do të ishte kundër të lartpërmendurave nuk mund të jetë kusht për formimin e Qeverisë.

Ndryshe, pas mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 11 dhjetor, VMRO DPMNE fitoi 51 deputetë, por nuk arriti të formojë koalicion qeveritar me partitë shqiptare. LSDM e cila në zgjedhjet fitoi 49 vende deputetësh, arriti të formojë shumicë parlamentare me partitë shqiptare, por Ivanov deri më tani refuzonte ta ndajë mandatin duke kërkuar garanci për ruajtjen e karakterit unitar të Maqedonisë dhe hedhjen e “Platformës së Tiranës”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

Të nderuar komentues! Duke mos dashur të cenojmë opinionet tuaja, lutemi që ato të mos përmbajnë gjuhë të urrejtjes, fyerje dhe ofendime personale dhe të jenë në lidhje me shkrimin, apo temën për të cilën komentohet. Në të kundërtën, nuk do të publikohen. Ju falenderojmë që na ndiqni dhe ju ftojmë të vazhdoni të jeni pjesë e Portalb.mk

VERZIONI DESKTOP