Zgjedhjet në Maqedoni përgatiten pa kryerjen e detyrimit më kryesor

Ndonëse mos-baraspesha e njësive zgjedhore i bën këto zgjedhje të parakohshme parlamentare jo ligjore, përgatitjet për mbajtjen e zgjedhjeve kanë filluar. Nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) konfirmuan për Portalb se e kanë informuar në kohë Parlamentin për shkeljen ligjore në fjalë dhe se nuk kanë pasur mundësi ligjore të bënin diçka më shumë. KSHZ-ja po ashtu ka kërkuar nga Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë listën e të punësuarve në administratë dhe presin të marrin feedback brenda afatit ligjor, më së voni deri më 26 tetor.

LEXO: Zgjedhjet e 11 dhjetorit janë jo-ligjore nëse nuk balancohen njësitë (DOKUMENT)

KSHZ pati njoftuar Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për mosbalancim të njësive zgjedhore. Për të mos dhënë hapësirë që zgjedhjet e 11 dhjetorit të dështojnë, nënkryetari i Kuvendit Rafiz Aliti pat formuar grup pune me partitë politike, por përpjekja nuk dha rezultate. Tanimë edhe zyrtarisht zgjedhjet janë caktuar për më 11 dhjetor.

Sipas zëdhënësit të KSHZ-së, Admir Shabani, KSHZ-ja si organ zbatues i Kodit zgjedhor ka pasur për obligim që t’i informojë organet kompetente për gjendjen e njësive zgjedhore në rast se dallimi ndërmjet tyre është jashtë asaj që e parasheh ligji prej +5% ose -5%. Këtë obligim ligjor e ka kryer me kohë. Balancimin e njësive do të duhej ta bënte Parlamenti. Dhe për këtë KSHZ-ja nuk mund të bënte asgjë më shumë.

“KSHZ-ja është zbatues i ligjit. Përveç që të informojë organet kompetente dhe që të tregojë se njësitë zgjedhore nuk janë të balancuara ashtu siç duhet, ashtu siç është e paraparë me ligj dhe të kërkojë nga ato që të bëjnë diçka në lidhje me këtë çështje, KSHZ-ja nuk ka mundësi të bëjë diçka tjetër” tha Shabani i pyetur nëse përveç zbatimit të obligimit ligjor, do të kishin mundur të ishin më të zëshëm, për ta zbatuar kështu obligimin moral.

Përgjigje të njëjtë dha edhe kryetari i KSHZ-së, Aleksandar Çiçakovski për NovaMakedonija.

“Bëhet fjalë për materie ligjore mbi të cilën ne nuk kemi kurrfarë përgjegjësie. KSHZ-ja në kohë alarmoi Parlamentin, sepse kjo çështje mund t’i adresohej vetëm Parlamentit. Ne jemi të obliguar t’i respektojmë ligjet dhe t’i realizojmë zgjedhjet” tha Çiçakovski.

LEXO: Partitë politike me plotë vetëdije shkojnë në zgjedhje ilegale

Përgatitjet e para për zgjedhjet e parakohshme parlamentare kanë filluar, në përputhje me afatet e caktuara sipas Kodit zgjedhor. Kështu nga KSHZ-ja,  informuan se ka kërkuar listën e të punësuarve në administratë nga ministria kompetente.

“KSHZ-ja këtë punë e kreu para dy ditëve. Pardje e dorëzoi shkresën deri tek Ministria për Shoqëri Informatike dhe Administratë, me çka kërkoi listën e të punësuarve në administratën shtetërore dhe publike. D.m.th. ishte një ndër hapat e parë që i ndërmori KSHZ-ja” njoftoi zëdhënësi i KSHZ-së, Admir Shabani.

Shabani sqaroi se kjo listë nevojitet për emërimin e personave nëpër organet zgjedhore: komisione komunale të zgjedhjeve dhe këshille zgjedhore. Në këtë listë bëhet fjalë për ato persona të cilët për arsye të ndryshme nuk mund të jenë pjesë e organeve zgjedhore ose kanë kërkuar që të tërhiqen prej organit zgjedhor për shkaqe shëndetësore ose për shkaqe familjare. Nga KSHZ-ja informuan se presin që ministria ta dorëzojë listën brenda afatit ligjor prej pesë ditëve, që d.m.th. se afati i fundit është 26 tetor 2016./Portalb.mk

LEXO Maqedoni, filluan të rrjedhin afatet për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button