Partitë politike me plotë vetëdije shkojnë në zgjedhje ilegale

Deputetët e Maqedonisë dje kanë votuar shpërbërjen e Kuvendit për të shkuar në zgjedhje më 11 dhjetor me plotë vetëdije se zgjedhjet e 11 dhjetorit pa balancimin e Njësive zgjedhore janë shkelje e rëndë e Kodit zgjedhor, që do të thotë se të njëjtat janë ilegale, shkruan Portalb.mk.

KSHZ pati njoftuar Kuvendin e Republikës së Maqedonisë për mosbalancim të njësive zgjedhore. Për të mos dhënë hapësirë që zgjedhjet e 11 dhjetorit të dështojnë, nënkryetari i Kuvendit Rafiz Aliti pat formuar grup pune me partitë politike, por përpjekja nuk dha rezultate. Tanimë edhe zyrtarisht zgjedhjet janë caktuar për më 11 dhjetor.

Parimisht secili politikan, deklarativisht, veprimtarinë e tij e arsyeton me interesin e përgjithshëm, apo siç dinë ata të thonë “për të mirën e qytetarëve”. Si mund të jetë mirë për qytetarët që të formojnë përbërje ilegale kuvendore e pastaj edhe qeveritare, e cila do të krijonte hapësirë që pas “zgjedhjeve” prapë të kemi krizë politike.

Kujtojmë opinionin për deklaratat e partive politike për balancimin e njësive zgjedhore

Nënkryetari i Kuvendit, Rafiz Aliti nga BDI, i cili udhëhoqi grupin e punës për balancimin e njësive zgjedhore, që doli të jetë pa rezultat, tha se mosbalancimi i njësive zgjedhore do të thotë shkelje e ligjit.

“Balancimi i njësive zgjedhore duhet të ndodhë me konsensus mes katër liderëve politik. Unë mendoj se ka shumë momemente, do të thoja ka 1001 arsye që zgjedhjet të mos mbahen më 11 dhjetor. Ne si BDI gjithsesi së duhet të respektojmë Marrëveshjen, por mbi të gjitha liderët duhet të kenë parasysh interesin shtetëror. Unë mendoj se nuk është në interes shtetëror që ne brenda 5 muajve të kemi zgjedhje të kemi dy palë zgjedhje. Muaji dhjetor është me ditë më të shkurtë, moti i ftohtë do të ndikojë në daljen e qytetarëve. Ritheksoj se mosbalancimi i Njësive zgjedhore do të vendosë në pikëpyetje zgjedhjet”, deklaroi për Portalb Aliti.

Aliti sygjeron që liderët duhet të ulen dhe të shohin sa janë plotësuar kushtet për 11 dhjetor dhe fton institucionet kompetente si MPB dhe Ministria e Drejtësisë të japin përgjegjësi pse nuk kemi Lista të pastruara.

Deputeti i PDSH-së Orhan Ibrahimi i PDSH-së shkuarjen në zgjedhje pa mos balancuar njësitet zgjedhore e cilëson si shkelje të Kushtetutës.

“Shkelje e Kushtetutës. Humben 7 deputetë shqiptarë. Normal që janë zgjedhje jo kredibile dhe krijohet hapësirë për kontestim të zgjedhjeve. Vota shqiptare do të masakrohet sikurse deri tani. Ne ngelim në propozimin tonë që vota të ketë peshën e njëjtë, gjithandej në Maqedoni”, tha për Portalb Ibrahimi.

Nga LSDM thonë se do të përkrahin çfarëdo marrëveshje mes VMRO-së dhe BDI-së rreth kësaj çështje, por nuk tregojnë se a mund të jetë shkak për shtyrjen e zgjedhjeve mosbalancimi i njësive zgjedhore.

“VMRO-DPMNE dhe BDI deri më tani janë marrur vesh për mijëra tender, mijëra zgjidhje kadrovike, le të merren vesh edhe për balancimin e njësive zgjedhore dhe ne do ta përkrahim. Propozimi jonë është që Maqedonia të jetë një njësi zgjedhore.

VMRO-DPMNE sot nuk është prononcuar rreth kësaj problematike.

Mirëpo, nga deklarata e fundit e tyre rreth çështjes në fjalë VMRO-ja nuk sheh disbalanc në njësitë tjera por vetëm në Njësinë numër 6, andaj sipas Ilija Dimovskit, nuk duhet kjo të jetë arsye eventuale për mos-mbajtjen e zgjedhjeve.

Kuvendi nuk votoi propozimin e PDSH për balancimin e zgjedhjeve

VMRO- DPMNE dhe LSDM dje nuk kanë votuar propozimin e PDSH-së për barazinë e votës së qytetarëve, raporton Portalb.

Propozimi i PDSH-së u votua vetëm nga BDI, ndërkaq LSDM nuk qëndroi në atë që kishte thënë paraprakisht, se do të votonte pro për cfarëdo zgjidhje të Njësive zgjedhore.

Qytetarët mund ta padisin shtetin për shkelje të të drejtave njerëzore

Në Nenin 4 paragrafi 7 të Kodit Zgjedhor qëndron se:

“Në njësitë zgjedhore në Republikën e Maqedonisë numri i zgjedhësve mund të variojë nga minus 5% deri më plus 5% në raport me numrin e zgjedhësve në njësinë zgjedhore.

Zgjedhjet janë nën kompetencë të Gjykatës administrative, ndërkaq e njëjta është përgjegjëse që të vendos për:

  • Ligjshmërinë e akteve të veçanta për zgjedhje në procedurën zgjedhore dhe akteve të veçanta për zgjedhje, emërim dhe shkarkim të bartësve të funksioneve publike, nëse është e caktuar me ligj, si dhe aktet për emërim, caktimin dhe shkarkimin e zyrtarëve shtetëror, nëse ndryshe nuk është e caktuar me ligj.
  • Ligjshmërinë e akteve të organeve shtetërore, Qeveria dhe bartësve të përgjegjësive publike, të sjellura në formën e rregullimit, nëse ato i rregullojnë marrëdhëniet e veçanta.

Neni 3 nga Protokolli i Konventës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut

E drejta për zgjedhje të lira

Palët e larta kontraktuese detyrohen në interval racional të organizojnë zgjedhje të lira me votim të fshehtë, nën kushte që i mundësojnë popullit lirshëm ta shprehin mendimin për zgjedhjen në organin ligjvënës./Portalb.mk

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button