Zgjedhjet e 11 dhjetorit janë jo-ligjore nëse nuk balancohen njësitë (DOKUMENT)

Komisioni shtetëror zgjedhor ka paralajmëruar Kuvendin e Maqedonisë për disbalancimin e njësive zgjedhore. Në letrën e KSHZ dërguar Kuvendit të Maqedonisë theksohet se Njësia e 6-të zgjedhore kalon kufirin prej 5%, në raport me nenin 4 paragrafi 7 nga Kodi zgjedhor, ndërkaq, numri i votuesve në Njësitë 3 dhe 4 është nën kufirin e lejuar, raporton Portalb.

14341670_1155495054520979_997016105_n

Partitë shqiptare, përveç si shkelje ligjore, këtë disbalancë brenda njësive zgjedhore e shohin edhe si akt që dëmton shqiptarët.

Mirëpo, partitë parlamentare ende nuk janë ulur që së bashku ta diskutojnë këtë çështje, edhe përskaj njohurisë se shkuarja në zgjedhjet e 11 dhjetorit me këtë disbalancim të njësive zgjedhore është akt jo ligjor.

Për Portalb, zv/kryetari i Kuvendit, Rafiz Haliti ka vërtetuar se Kuvendi ka marr paralajmërimin nga KSHZ dhe se tani pritet që partitë të ulen dhe të dakordohen për balancimin e njësive zgjedhore.

“Kjo temë është hapur në koordinim në Kuvend. Qëndrimi jonë ka qenë që të balancohen të gjitha njësitë zgjedhore. Nuk është problematike vetëm njësia zgjedhore numër 5 dhe 6, ashtu siç pretendohet në media. Mendojmë se për zgjedhje kredibile ky dallim në mes njësive zgjedhore duhet të balancohet. Ky debat do të hapet në Kuvend. Gjithsesi se grupet parlamentare duhet të ndërtojnë qëndrimet e tyre për balancimin e njësive zgjedhore”, tha Haliti.

Sipas tij, topi nuk duhet të hidhet vetëm te partitë shqiptare, por çështja ka të bëjë me respektimin e ligjit.

“Me balancimin e njësive zgjedhore partitë shqiptare mund të marrin numër më të madh të deputetëve. Kështu siç janë njësitë zgjedhore të dëmtuar janë shqiptarët. Prandaj e konsiderojmë si të patjetërsueshëm balancimin”, deklaroi për Portalb Haliti.

Ai siguron se do të ketë bisedime mes partive politike.

Edhe deputeti Orhan Ibrahimi është i bindur se balancimi i njësive zgjedhore do ta rritë numrin e deputetëve shqiptarë, dhe se pikërisht për këtë çështje PDSH në mënyrë të vazhdueshme ka kërkuar balancim të njësive.

“Ne si PDSH kemi ngre këtë çështje në vazhdimësi. Me balancimin e njësive zgjedhore shqiptarët do të merrnin plus 2-3 deputetë më tepër. Shkuarja në zgjedhje me këtë përbërje të njësive zgjedhore përbën shkelje flagrante të ligjit”, sqaroi Ibrahimi.

Nga VMRO DPMNE thonë se do të dakordoheshin për çdo vendim që do ta dakordonin partitë tjera.

“Bëhet fjalë për numër të vogël të votuesve, sipas analizave të para. Gjendje që, praktikisht, nuk do të bëjë ndonjë dallim serioz, në raport me rezultatet e VMRO-DPMNE-së. Kështu që, për ne, është e pranueshme çfarëdo lloj zgjidhje të cilën do ta dakordojnë partitë tjera”, theksoi për Portalb zëdhënësi i partisë Ivo Kotevski.

Zëdhënësi i LSDM Petre Shilegov tha për Portalb se presin qëndrim nga ministria e Drejtësisë.

“Ministria e Drejtësisë është kompetente për këtë cështje. Presim nga ministria e Drejtësisë që të dorëzojë propozim ligj i cili më vonë duhet të votohet në Kuvend”, theksoi Shilegov.

Sipas ministrit të Drejtësisë kjo është cështje për të cilën duhet të dakordohen partitë politike.

“KSHZ e ka njoftuar edhe parlamentin dhe grupet parlamentare janë duke u marrë me këtë çështje”, u përgjigj për Portalb ministri Valdet Xhaferi.

Nesimi: Ja se si të eliminohet problemi

Nga ana tjetër, njohësi i çështjeve politike Robert Nesimi, në deklaratën e tij për Portalb vlerëson se problemi me njësitë zgjedhore nga këndvështrimi shqiptar fillon qysh te përcaktimi ligjor që njësitë mos kalojnë 5% nga mesatarja.

“Ky definimi i ka lejuar njësitë e mëdha shqiptare si njësia 6 dhe 2 që përherë të jenë afër ose mbi maksimumin, duke patur kështu 20-30 mijë votues më tepër se njësitë e vogla dhe duke u humbur shqiptarëve nga një deputet. Dallimi prej 5% është totalisht arbitrar dhe nuk ka asnjë arsye pse ky dallim të jetë kaq i madh”, tha ai.

Sipas tij, është e nevojshme që pragu i tolerancës të ulet në 1%, e pastaj të bëhet menjëherë ridefinimi i njësive zgjedhore.

“Me këtë zgjidhje ky problem do të eliminohej tash e për të ardhmen. Por, pasi nuk ka shenja se pushtetarët tanë janë të gatshëm të bëjnë hapa të këtillë, duket se edhe këtë herë do të mjaftohemi me një ndryshim kozmetik në suaza te ligjit ekzistues. Me situatën e tanishme Dibra dhe Kërçova janë të ndara mes njësive 5 dhe 6. Nëse veçmë ndonjëra duhet të kalojë tërësisht në njësinë 5-të, është mirë që kjo të jetë Kërçova sepse ka numër më të madh votuesish. Me bartjen e Kërçovës njësitë 5 dhe 6 thuajse barazohen. Nëse shkohet me variantin e kalimit të Dibrës problemi do të zgjidhet vetëm përkohësisht, prandaj është mirë që ky kalim të lihet për ndonjë ditë tjetër. Paralelisht është mirë të shqyrtohet edhe çështja e njësisë 2 e cila poashtu është bërë tejet e madhe. Është çështje kohe kur do duhet të bëhet bartja komplete e Çairit nga njësia 2 në njësinë 1, por nuk është keq që një pjesë e këtij problemi të trajtohet qysh tani”, sqaroi për Portalb Nesimi.

Çiçakovski: Disbalanci e sjellë në pikëpyetje të drejtën e barabartë të votës

Kryetari i Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ), Aleksandar Çiçakovski konsideron se tejkalimi i pragut ligjor të numrit të votuesve në njësitë zgjedhore në vend e sjellë në pikëpyetje të drejtën e barabartë të votës.

“Tejkalimi i pragut prej +/-5 për qind përfundimisht e sjellë në pikëpyetje të drejtën e barabartë të votës të të gjithë qytetarëve në Republikën e Maqedonisë”, deklaroi sot Çiçakovski, i cili ishte në takim me kryetarin dhe anëtarët e Agjencisë së Mediave.

Moskoordinimi mes partive politike parlamentare për këtë çështje rrezikon që zgjedhjet e 11 dhjetorit të jenë jo-ligjore./PORTALB

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button