Shkup, kriza politike prish hesapet e arsimit

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme kësaj radhë përveç se do të ballafaqohen sërish me tesimit ekstern i cili deri më tani rezultoi të jetë skandaloz, këtë vit ata parashikohet të ballafaqohen edhe me presione të ndryshme për shkak të zgjedhjeve të cilat mbahen po në atë kohë.

Profesorët e shkollave të mesme thonë se nxënësit vazhdojnë të ankohen lidhur me testimin esktern mirëpo kësaj radhe ata do të jenë më të përmbajtur.

“Ashtu si ne edhe nxënësit janë të vetëdijshëm që testimi ekstern është dështim total, mirëpo kësaj radhe janë edhe zgjedhjet mu në atë kohë dhe do të ballafaqohemi me presion të madh të gjithë, lidhur me ankesat, bojkotin si dhe protestat e të dy palëve edhe nxënësve edhe mësimdhënësve”, tha R.R., profesor.

“Testimi ekstern është skandaloz, mirëpo politika ka futur hundët edhe në arsim e sidomos në shkollat e mesme. Nxënësit ndikohen nga prindërit e tyre dhe nuk kërkojnë të mirën e tyre pasi që kjo bie ndesh me politikat shtëpiake apo edhe më gjër. Kjo është tmerr kjo nuk duhet të ndodh asnjëherë. Nxënësit dhe studentët janë ata që gjithmonë kanë bërë revolucion, kurse të ne këto të dy shtresa janë më të qetat dhe më pasivet”, thotë T.B., profesor.

Gjithashtu edhe ish ministri i arsimit dhe shkencës, Sulejman Rushiti vlerëson se kriza politike shton tendencat për keqpërdorim dhe manipulim të të rinjve.

Çdo krizë politike ka ndikim edhe tek arsimi, sidomos në rastin kur arsimi është politizuar si ne në vendin tonë. Nuk do mend që rinia nuk izolohet nga depresioni i përgjithshëm shoqëror, madje ata janë më të goditurit. Për fat të keq kjo kategori është keqpërdorur dhe druaj se  tani do të ketë tendenca më të mëdha për keqpërdorim.

Prindërit për momentin  thonë se nuk kanë presion, mirëpo edhe ata janë kundër testimit ekstern, duke thënë se kjo nuk është mënyra e duhur për të vlerësuar nxënësit.

“Deri më tani nuk kemi pasur presione, njoh edhe prindër të tjerë dhe kemi biseduar së bashku, dhe jemi kundër testimit ekstern. Nëse fëmijët tanë duan të bojkotojnë apo të protestojnë, ne nuk do t’i ndalojmë, sepse me testim ekstern nuk mund të vlerësohet dija e nxënësit si dhe puna e mësimdhënësit”, tha Rexhep Tahiri, prind dhe mësimdhënës.

Përndryshe, ashtu siç kanë deklaruar për “Meta” disa mësues, testimi ekstern i nxënësve sivjet do të shtyhet për disa ditë për shkak të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të caktuara për më 5 qershor, duke u bazuar në planin aksionar për sesionin e qershorit të cilin dje e kanë marrë, transmeton Portalb.

Ashtu siç kanë informuar mësuesit, në planin aksionar qëndron se testimi ekstern do të mbahet më 9 qershor, ndërkaq do të mbarojë më 14 qershor, që është shtyrë thuajse për 1 javë. Vetëm për krahasim, vitin e kaluar, testimi ekstern u mbajt nga 2 deri më 10 qershor.

 

Lajme të ngjashme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button