Testimi ekstern, pse heshtin nxënësit shqiptar?

Shumica e nxënësve shqiptarë nuk protestuan dhe nuk ngritën zërin kundër testimit ekstern, ashtu siç bënë bashkëmoshatarët e tyre, të cilët dolën dhe marshuan rrugëve të disa qyteteve të Maqedonisë.

Përveç nxënësve të shkollave të mesme të Tetovës, në asnjë vend tjetër shqiptarë nuk kishte një organizim të tillë, kurse në Shkup, nxënësit shqiptar vendosën të mos përkrahin marshin e bashkëmoshatarëve të tyre maqedonas.

Nxënësit shqiptarë ankohen shumë sa  i përket testimit ekstern, por nuk kanë përgjigje se pse nuk protestojnë ashtu si bashkëmoshatarët e tyre maqedonas.

“Testimi ekstern është katastrofë, me shumë gabime dhe marrim nota më të dobëta sesa ato që na i japin profesorët duke u bazuar në dijeninë dhe suksesin tonë. Nuk e di kam digju për protesta, por kur e pash që askush nga shkolla ime nuk do të shkon, vendosa që mos të dal as unë. Po të dilte dikush nga ne do të dilja edhe unë”, tha një nxënëse shqiptare e shkollës së mesme të mjekësisë në Shkup.

“Nuk e di mbase është frika që po na ndal, frikësohemi se çka do të ndodh me neve nëse dalim. Po e shihni se në çdo protestë po bëhen fotografi dhe incizime të shumta, në të cilat pastër mund të detektohen fytyrat dhe personat që kanë protestuar. Thjesht frikësohemi për ardhmërinë tonë, prandaj edhe pse jemi kundër ne nuk protestuam. Shpresojmë që institucionet do të vetëdijesohen dhe do të tërheqin këto ndryshime që po na dëmtojnë tejmase”, tha një nxënës i gjimnazit “Zef Lush Marku”, në Shkup.

Ndërkaq  nxënësit e shkollës së mesme “Cvetan Dimov”, në Shkup, bëjnë të ditur se ata nuk protestuan sepse nuk ishin pjesë e Plenumit, por njoftojnë se tani më janë organizuar dhe do të anëtarësohen në Plenumit të nxënësve të shkollave të mesme, si dhe do të marrin pjesë në protestat e radhës.

Kurse kohë më parë Kryetari i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, Nuhi Dradhishta gjithashtu kritikoi mënyrën se si zhvillohet testimi ekstern.

Ish zëvendës drejtori në Byronë për zhvillimin e arsimit, profesori Zeqir Kadriu thekson se është për tu habitur fakti se pse nxënësit shqiptarë janë kaq të heshtur kur ata duhet të ishin më të zëshmit.

“Më habit fakti se si mund të heshtin nxënësit shqiptarë, kur ata duhet të jenë më të zëshëm se bashkëmoshatarët e tyre maqedonas, sepse të gjithë e dimë se me çfarë pyetjesh dhe gabimesh ballafaqohen ata dhe normal që suksesi ju bie dhe prapë nuk ngritin zërin”, tha për Portalb, Kadriu.

Ai shtoi se heshtja e nxënësve është rezultat i frikësimit dhe ndëshkimit andaj nuk shfaqin guxim dhe nuk bllokojnë rrugët.

“Unë mendoj se heshtja e nxënësve shqiptarë është rezultat i frikës ndaj ndëshkimit nëse ata protestojnë. Maqedonasit kanë më shumë guxim dhe pothuajse gjithmonë ia arrijnë qëllimit, duke pasur parasysh që menjëherë MASH fillojë të heq dorë nga vendimet e tyre. Por nuk është zgjidhje që për çdo gjë të protestohet dhe më pas të arrihet qëllimi, MASH duhet të analizojë mirë vendimet që i bën.  Këto ndryshime nuk po ndihmojnë procesin arsimor”, shtoi Kadriu.

Qëndrimet e studenteve dhe tani e nxënësve shqiptar, janë dëshmi e politizimit të skajshëm të shoqërisë, u shpreh për Portalb, ish ministri i arsimit, Sulejman Rushiti.

Ai shtoi se ashtu siç politika promovon idenë se çështjet aktuale politike janë problematika intramaqedonase dhe nuk na tangojnë neve, me këtë logjikë për fat të keq veprojnë edhe nxënësit.

“Testimi ekstern dhe  ndryshimet e maturës shtetërore janë të akte të panevojshme. Janë veprime për nevoja populiste dhe s’kanë të bëjnë me strategji. Qëndrimet e studenteve dhe tani e nxënësve shqiptar, janë dëshmi e politizimit të skajshëm të shoqërisë. Ashtu siç politika promovon idenë se çështjet aktuale politike janë problematika intramaqedonase dhe nuk na tangojnë neve. Me këtë logjikë për fat të keq veprojnë edhe nxënësit”, tha Rushiti.

Ndërkaq kohë më parë studentët e USHT-së rrinin të qetë dhe nuk ankoheshin, përderisa kolegët e tyre pranë Universitetit Shën Kirili dhe Metodi uzurpuan Universitetin duke kërkuar kështu autonominë.

LEXO MË SHUMË:

Ja testimi ekstern për të cilën dënohen mësimdhënësit shqiptarë (FOTO)

Testimi ekstern profesorëve dhe jo studentëve

Testimi ekstern sërish skandaloz!!

Çfarë problemesh fsheh testimi ekstern?

Lajme të ngjashme

Back to top button