“Zootropolis 2” theu rekord: 1.7 miliardë dollarë dhe filmi më fitimprurës i animuar në histori

Filmi më i ri i Disney-t, “Zootropolis 2” (i njohur edhe si “Zootopia 2”), ka shënuar një sukses të jashtëzakonshëm në arkat filmike, duke grumbulluar rreth 1.7 miliardë dollarë amerikanë në nivel global. Kjo shifër e vendos atë në krye të listës si filmi më fitimprurës i animuar në historinë e Hollywood-it, duke konfirmuar edhe një herë forcën që vazhdojnë të kenë produksionet e animuara në tregun ndërkombëtar, shkruan Portalb.mk.

Sipas të dhënave të raportuara, “Zootropolis 2” ka arritur të tejkalojë edhe rekordin e vendosur nga “Inside Out 2”, i cili gjatë vitit 2024 arkëtoi 1.69 miliardë dollarë. Diferenca është e vogël, por mjaftueshëm domethënëse për ta zhvendosur “Inside Out 2” nga vendi i parë dhe për ta kurorëzuar vazhdimin e “Zootropolis” si kampionin e ri të animacionit.

Ky rezultat konsiderohet një tregues i qartë i interesimit të madh të publikut për filmat familjarë dhe për historitë e animuara me personazhe të dashur e univers të njohur. Njëkohësisht, suksesi i “Zootropolis 2” shihet edhe si dëshmi e fuqisë së markës Disney dhe e strategjisë së saj për të rikthyer në ekran franshiza që kanë lënë gjurmë te audienca. Për industrinë e filmit, shifrat e tilla nuk janë vetëm rekord financiar, por edhe sinjal se animacioni vazhdon të jetë një nga zhanret më të qëndrueshme dhe më të kërkuara në kinematë botërore.

Me këtë arritje, “Zootropolis 2” jo vetëm që hyn në histori për të ardhurat e tij, por gjithashtu forcon konkurrencën mes gjigantëve të animacionit dhe vendos një standard të ri për suksesin komercial të filmave të këtij zhanri.

Alan Berman, bashkëdrejtor në Disney, ka falënderuar fansat në mbarë botën, duke e cilësuar arritjen si një sukses që i dedikohet entuziazmit të tyre. Ai gjithashtu theksoi kontributin e jashtëzakonshëm të stafit të krijimit të filmit:

“’Zootipia 2′ është një arritje e jashtëzakonshme dhe i jemi mirënjohës gjithsecilit që ka ndihmuar në realizimin e tij”, ka thënë Berman.

Filmi renditet i nënti në listën e filmave më fitimprurës të të gjitha kohërave, krahas prodhimeve si “Titanic” (1997), “Star Wars: The Force Awakens”, “Avengers: Endgame”, dhe franshizës “Avatar”. Megjithatë, rekordin absolut për filmat e animuar në nivel global e mban “Ne Zha 2” nga Kina, me 2.2 miliard dollarë.

Me një buxhet prej 150 milion dollarësh, “Zootropolis 2” është vazhdimi i filmit të vitit 2016. Në qendër të historisë rikthehen protagonistët Judy Hopps (zëri i Ginnifer Goodwin) dhe Nick Wilde (zëri i Jason Bateman), të cilët ndjekin një rast misterioz që përfshin një gjarpër helmues, Gary De’Snake (zëri i Ke Huy Quan).

FilmaKultura shqiptareKulturë lajme