Zjarri në deponinë pranë Dobrashincës edhe sot po i helmon banorët e Strumicës, e gjithë lugina është mbuluar me tym

Derisa zjarrfikësit nga Strumica janë në terren dhe po përpiqen ta shuajnë plotësisht zjarrin në deponinë pranë fshatit Dobrashincë, organizata “Lugina e shëndetshme” publikoi një video ku alarmon se mëngjesi për banorët lokalë sërish ka nisur me djegie të fortë në hundë dhe fyt, transmeton Portalb.mk.

“Do të na vrasë deponia në Dobrashincë apo papërgjegjësia e institucioneve? E gjithë lugina është mbuluar me tym të dendur, ndërsa ajri përsëri është i rëndë për t’u marrë frymë. Përsëri po paguajmë me shëndetin tonë për neglizhencën e dikujt tjetër”, njoftuan nga organizata.

Ata presin që institucionet kompetente në Komunën e Strumicës të përcaktojnë nëse ka shkelje që lidhen me deponinë, por njëkohësisht të hetohet edhe ndotja nga objektet më të vogla industriale.

“Ka mjaftuar me komunikata formale, premtime pa fund dhe heshtje institucionale. Qytetarët prej vitesh dëgjojnë të njëjtat histori, ndërsa ajri që thithin bëhet gjithnjë e më i keq. Paralajmërim publik: Nëse nuk ndërmerren masa konkrete dhe afatgjata për zgjidhjen e ndotjes nga deponia në Dobrashincë dhe nuk fillon më në fund përcaktimi i përgjegjësisë për të gjithë ndotësit, do të organizojmë protesta para Prokurorisë Publike. Nuk mund të pranojmë që helmimi të paraqitet si dukuri normale, ndërsa papërgjegjësia e dikujt të mbetet pa pasoja”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Njësia e Zjarrfikësve në Strumicë njoftoi edhe dje edhe sot se ekipet e tyre janë në terren pranë deponisë në Dobrashincë, por njëkohësisht theksojnë se zjarre të tilla krijojnë tym të dendur dhe gazra të rrezikshëm që mund të ndikojnë negativisht në shëndet, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Nga atje u bëjnë apel qytetarëve të shmangin lëvizjen pranë deponisë dhe zonave të mbuluara me tym.

“Qytetarët të mos djegin hamullore, bar të thatë apo mbeturina, sepse edhe pakujdesia më e vogël mund të shkaktojë një zjarr të ri. Nëse ndjejnë erë të fortë tymi, të mbyllin dritaret dhe dyert dhe, nëse është e mundur, të qëndrojnë në ambiente të mbyllura. Të mos hedhin bishta cigaresh dhe mbetje të ndezshme në natyrë. Çdo zjarr i vërejtur të lajmërohet në numrin 112”, thuhet në komunikatën e Njësisë së Zjarrfikësve, e cila thekson se zjarrfikësit po bëjnë përpjekje për ta shuar plotësisht zjarrin.

Deponi ilegaleStrumicaZjarr