Këshilli i Qytetit të Shkupit e shpalli zhytësin polak Bartłomiej Pitala qytetar nderi të Shkupit, në shenjë mirënjohjeje për arritjen historike në shpellën nënujore Vrello në Matkë, ku ai arriti thellësinë prej 338 metrash dhe vendosi rekord botëror për shpellën nënujore më të thellë të eksploruar në botë, transmeton Portalb.mk.
Kryetari i Shkupit, Orce Gjorgjievski, në emër të tij dhe të Këshillit, e falënderoi për ekspeditën “Vrello 2026”, rekordin historik dhe kontributin në promovimin e Shkupit në arenën ndërkombëtare.
“Me këtë mirënjohje, Shkupi i shpreh respektin e merituar njeriut që i zhvendosi kufijtë e eksplorimit dhe na dha edhe një arsye të madhe për krenari. Zoti Pitala, latë gjurmë në historinë e Vrellos dhe në zemrën e Shkupit. Shkupi i kujton dhe i respekton njerëzit që kanë lënë gjurmë me veprat e tyre! Nga sot, qyteti ynë është edhe i tij!”, deklaroi Gjorgjievski.
Sipas kryetarit të Shkupit, ky sukses historik paraqet një mundësi të madhe për të tërhequr edhe më shumë turistë, studiues të natyrës që ta vizitojnë kryeqytetin dhe të njihen me bukuritë e tij.
Shpella nënujore Vrello, në kanionin e Matkës, muajin e kaluar u bë shpella nënujore më e thellë e eksploruar në botë, pasi një ekip ndërkombëtar zhytësish speleologë arriti thellësinë rekord prej 338 metrash në kuadër të ekspeditës “Vrello 2026”.
Me këtë arritje u vendosën tri rekorde botërore, ndërsa shpella kaloi në vendin e parë në listën botërore, duke lënë pas lokacionet Font Estramar në Francë dhe Elefante Bianco në Itali.
Ndryshe, ndonëse shpella nënujore Vrello në Kanionin e Matkës në tetor shënoi rekord botëror, pasi eksplorimi i saj arriti rekord në thellësi, realiteti mbi tokë që të shpie deri te ky atraksion është krejt ndryshe, turistët që vizitojnë këtë atraksion përballen me infrastrukturë të dëmtuar dhe mungesë të parkingjeve. Derisa Matka po fiton vëmendje ndërkombëtare, autoritetet vazhdojnë të mos i zgjidhin problemet që ua vështirësojnë vizitorëve qasjen në të. Premtimet e përsëritura për përmirësimin e gjendjes nuk janë përkthyer në ndryshime konkrete në terren.