Matka: Rekord botëror nën ujë, probleme të pazgjidhura mbi tokë (Video)

Ndonëse shpella nënujore Vrello në Kanionin e Matkës ditë më parë shënoi rekord botëror, pasi eksplorimi i saj arriti rekord në thellësi, realiteti mbi tokë që të shpie deri te ky atraksion është krejt ndryshe, turistët që vizitojnë këtë atraksion përballen me infrastrukturë të dëmtuar dhe mungesë të parkingjeve. Derisa Matka po fiton vëmendje ndërkombëtare, autoritetet vazhdojnë të mos i zgjidhin problemet që ua vështirësojnë vizitorëve qasjen në të. Premtimet e përsëritura për përmirësimin e gjendjes nuk janë përkthyer në ndryshime konkrete në terren, shkruan Portalb.mk.

Së fundmi, shpella nënujore Vrello në Kanionin e Matkës arriti thellësinë prej 338 metrash gjatë ekspeditës ndërkombëtare “Vrello 2026”, duke u bërë shpella nënujore më e thellë e eksploruar në botë. Me këtë arritje u vendosën tre rekorde botërore, ndërsa gjatë ekspeditës u zbuluan edhe dy kanale të reja nënujore. Vrello la pas shpellat Font Estramar në Francë dhe Elefante Bianco në Itali, të cilat më parë renditeshin para saj.

Por krahas kësaj, realiteti në terren dhe rruga që të shpie drejt Matkës, është krejt trejtër.

Gjatë vizitës ne terren, ekipi i Portalb.mk pa se rruga drejt Matkës vazhdon të jetë e mbushur me gropa. Krahas vështirësive në qarkullim, mungesa e parkingjeve ua vështirëson vizitën turistëve që vijnë në këtë destinacion.

Problemet me rrugën dhe parkingjet janë evidentuar edhe në raportimin e mëparshëm të Portalb.mk, kur qytetarët u ankuan për gjendjen e saj dhe dëmet që u shkakton veturave.

“Rruga deri në Matkë është shumë problematike, katstrofë. Kjo gjendje e rrugës ka ndikuar në prishjen e veturave dhe na e vështirëson lëvizjen”, tha një qytetar në raportimin e Portalb.mk.

Një qytetar tjetër tregoi se gjendja e rrugës ndikon edhe në përvojën e turistëve që e vizitojnë këtë zonë.

“Shumë është problem për veturat, katastrofë është rruga. Çdo muaj veturën duhet ta dërgoj në servis. Një herë të vjen turisti dhe nuk vjen më. E sheh se çfarë rruge është dhe nuk kthehet më”, tha ai.

Elmazi hesht, Qyteti i Shkupit paralajmëroi rikonstruimin e rrugës

Rregullimi i rrugës drejt Matkës u premtua edhe nga kryetari aktual i Komunës së Sarajit, Muhamed Elmazi, nga radhët e VLEN-it. Në faqen 10 të programit të tij zgjedhor, Elmazi premtoi rikonstruimin e rrugës dhe urbanizimin e kompleksit turistik në Matkë.

Megjithatë, ai nuk iu përgjigj pyetjeve të Portalb.mk se pse, edhe pas një viti në krye të komunës, nuk janë ndërmarrë hapa konkretë për realizimin e këtyre premtimeve.

Premtimi i VLEN-it për Kanionin e Matkës. Foto printscreen nga programi i tyre zgjedhor.

Për zgjidhjen e problemeve ifrastrukturore, Portalb.mk iu drejtua edhe Qytetit të Shkupit. Nga ky institucion deklaruan se parashikohet rikonstruimi i rrugës nga Saraji deri në Matkë, ndërsa po analizohen mundësitë për ndërtimin e vendeve të reja të parkimit dhe promovimin e Matkës përmes përfshirjes së saj në hartën turistike të Shkupit.

“Qyteti i Shkupit parashikon rikonstruimin e rrugës nga Saraji deri në Matkë, ndërkohë që po bëhet analizë e mundësive për ndërtimin e vendeve të reja të parkimit dhe promovim shtesë të Matkës përmes përfshirjes së saj në hartën turistike të Shkupit”, thanë nga Qyteti i Shkupit për Portalb.mk.

Megjithatë, nga gjendja që vërehet në terren, nuk shihet se janë ndërmarrë hapa konkretë për rikonstruimin e rrugës dhe zgjidhjen e problemit me parkingjet.

Nga ana tjetër, Komuna e Sarajit ka kompetenca për rrugët lokale dhe rrugët e shërbimit në territorin e saj, përfshirë rrugën nga Gllumova drejt Matkës. Ndërkohë, Qyteti i Shkupit është përfshirë edhe më herët në projekte të rikonstruimit të rrugëve në këtë zonë. Ndërhyrjet më të mëdha në rrugën kryesore nga Gllumova deri te ndarja për Matkën e Epërme dhe Matkën e Poshtme janë realizuar si projekte të përbashkëta, të financuara ose bashkëfinancuara nga Qyteti i Shkupit përmes ndërmarrjes publike “Rrugët dhe Rrugicat”.

Matka, nga zona e mbrojtur te rekordi botëror i shpellës Vrello

Kanioni i Matkës, përveçse destinacion turistik, është edhe zonë me rëndësi natyrore dhe ekologjike. Në vitin 1994, me vendim të Këshillit të Qytetit të Shkupit, ai u shpall Monument i Natyrës, me sipërfaqe prej rreth 5.442,80 hektarësh.

Në vitin 2009, Qeveria e atëhershme miratoi vendimin për pranueshmërinë e propozimit për rishpalljen e Kanionit të Matkës si zonë e mbrojtur në kategorinë “Monument i Natyrës”, në përputhje me sistemin e ri të kategorizimit të zonave të mbrojtura.

Në vitin 2023, Qeveria miratoi edhe projektligjin për shpalljen e Kanionit të Matkës si zonë e mbrojtur e kategorisë III, Monument i Natyrës, me synim ruajtjen e vlerave natyrore dhe biodiversitetit të kësaj hapësire.

Komuna e SarajitMatkaMuhamet ElmaziPortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreQyteti i ShkupitVideo Lajme