Zgjerimi i BE-së drejt Ballkanit Perëndimor pa kushte të zbatuara është vetëm retorikë

Samiti BE-Ballkani Perëndimor, i dyti këtë vit që u mbajt në Bruksel, dëshmoi edhe njëherë politikën afatgjate të BE-së për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Union.

Takimi në Bruksel shërbeu për të riafirmuar angazhimin e qartë të BE-së për anëtarësimin e rajonit në BE, duke e përcaktuar zgjerimin si domosdoshmëri gjeostrategjike për sigurinë dhe paqen në Evropë.

Takimi i fundit për zyrtarët e BE-së ishte një moment për t’i shtyrë qeveritë rajonale t’i përshpejtojnë reformat e brendshme, të mbështesin vlerat demokratike dhe të zgjidhin mosmarrëveshjet dypalëshe.

Përtej qëllimeve afatgjata të pranimit, gjatë samitit u nënvizua nevoja për hapat që synojnë integrimin gradual të qytetarëve dhe ekonomive të Ballkanit Perëndimor në tregun e vetëm të BE-së përpara anëtarësimit të plotë.

Udhëheqësit e BE-së theksuan momentet kryesore që tashmë janë duke u zhvilluar, duke përfshirë këtu katër shtete ballkanike në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), zgjerimin e “korsive të gjelbra” ndërkufitare dhe punën e vazhdueshme për të sjellë Ballkanin Perëndimor në zonën “Lëviz si në shtëpi” të BE-së. Plani i Rritjes prej 6 miliardë eurosh i BE-së është një nga hapat më seriozë për të integruar këtë pjesë në Union.

Zyrtarët e lartë të BE-së kërkuan nga vendet e Ballkanit Perëndimor të përputhin politikat e tyre me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke përfshirë zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare.

BE-ja ka mirëpritur përpjekjet e qeverive rajonale për të luftuar kërcënimet kibernetike dhe hibride, për të modernizuar infrastrukturën e transportit dhe energjisë dhe për të forcuar menaxhimin e kufijve.

Përkundër premtieve nga BE-ja dhe zotimeve nga shtetet ballkanike, BE-ja duhet të tregohet e ashpër në zbatimin e planit të integrimit dhe plotësimit të kushteve nga shtetet ballkanike.

Nëse BE-ja shfaq tone të dobëta dhe kufizohet vetëm në fjalë, atëherë shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe kundërshtarët nuk do ta marrin atë seriozisht.

Në Ballkanin Perëndimor, BE-ja ka humbur kohë dhe para, por për shumë kohë, politika e stabilokracisë evropiane ka marrë një formë degraduese duke treguar se BE-ja nuk është në gjendje të dallojë mesazhin e konfliktit që vjen prej disa qeveri ballkanike.

Si për shembull për më shumë se një dekadë politika e BE-së me Serbinë i vështirësoi ndryshimet e brendshme.

Ka disa shenja pozitive se qeveria e re në Beograd mund të ecë përpara me disa probleme të hapura me BE-në, por pavarësisht ndryshimeve, mbetet ende shumë për t’u bërë në lidhje me Kosovën dhe Bosnjë- Hercegovinën.

Për shembull, sipas raportimeve qeveria e re serbe ka kërkuar të shfuqizojë termin “gjenocid” për krimet e kryera në Bosnjë-Hercegovinë e gjetiu nga forcat ushtarake dhe paraushtarake serbe.

Në këtë drejtim dy vitet e fundit, nën qeverisjen e kryeministrit të Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoskit dhe partive që e përbëjnë VLEN-in, marrëdhëniet me shqiptarët etnikë janë tensionuar.

Qeveria në Shkup ka ndërmarrë një sërë masash për të kufizuar të drejtat e shqiptarëve, gjë që bie ndesh me vlerat e BE-së dhe të Marrëveshjes së Ohrit (2001).

Gjatë samitit të fundit, BE-ja vendosi të ridrejtojë fonde nga Serbia, Bosnja- Hercegovina dhe Kosova drejt Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Megjithatë, Brukseli duhet fillimisht të shqyrtojë nëse në këto shtete kanë nisur politika që mund të ringjallin kujtimet e mosmarrëveshjeve të pas vitit 1991.

Vetëm pasi të bëhet kjo, mund të fillojë shpërndarja e fondeve dhe ndihmës financiare për këto vende.

Përndryshe, një veprim i tillë do të binte ndesh me të gjitha zotimet dhe deklaratat e BE-së për paqen dhe një Ballkan Perëndimor demokratik.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.

Kolumnat e PortalbitSelim Ibraimi