Zgjedhje të jashtëzakonshme në Komunën e Bërvenicës, gjithçka që ndodh (LIVE)

Në Komunën e Bërvenicës sot mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarin e ri të komunës, kjo pasi në qershor ndërroi jetë kryetari i komunës, Jovica Ilievski. Mbi 16 mijë qytetarë kanë të drejtë vote në 24 vendvotime. Në rrethin e parë garojnë 6 kandidatë, 4 nga partitë politike dhe 2 të pavarur. Më poshtë i gjeni të gjitha zhvillimet e ditës, shkruan Portalb.mk.

07:00 – Filloi votimi, të drejtë vote kanë mbi 16 mijë qytetarë.

Heshtje zgjedhore

Heshtja zgjedhore është në fuqi ende, ajo fillon një ditë para zgjedhjeve.

Heshtja mbaron në ora 19, kur mbyllen kutitë në ditën e votimeve. Kjo nënkupton se propaganda, agjitimi partiak, fushata dhe shkelje tjera të Kodit Zgjedhor janë rreptësishtë të ndaluara.

Gjatë heshtjes zgjedhore informohet për zgjedhjet dhe rrjedhën e votimeve, por ndërpriten të gjitha format e paraqitjes zgjedhore mediatike.

Sipas Kodit Zgjedhor, si shkelje e heshtjes zgjedhore vlerësohet emetimi i informatave të çdo lloji, fotografive, materialeve audio dhe audio-vizuale lidhur me, ose të cilat kanë marrë pjesë në zgjedhjet, çdo formë të raportimit mediatik të cilat janë në funksion të hapur ose të fshehtë të ndonjë fushate zgjedhore dhe mund të ndikojnë mbi vendimet e votuesve.

Votuan personat e burgosur dhe të pafuqishëm

Dje, 17 tetor, Komisioni Shtetëror i zgjedhjeve njoftoi se kanë votuar personat e burgosur, ata të sëmurë dhe të pafuqishëm.

Bërvenica si pikë e nxehtë e zgjedhjeve të kaluara

Në zgjedhjet e rregullta lokale të vitit të kaluar, Komuna e Bërvenicës ishte një nga komunat më të diskutuara, ndërsa gara mori më tepër karakter etnik, ku përplasje përveç opozitës dhe pozitës, pati edhe midis partnerëve në qeveri VMRO-VLEN.

Komuna e BervenicësZgjedhje lokale RMV 2025