Klinika e Psikiatrisë në Shkup shënon rritje të numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë profesionale për shkak të pasojave psikologjike nga dhuna në familje ose nga partneri. Vetëm në shtatë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 101 raste, që është më shumë se gjithsej 79 rastet e regjistruara gjatë gjithë vitit 2025. Këtë e tregon analiza e të dhënave shëndetësore e prezantuar në ligjëratën e sotme “Aspektet forenzike të dhunës në familje: epidemiologjia, pasojat ndaj shëndetit mendor dhe roli terapeutik dhe forenzik i psikiatrit”, e mbajtur në kuadër të Konferencës ndërkombëtare për psikiatri forenzike 2026 në Ohër, njofton Portalb.mk.
Profesor doktore Sllavica Arsova nga Klinika e Psikiatrisë theksoi se numri më i madh i rasteve është regjistruar në mars – 27 pacientë, më prill 23 dhe në qershor 21 pacientë. Kjo periudhë, thotë ajo, përkon me rastin në Shkup kur një nënë së bashku me fëmijën e saj u hodh nga ballkoni, pas dhunës së mëparshme shumëvjeçare në familje.
Hulumtimi ka përfshirë një rishikim retrospektiv të të dhënave në “Termini Im” në periudhën nga janari i vitit 2025 deri në korrik të vitit 2026, për pacientët me diagnoza që lidhen me çregullimet e ndërlidhura me stresin.
“Të dhënat duhet të interpretohen si raste mjekësore të regjistruara dhe nuk do të thotë domosdoshmërisht se dhuna në familje në shoqëri është në rritje. Shifrat mund t’i detyrohen edhe njohjes dhe dokumentimit më të mirë të rasteve, si dhe udhëzimit më efikas të pacientëve drejt institucioneve shëndetësore”, porositi dr. Sllavica Arsova.
Rastet e analizuara tregojnë se pasojat nga dhuna në familje dhe nga partneri prekin të gjitha grupmoshat. Mosha mesatare e pacientëve ka qenë 40 vjeç, me ç’rast janë regjistruar 19 persona më të rinj se 18 vjeç dhe 29 persona më të moshuar se 60 vjeç. Gratë kanë qenë të përfaqësuara tri herë më shumë se burrat.
Të dhënat e Klinikës lidhen me statistikën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, sipas së cilës numri i denoncimeve për dhunë në familje është rritur nga 4.421 në vitin 2022 në 5.436 në vitin 2025. Si viktima më së shpeshti janë regjistruar bashkëshortet dhe ish-partnerë martesorë.