Vozitësit në Shkup vazhdojnë të përballen me mungesë të vendparkimeve te sheshi “Skënderbeu”, ndërsa projekti për parkingun nëntokësor ende nuk ka arritur në fazën e tenderimit. Zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, thotë se priten edhe dy pëlqime institucionale, ndërsa nga Komuna e Çairit bëjnë të ditur se projekti është në procedurë për marrjen e lejes së ndërtimit. Punimet planifikohen të nisin gjatë vitit 2027, shkruan Portalb.mk.
Vozitësit që frekuentojnë çdo ditë sheshin “Skënderbeu” përballen me vështirësi për të gjetur një vend të lirë për parkim. Shumë prej tyre detyrohen të sillen disa herë nëpër rrugët përreth ose të kërkojnë parkingje alternative.
Qytetarët me të cilët bisedoi Portalb.mk thonë se ndërtimi i një parkingu nëntokësor do të ndihmonte në zgjidhjen e këtij problemi. Megjithatë, ata shprehin dyshime për realizimin e projektit, pasi ai është premtuar prej vitesh, por punimet ende nuk kanë nisur.
Zv.ministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, deklaroi se tenderi për ndërtimin e parkingut nuk është hapur për shkak të pengesave administrative që janë hasur gjatë procedurave.
“Pjesa e tenderimit nga Ministria e Transportit nuk është hapur për shkak të pengesave që i kemi hasur gjatë procedurës. Kemi dashur që ato t’i eliminojmë nga projekti që kishim”, deklaroi Zekolli për Portalb.mk.
Ajo sqaroi se projekti ishte hartuar në vitin 2014 dhe se, për shkak të vjetërsisë së tij, është dashur të zgjidhen disa çështje pronësore-juridike. Sipas saj, këto çështje tashmë janë tejkaluar, por për hapjen e tenderit nevojiten edhe dy pëlqime institucionale.
“Po presim t’i marrim edhe dy pëlqime, një nga MPB-ja që ka të bëjë me regjimin e komunikacionit dhe një nga Konservatoriumi, pasi është kontakt zonë me Çarshinë e Vjetër të Shkupit dhe duhet pëlqim edhe nga ana e tyre”, tha Zekolli.
Ajo pret që punimet të nisin në fillim të vitit 2027, ndërsa për përfundimin e tyre parashihen rreth dy vjet.
“Është një projekt që besoj që për një muaj e gjysmë, ose në fillim të vitit 2027, do të fillojmë në terren me ndërtim”, theksoi Zekolli.
Edhe nga Komuna e Çairit për Portalb.mk thonë se projekti ka arritur në fazën e procedurës për marrjen e lejes së ndërtimit dhe se fillimi i punimeve planifikohet gjatë vitit 2027.
“Projekti për parkingun nëntokësor te Sheshi ‘Skënderbeu’, me kapacitet të planifikuar prej rreth 400 vendparkimesh, ka arritur në fazën e procedurës për marrjen e lejes së ndërtimit. Sipas dinamikës së paraparë, fillimi i punimeve planifikohet gjatë vitit 2027”, thuhet në përgjigjen e komunës.
Ndërkaq, projekti parasheh ndërtimin e një parkingu nëntokësor me rreth 400 vendparkime, në një sipërfaqe prej afërsisht 13 mijë metrash katrorë. Vlera e investimit llogaritet nga 20 deri në 25 milionë euro, ndërsa punimet pritet të zgjasin rreth dy vjet.
Kujtojmë se, për parkingun nëntokësor dhe përfundimin e sheshit “Skënderbeu” flitet prej më shumë se një dekade. Punimet e para nisën në vitin 2012, por që nga viti 2018 nuk është shënuar përparim konkret. Projekti ka qenë një nga premtimet e përsëritura gjatë cikleve zgjedhore për shqiptarët në Shkup. Megjithatë, përveç platosë mbi bulevardin “Goce Dellçev” dhe muralit me figura historike shqiptare, pjesa tjetër e projektit ka mbetur e parealizuar.