Koalicioni VLEN ka reaguar pas rezultateve të zgjedhjeve në Bërvenicë, duke theksuar se procesi zgjedhor u zhvillua në mënyrë të lirë dhe demokratike, pa incidente dhe shkelje të rregullave zgjedhore. Nga VLEN thonë se asnjë parti politike nuk mund të pretendojë pronësinë mbi votat, pasi ato u përkasin qytetarëve, transmeton Portalb.mk.
“Asnjë parti politike nuk i kontrollon votat dhe nuk mund të pretendojë pronësinë mbi to. Votat u përkasin qytetarëve, të cilët janë të lirë të vendosin se kujt do t’ia besojnë mbështetjen e tyre. Ky është parim demokratik që duhet respektuar nga të gjithë”, thanë nga VLEN.
Në reagim, VLEN ka kritikuar qasjen e kundërshtarëve politikë, duke e cilësuar si të gabuar thirrjen për votim etnik në bashkëpunim me LSDM-në dhe Levicën. Sipas tyre, një model qytetar dhe gjithëpërfshirës nuk mund të ndërtohet përmes thirrjeve të tilla, pasi rrezikojnë të thellojnë ndarjet etnike dhe të nxisin polarizimin në shoqëri.
“Sepse, aty ku është Levica nuk janë shqiptarët! Sepse, në shoqëritë me diversitet etnik çdo aksion prodhon një reaksion. Sepse, qasja e tillë rrezikon të krijojë qarkun e mbyllur të retorikës nxitëse dhe polarizuese dhe të thellojë ndarjet etnike. Për pasojë, në vend të progresit, do të kemi regres”, thuhet në reagimin e VLEN-it, ku shtohet se në shoqëritë me diversitet etnik çdo aksion prodhon një reaksion.
Në fund, VLEN ka falënderuar qytetarët që morën pjesë në procesin zgjedhor dhe ushtruan të drejtën e tyre për të votuar.
Pas humbjes së kandidatit të VMRO-DPMNE-së në zgjedhjet lokale në Bërvenicë, kryeministri Hristijan Mickoski dhe partia e tij reaguan me akuza ndaj kundërshtarëve politikë. Mickoski pretendoi se VMRO-DPMNE-ja kishte garuar “e vetme kundër të gjithëve”, ndërsa kundërshtarët kishin shfrytëzuar kartën nacionaliste dhe mbështetjen demografike për të fituar komunën. Ndërkaq, zëdhënësi i partisë, Stefan Manasievski, akuzoi BDI-në për nxitje të ndarjeve etnike, ndërsa VLEN-in, LSDM-në dhe E Majtën për mbështetjen e kandidatit të AKI- dhe shpërndarjen e votave në favor të tij.