Mickoski pas pakënaqësisë së studentëve: Do të përfitojnë shumë më tepër se 140 denarë në ditë

Jemi duke përgatitur një pako më të madhe, të vetmen e këtij lloji në Evropë, përmes së cilës studentët do të kenë më shumë privilegje dhe më shumë shërbime me përfitime përmes aplikacionit M-Shërbime. Vlerësoj se kur e gjithë kjo të jetë gati, do të jetë një befasi e këndshme për studentët, tha kryeministri Hristijan Mickoski, transmeton Portalb.mk.

Në një intervistë për televizionin Telma, ai theksoi se studentët do të ftohen për t’ua prezantuar ofertën, duke nënvizuar se “në këtë mënyrë privilegjet e studentëve do të rriten shumë më tepër se ajo që marrin tani – 140 denarë për një vakt ditor studentor“.

“Kjo do të varet nga marrëveshjet që do t’i nënshkruajmë me operatorët ekonomikë. Disa operatorë ekonomikë mund të ofrojnë privilegj prej 5 për qind, disa të tjerë 20, 25, madje edhe 50 për qind. Prandaj them se, nëse e zbatojmë këtë, mendoj se do të jetë shumë më tepër se ajo që marrin sot”, tha Mickoski.

Ndryshe, organizatat studentore më herët kërkuan që subvencionimi për vaktin studentor të rritet nga 140 denarët aktualë në 200 denarë, ndërsa propozimi i Qeverisë ishte vendosja e një sistemi sipas të cilit studentët do të përfitonin vauçerë vetëm për ushqim.

Përfaqësuesit e studentëve kërkojnë mbështetje më të madhe financiare, duke pasur parasysh rritjen e shpenzimeve të jetesës.

“Thelbi është që sa më shpejt të rritet vlera e vaktit studentor. Pra, pavarësisht ndryshimeve sistematike – nëse do të vazhdojmë të funksionojmë me kartela si deri më tani apo do ta ndryshojmë sistemin – ne kërkojmë që vakti studentor të rritet në afatin më të shkurtër të mundshëm. Sa do të rritet? Nuk morëm një përgjigje të tillë”, deklaroi së fundmi një përfaqësuese e studentëve pas bisedimeve në Qeveri.

Shujta studentore ka qenë temë diskutimi gjatë muajve të fundit. Studentët kanë kërkuar që shuma ditore të rritet nga 140 në 200 denarë, ndërsa Qeveria ka propozuar një model të ri, sipas të cilit studentët do të përfitonin vauçerë elektronikë në vlerë prej 4.500 denarësh në muaj. Për këtë propozim janë zhvilluar bisedime me përfaqësuesit studentorë, por zgjidhja ende duhet të rregullohet përmes ndryshimeve ligjore.

Hristijan Mickoski HristianStudentë