Vitin e ardhshëm do të fillojë ndërtimi i gjashtë sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës, detaje nuk ka ende

Gjashtë nga 28 sallat e reja sportive shkollore të paralajmëruara nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës pritet të ndërtohen në shkollat fillore të Tetovës, megjithatë detajet nuk janë përcaktuar ende, shkruan Portalb.mk.

Në Tetovë vetëm dy shkolla fillore kanë salla sportive, të tjerat me vite janë lënë në mëshirë të fatit pa salla ndërsa mësimdhënësit dhe nxënësit të njëjtat i kërkojnë vazhdimisht.

Nga Komuna e Tetovës për Portalb.mk thanë se gjashtë sallat e reja sportive do të jenë në shkollat “Migjeni,” “Naim Frashëri,” “Liria,” “Kirili dhe Metodi,” “Istikball,” dhe “Skënderbeu” në Xhepçisht.

“Ky projekt synon të ofrojë një infrastrukturë më të mirë për të rinjtë dhe do të fillojë në vitin 2025. Dinamika e ndërtimit të këtyre sallave do të koordinohet me Ministrinë e Arsimit dhe Qeverinë, duke u siguruar që të gjitha fazat e realizimit të jenë të përcaktuara dhe të përfundojnë sipas planit të përbashkët për zhvillim”, thanë nga Komuna e Tetovës.

Megjithatë, nga Ministria e Arsimit nuk japin detaje lidhur me shkollat që do të ndërtohen në Tetovë.

“Ekziston një listë paraprake me disa lokacione të propozuara, por lokacionet përfundimtare do të zgjidhen sipas prioritetit të nevojave. Është përcaktuar një strukturë financiare dhe aktualisht po punohet për sigurimin e mjeteve për realizim. Ne do të ndajmë më shumë detaje pasi të përcaktojmë plotësisht të gjitha aspektet e projektit”, thanë nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës.

Kujtojmë që ministrja e Arsimit Vesna Janevska gjatë muajit tetor njoftoi se MASH-i në tre vitet e ardhshme do të ndërtojë 28 salla të reja sportive shkollore në komuna të ndryshme. Sipas planit, është paraparë që aktivitetet të fillojnë në vitin 2025 dhe deri në fund të vitit 2027 të përfundojnë të gjitha objektet, për të cilat sipas llogaritjeve do të nevojiten buxhet rreth 560 milionë denarë.

Ndryshe, në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve parlamentare me të cilin garoi BDI, te pjesa e projekteve kapitale në arsim u përmend ndërtimi i tetë sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës.

Sipas programit sallat sportive do fillonin të ndërtoheshin në vitin 2020 dhe do të përfundonin në vitin 2024 për këto shkolla: “Bratstvo Migjeni”, “Andrea Saveski Kikish”, “Kirili dhe Metodi”, “Liria”, “Naim Frashëri”, “Istikball”, “Rilindja” në Sellcë dhe “Gjergj Kastrioti” në Xhepçisht.

Në terren nuk janë realizuar shtatë nga këto salla sportive. Sallë sportive u ndërtua vetëm në shkollën “Andrea Saveski Kikish”, ku shumica e nxënësve janë maqedonas.

Mungesën e sallave sportive nxënësit dhe arsimtarët e shkollave e ndjejnë më tepër gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit kur ora e edukatës fizike duhet të zhvillohet brenda.

Komuna e TetovësMinistria e Arsimit dhe Shkencës (MASH)Nxënës të shkollave fillore - filloristëRinia shqiptareSalla sportiveShkolla filloreTë rinj - Rini - RiniaVesna Janevska