Premtimi i VLEN-it për kredi pa kamatë për çiftet e reja mbetet i parealizuar edhe pas dy vitesh

Një nga premtimet e koalicionit VLEN që është në pushtet në Maqedoninë e Veriut, ishte të ndihmojë çiftet e reja për të frenuar largimin e të rinjve nga vendi. Ky premtim ende nuk është realizuar. Edhe pas dy vitesh nga marrja e pushtetit, nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për zbatimin e masës së premtuar për kredi banesore me zero interes për çiftet e reja, shkruan Portalb.mk

Sigurimi i një banese për çiftet e reja në Maqedoni po shndërrohet nga një nevojë themelore në një privilegj të paarritshëm për shumë prej tyre. Kjo situatë i shtyn të rinjtë të përballen me dy alternativa të vështira: të mbeten përjetësisht qiramarrës ose të kërkojnë një të ardhme jashtë vendit. Për të lehtësuar këtë situtatë, pëpara se të merrte pushtetin, në programin zgjedhor, VLEN-i premtoi se çiftet e reja, me moshë mesatare nën 35 vjeç, do të mund të përfitonin kredi për blerjen e banesës pa kamatë. 

Për çiftet e reja, zero kamatë për banesat. Kredi me zero interes për banim për çiftet e reja (me moshë mesatare nën 35 vjet)”, thuhej në premtimin e VLEN-it. 

Sipas këtij premtimi, një nga arsyet kryesore të emigrimit të të rinjve është pamundësia për të siguruar një banesë të re, ndërsa zgjidhja do të ishte subvencionimi i interesit të kredive banesore. 

“Në mënyrë direkte përmes Bankës Shqiptare të MV, por deri kur kjo Bankë të krijohet nga qeveria do të subvencionohet kamata në bankat komerciale”, thuhej në programin zgjedhor. 

Premtimi i VLEN-it. Screenshot nga programi zgjedhor i VLEN-it.

Megjithatë, deri më tani nuk është bërë publike ndonjë skemë konkrete, nuk është miratuar ndonjë program qeveritar dhe nuk janë publikuar kritere apo afate për aplikim nga çiftet e reja. Premtimi parashikonte gjithashtu se kjo masë do të kishte ndikim jo vetëm në përmirësimin e kushteve të jetesës së të rinjve, por edhe në zhvillimin e sektorit të ndërtimit, i cili punëson një numër të madh të punëtorëve të rinj. 

Kjo politikë do të ndihmojë edhe zhvillimin e mëtejshëm të sektorit të ndërtimit në vend, sektor që punëson shumë të rinj”, theksonte VLEN në programin e saj. 

Megjithatë, të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të ikin nga vendi dhe çiftet e reja vazhdojnë të përballen me kredi banesore me norma interesi të tregut, ndërsa premtimi për kredi pa kamatë mbetet i parealizuar.

Ekonomisti Faton Halili për Portalb.mk.mk, u shpreh se edhe pse koalicioni qeverisës i RMV-së, i përket bindjeve të djathta të funksionarit prapë se prapë për propagandë populiste premtoi se do t’i subvencionoi çiftet e reja për blerjen e një banese me zero kamatë në kredi, por opinioni deri më sot nuk ka parë ndonjë vendim konkret rreth zbatimit dhe funksionimit të kësaj skeme te re.

Për Halilin një masë e tillë do t’ju ndihmonte çifteve të reja në periudhë afatgjate dhe do t’ju jepte siguri ekonomike. Por, sipas tij, kjo masë nuk është e mjaftueshme për t’i bindur të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre me perspektivë në RMV.

“Nëse shteti subvencionon vetëm kamatën, por nuk rrit pagat dhe nuk krijon perspektivë ekonomike, ai po trajton simptomën dhe jo sëmundjen. Të rinjtë nuk emigrojnë sepse nuk kanë banesë, ata emigrojnë sepse nuk kanë besim në të gjitha institucionet. Rritja e të ardhurave është çelësi për përballimin e blerjes së një banese, qytetet janë duke u përballur me fluks të madh të shpërnguljeve nga fshatrat në qytet, marrë parasysh këtë fakt duhet të iniciohet sa më parë një plan i ri. Në shumë qytete, si në Kumanovë, mungesa e një Plani të Detajuar Urbanistik të ri që nga viti 2011 ka kufizuar zhvillimin e zonave të reja të banimit dhe ka ndikuar në rritjen e çmimeve. Qeveria dhe komunat duhet të përshpejtojnë miratimin e planeve urbanistike të krijojnë më shumë hapësira për ndërtim dhe paralelisht të subvencionojnë banesën e parë. Vetëm rritja e ofertës së bashku me mbështetjen financiare mund ta bëjë strehimin realisht më të përballueshëm për të rinjtë”, u shpreh Halili. 

Nga ana tjetër, qytetarët thonë se realizimi i kësaj mase do të ishte një ndihmë e madhe për çiftet e reja, të cilat përballen me vështirësi për të siguruar një banesë. Sipas tyre, një premtim i tillë do të kishte lehtësuar barrën financiare për shumë familje të reja. Një qytetar vlerëson se gjatë fushatave zgjedhore politikanët shpesh paraqesin premtime të bukura dhe tërheqëse për qytetarët, por pas përfundimit të zgjedhjeve shumë prej tyre harrohen dhe mbeten pa u zbatuar.

“Do të kishte qenë shumë mirë sikur ky premtim të ishte realizuar, sepse një masë e tillë do t’u ndihmonte shumë qytetarëve. Politikanët gjatë zgjedhjeve premtojnë bukur, por sapo ato përfundojnë, shumë premtime mbulohen nga pluhuri dhe askush nuk merret më me hallet e qytetarëve”, thotë ai. 

Portalb.mk i është drejtuar VLEN-it me pyetje në lidhje me hapat e ndërmarrë për realizimin e premtimit për kredi pa kamatë për çiftet e reja, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk kemi marrë përgjigje nga VLEN-i.

Ekspertët paralajmërojnë se rritja e vazhdueshme e çmimeve ka pasoja më të gjera ekonomike dhe politike, nga thellimi i dallimeve sociale deri te rritja e migrimit të të rinjve. Pa masa sistematike, tregu i banesave rrezikon të kthehet në një tjetër faktor që do të thellojë pasigurinë strehimore dhe varfërinë te qytetarët.

Sa për ilustri, çmimet e banesave në Shkup janë rritur për 13,3%, dhe ekspertët paralajmërojnë se çmimet e larta dhe pagat e ulëta po i largojnë të rinjtë nga banesa e tyre. Rritja e çmimeve të banesave e bën edhe më të vështirë realizimin e ëndrrës për një shtëpi të tyre për shumë të rinj. Sipas të dhënave të Bankës Popullore, në tremujorin e dytë të vitit çmimet e banesave janë rritur për 13,3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa vetëm në raport me tremujorin paraprak rritja ishte 5,5%.

BanesaÇmimi i banesaveKartelë bankare - kreditorePortalb Fakt - Premtime parazgjedhoreVLEN koalicioni