Premtimi parazgjedhor i vitit 2020 i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) për ndërtimin e tetë sallave sportive për shkollat fillore në Tetovë nuk është realizuar. Nga tetë sallat është ndërtuar vetëm një, raporton Portalb.mk.
Në programin zgjedhor 2020-2024 të zgjedhjeve të fundit parlamentare me të cilin garoi BDI, te pjesa e projekteve kapitale në arsim përmendet ndërtimi i tetë sallave sportive në shkollat fillore të Tetovës.
Sipas programit sallat sportive do fillonin të ndërtoheshin në vitin 2020 dhe do të përfundonin në vitin 2024 për këto shkolla: “Bratstvo Migjeni”, “Andrea Saveski Kikish”, “Kirili dhe Metodi”, “Liria”, “Naim Frashëri”, “Istikball”, “Rilindja” në Sellcë dhe “Gjergj Kastrioti” në Xhepçisht.
Sot, katër vite më vonë në terren nuk janë realizuar shtatë nga këto salla sportive.
Sallë sportive është ndërtuar vetëm në shkollën “Andrea Saveski Kikish”, ku shumica e nxënësve janë maqedonas.
Portalb.mk kërkoi nga BDI se pse nuk janë realizuar të njëjtat, por nga atje nuk na u përgjigjën.
Kërkuam sqarim edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por as nga ky institucion nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske.
Mungesën e sallave sportive nxënësit dhe arsimtarët e këtyre shkollave e ndjejnë më tepër gjatë stinës së vjeshtës dhe dimrit kur ora e edukatës fizike duhet të zhvillohet brenda.