E Majta nesër do të iniciojë takim koordinues me partitë opozitare për ndryshimet e Kodit Zgjedhor

Nga partia politike E Majta sot e akuzuan pushtetin se është tërhequr nga procesi për ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe përgjegjësinë e hodhi te opozita. Paralajmëruan se nesër do të iniciojnë takim koordinues të të gjithë partive politike opozitare me qëlim të harmonizimit të qëndrimeve për reformat zgjedhore, njofton Portalb.mk.

“Kodi Zgjedhor është një nga ligjet më të rëndësishme në çdo demokraci. DPMNE e lëshoi gjarprin në proces – vendosi vija të kuqe rreth votimit të diasporës, e ngarkoi gjithë procesin me temë që nuk ishte lëndë për formim të Grupit të punës, ndërsa pastaj u tërhoq anash, duke  elënë opozitës vetë që ta zgjidhë nyjën që vetë pushteti e krijoi. Pushteti nuk mund të jetë propozues ligji, të disponojë me shumicë parlamentare, ndërsa njëkohësisht të sillet si mbikëqyrës i thjeshtë i procesit”, thuhet në kumtesën e partisë.

Nga atje thonë se nuk do të lejojnë që situata aktuale të jetë arsyetim i ri për dështim të reformave të domosdoshme zgjedhore.

Për këtë arsye, E Majta paralajmëron takim koordinues të të gjithë partive politike opozitare, në të cilin, siç thonë, do të bëhet përpjekje për harmonizim të qëndrimeve dhe përgatitje të propozimit të përbashkët që do të dërgohet deri te shumica qeveritare.

Sipas Të Majtës, esenca e këtyre bisedimeve është vendosja e një njësie zgjedhore, reformë për të cilën konsiderojnë se do të sigurojë vlerë të barabartë të çdo votuesi, do ta zvogëlojë numrin e votave të humbura dhe do të mundësojë që Kuvendi më realisht ta shfaq vullnetin e qytetarëve.

Pavarësisht tensioneve politike, mesazhi i komisioneres Kos ishte optimist. Ajo kërkoi që partitë të arrijnë konsensus dhe të përfundojnë reformën.

Kjo do të thotë se fondet prej 4.2 milionë eurosh ende mbeten të arritshme, nëse partitë pajtohen dhe arrijnë të miratojnë ndryshimet e kërkuara.

Me afatin ende të hapur, Maqedonia e Veriut ka mundësi të mos i humbë fondet, por koha për marrëveshje politike po bëhet faktori kryesor.

Partitë kanë ngecur në çështjet nëse do të mbeten gjashtë zona zgjedhore apo do të vendoset një zonë e vetme zgjedhore, votimi elektronik i diasporës dhe rishpërndarja e fondeve për reklamimin mediatik mes partive të mëdha dhe të vogla. Këto janë pengesat kryesore për shkak të të cilave ndryshimet në Kodin Zgjedhor janë bllokuar në Kuvend nga opozita me rreth 14 mijë amendamente

Nëse vazhdohet kështu, Kodi Zgjedhor me shumë gjasa nuk do të përfshihet në ligjet reformuese të zbatuara për të cilat Maqedonia duhet të paraqesë raport në Komisionin Evropian më 15 korrik mbi atë që është bërë deri në fund të 30 qershorit.

Numërimi mbrapsht tashmë ka filluar. Na ndajnë vetëm edhe disa ditë.

Afati fillestar për miratimin e këtij ligji ishte 30 qershori 2025, por pasi ky afat nuk u përmbush, qeveria mori qëndrimin se afati nuk ishte shkelur sepse ka një periudhë “grejs” deri në fund të qershorit 2026.

Grupi i punës për reformën e Kodit Zgjedhor u formua më 3 mars të këtij viti, katër muaj para afatit për reformat zgjedhore, dhe punoi në një dokument me ndryshime të propozuara të përgatitura nga Ministria e Drejtësisë në qershor 2025.

E Majta – Levica partiaKodi ZgjedhorVMRO-DPMNE