Dje në hapësirat e I.N. Galerisë së Arteve në Tetovë, u hap solemnisht ekspozita personale e artistes nga Peja, Republika e Kosovës, Liridona Gjuka Bogu, e titulluar “Vetëm tani”, transmeton Portalb.mk.
Piktorja Liridona Gjuka Bogu, para artdashësve të qytetit të Tetovës dhe më gjerë, prezantoi 25 vepra të punuara me teknikën e akrilikut në pëlhurë, të cilat sjellin detaje nga peizazhi, duke ftuar shikuesit të ndiejnë fuqinë e krijimtarisë dhe të reflektojnë mbi përvojën njerëzore përmes ngjyrave, formave dhe emocioneve që arti përcjell. Çdo vepër në këtë ekspozitë përfaqëson një udhëtim të brendshëm dhe një dëshmi të zërit të fuqishëm që autorja sjell në skenën bashkëkohore të artit pamor.
Nga Galeria bëjnë të ditur se hapjen solemne të ekspozitës e bëri Drejtoresha e Galerisë së Arteve të Tetovës, Arbenita Meta. Në fjalën e saj, Meta falënderoi artisten Liridona Gjuka Bogu që zgjodhi ta prezantojë këtë cikël të krijimtarisë së saj artistike në Tetovë, duke nderuar qytetin me opusin e saj artistik. Ajo gjithashtu shprehu mirënjohje ndaj kuratorit të ekspozitës, prof. Hajrush Fazliu, për kontributin dhe mbështetjen në realizimin e këtij aktiviteti. Meta vlerësoi mjeshtërinë e autores Liridona Gjuka Bogu në përdorimin e teknikës së akrilikut, duke theksuar se veprat e saj pasurojnë peizazhin artistik dhe krijojnë lidhje të thella emocionale dhe artistike me artdashësit.
Kuratori i ekspozitës, prof. Hajrush Fazliu, vlerësoi krijimtarinë unike të Liridona Gjuka Bogut. Ai theksoi se arti i saj është specifik dhe shquhet për trajtimin e tematikave, teknikave dhe formave të realizimit. Duke sjellë peizazhe, portrete dhe figura të ndërthurura me një gjuhë artistike abstrakte, Liridona arrin të kombinojë intelektin me impulsivitetin krijues, duke dhënë një performancë të jashtëzakonshme që reflekton pasionin dhe përkushtimin e saj për të bukurën. Prof. Fazliu shtoi se veprat duhet parë një nga një për të shijuar detajet, por të bashkuara, ato krijojnë një ansambël të fuqishëm artistik.
Në fjalimin e saj, Liridona Gjuka Bogu falënderoi të pranishmit që e nderuan me pjesëmarrjen e tyre. Ajo theksoi se kjo ekspozitë përfaqëson një urë lidhëse mes artit të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut, veçanërisht mes qyteteve Pejë dhe Tetovë, duke ofruar një përvojë edukative dhe një komunikim të mirëfilltë artistik.
I.N. Galeria e Arteve Tetovë vazhdon të jetë një urë bashkëpunimi me artistët e vendeve fqinje, duke i mbështetur dhe inkurajuar në rrugëtimet e tyre artistike dhe profesionale.