Institucionet që kanë përfituar më së shumti nga fondet e Bashkimit Evropian nga programi Horizon Europe, në Maqedoninë e Veriut udhëheq Universiteti Shën Kirili dhe Metodi me 4.74 milion euro, përkatësisht me gjithsej 21 projekte. Pason kompania AG Futura Technologii me 8 projekte dhe 1.85 milion euro, Avesta Bateri and Enerdzi me 3 projekte dhe 788.083 euro. Në këtë listë ka edhe kompani private, institucione hulumtuese si dhe publike të cilat participojnë nga një herë në projektet e Horizon Europe, thuhet në dokumentin “Kush fiton fondet e Bashkimit Evropian nga programa Horizon Europe?” i Universitetit të Evropës Juglindore me autor Prof. Dr. Adrian Besimi, transmeton Portalb.mk.
Shtetet e asocuara me programën Horizon Europe përfshijnë shtetet e Ballkanit, edhe atë Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi dhe Kosova. Në të është futur edhe Kroacia si anëtare të BE.
Dominim në fushën e hulumtimit, respektivisht përfitimet nga fondet e BE-së në programën e Horizon Europe ka Serbia e cila ndiqet nga afër nga Kroacia.
“Përmendim këtu faktin se Kroacia është anëtare e BE-së ndërsa Serbia nuk është, mirëpo përsëri arrin të ketë sukses të lartë në projektet dhe fitimin e fondeve nga BE. Për krahasim të dy shtetet kanë fituar numër të njëjtë të projekteve (nga 330 gjithsej) ndërsa nga aspekti i buxhetit, fondet më të mëdha i ka thithur Serbia, me rreth 117 milion euro. 5 shtetet e ngelura të Ballkanit bashkërisht, duke larguar Kroacinë dhe Serbinë, nuk kanë arritur të thithin as 33 milion euro nga këta fonde Hulumtuese”, thuhet në dokument.
Nga këta 7 shtete të Ballkanit, përfshirë dhe Kroacinë, institucionet që kanë përfituar më së shumti janë Universiteti i Zagrebit me 8.49 milion euro, Organizata Foodscale nga Sërbia me 8.45 milion euro, disa institute dhe Fakultete nga Serbia, ndërsa nga Maqedonia e Veriut udhëheq Univesiteti Shën Qirili dhe Metodij me 4.74 milion euro.
“Republika e Maqedonisë së Veriut paraqitet e treta në këtë grup të Ballkanit, me rreth 12 milion euro fonde dhe gjithsej 60 projekte të fituara (nënshkruara), pasuar nga Bosnja me 8 milion euro dhe 41 projekte, Shqipëria me 7 milion euro dhe 37 projekte, Mali i zi me 4 milion euro dhe 23 projekte si dhe Kosova me 2 milion € dhe 14 projekte”, thuhet në dokument.
Programa Horizont Evropa paraqet programën kryesore të BE-së për kërkimin dhe inovacionin te miratuar ne vitin 2019 dhe kap periudhën e implementimit prej vitit 2021-27. Kërkimi shkencor dhe inovacioni në këtë program të BE-së për këtë periudhë kap një buxhet prej 95.5 miliardë euro. Ky program ndahet në 3 Shtylla kryesore, edhe atë: Shtylla I- Shkencë e shkëlqyeshme që përfshin Këshillin evropian të kërkimeve, Veprimet Marie Sklodowska-Curie dhe Infrastruktura kërkimore. Shtylla 2- Sfidat globale dhe konkurrueshmëria industriale evropiane që në vete përmban grupimet në të ashtuquajtura “kllastera”. Shtylla 3- e njohur si shtylla Evropa inovatore me komponentet e saja, siç janë Këshilli evropian i inovacionit, Ekosistemet evropiane të inovacionit dhe Instituti evropian i inovacionit dhe teknologjisë Të gjitha këta shtylla, institucione dhe kllastere, hapin thirrjet e tyre për projekte hulumtuese dhe inovative nëpërmjet portalit të Eomisionit Evropian.
Duke qenë në vitin e 4 të implementimit të programës, shumë shtete, kryesisht të BE-së, kanë përfituar fonde të mëdha për të implementuar projektet e tyre kërkimore shkencore apo projektet e inovacionit. Kontributi i BE-së deri në këtë moment kap shifrën e 39.08 miliardë euro. Nga këto fonde, shtetet të cilat kanë përfituar më së shumti janë: Gjermania me 6.25 miliardë euro, e ndjekur nga Franca me 4.35 miliardë euro, mandej Spanja me 4.21 miliardë euro, Hollanda, Italia, Belgjika, Greqia etj.
Kujtojmë se Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi instrumentin për reforma dhe rritje për Ballkanin Perëndimor. Plani u siguron vendeve gjashtë miliardë euro nga buxheti i Bashkimit Evropian, dy miliardë ndihmë direkte dhe katër kredi.