Në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot pritet të vazhdojë procesi gjyqësor për keqpërdorimet e pretenduara në SH.A. “Lotaria Shtetërore”, ku një nga të akuzuarit është edhe ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi, transmeton Portalb.mk.
Në seancën e kaluar, Gjykata e shtyu shqyrtimin kryesor me arsyetimin se të akuzuarve dhe mbrojtësve të tyre duhet t’u mundësohet kohë shtesë për shqyrtimin e materialit dëshmues dhe për përgatitjen e mbrojtjes.
Gjykimin e udhëheq gjykatësja Biljana Shuplinovska-Jovevski, ndërsa aktakuzën e përfaqësojnë prokurorët publikë Daniel Kocev dhe Aleksandar Davçevski, të cilët kanë 231 provave materiale, ekspertizave dhe shtatë dëshmitarë.
Së bashku me Grubin, në këtë rast janë gjithsej tetë të akuzuar.
I akuzuari i parë është ish-drejtori i përgjithshëm i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami, i cili është në arrati dhe ndaj tij gjyqi zhvillohet në mungesë.
Akuzohet edhe ish-sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Metodija Dimovski, si dhe pesë anëtarë të Bordit Mbikëqyrës të Lotarisë Shtetërore.
Sipas propozim-aktakuzës së Prokurorisë Themelore Publike në Shkup, ata akuzohen se gjatë viteve 2023 dhe 2024, duke tejkaluar kompetencat zyrtare, i kanë shkaktuar dëm SH.A. “Lotaria Shtetërore” në vlerë prej mbi 507 milionë denarësh, apo 8.2 milionë euro. Të akuzuarit ngarkohen me veprën penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar, për çka parashihet dënim me burg prej më së shumti pesë vite.
Kujtojmë se pas mbi një viti në arrati, më 23 shkurt në orët e para të mëngjesit, Grubi u vetëdorëzua në pikën kufitare në Bllacë, ku edhe u arrestua dhe u dërgua në Burgun e Shutkës. Më pas, siç sqaruan autoritetet, për shkaqe sigurie u vendos që ai të shkojë në arrest shtëpiak, ku më pas disa herë iu vazhdua paraburgimi.