Reshjet e mëdha të shiut në Shkup kanë shkaktuar probleme në disa lagje të qytetit, një ndër ato është lagja Gazi Babë të Çairit, ku është bllokuar kanlizimi dhe ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe. Banorët ankohen ndërsa autoritetet nuk ndërhyjnë me ditë të tëra, shkruan Portalb.mk.
Banorët shprehen të shqetësuar edhe për rrezikun e mundshëm shëndetësor si pasojë e kësaj situate.
Sipas tyre, pavarësisht ankesave të shumta drejtuar institucioneve kompetente, problemi ende nuk është zgjidhur, gjë që ka shtuar pakënaqësinë për reagimin e autoriteteve.
Një banor, të cilin e takuam në terren, tha se situata vazhdon prej rreth një jave dhe se, pavarësisht raportimeve të përditshme, nuk është ndërmarrë asnjë zgjidhje konkrete.
“Në mëngjes isha te Ujësjellësi dhe kërkova sërish që të ndërhyjnë. Ata e kanë një të mirë se nuk thonë asnjëherë jo. Përjgigjen e njëjtë si ditën e premte e mora edhe sot, se do të vijnë të intervenojnë. Arsyetimi i tyre është se janë duke e pritur cinternën të lirohet, që të vijnë të intervenojnë. Ky problem është bërë i përhershëm. Që nga vërshimet, kanalizimi bllokohet vazhdimisht dhe nuk zgjidhet si duhet”, tha ai.
Një tjetër banor tha se gjendja është përkeqësuar pas reshjeve të fundit.
“Që nga shiu i fundit filluan të dalin ujërat e zeza dhe askush nuk ka ndërhyrë për ta rregulluar situatën,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Daim Luçi, këshilltar i AKI-së në Qytetin e Shkupit, për Portalb.mk deklaroi se mosreagimi i institucioneve është i papranueshëm. Sipas tij, situata nuk përbën vetëm vështirësi në qarkullim, por paraqet edhe rrezik për shëndetin e qytetarëve.
“Gjatë vizitës në terren, era e rëndë ishte e dukshme. Kjo neglizhencë është bërë e zakonshme në lagjet me shumicë shqiptare. Komuna duhet të reagojë më fuqishëm dhe të kërkojë ndërhyrje të menjëhershme nga Qyteti i Shkupit,” deklaroi Luçi.
Nga Qyteti i Shkupit nuk u përgjigjën në pyetjet gazetareske për këtë problem.
Kujtojmë se moti i rrëmbyeshëm ka shkaktuar edhe më herët probleme në Shkup. Gjatë stuhive të mëparshme janë raportuar dëme materiale në disa pjesë të qytetit, përfshirë rrëzim të drunjve, dëmtim të automjeteve dhe ndërprerje të përkohshme të komunikacionit. Në raste të tilla, Qendra për Menaxhim me Kriza u ka bërë vazhdimisht thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë dëmet.