Numri i rasteve të raportuara të dhunës në familje në Maqedoni është rritur për 70 përqind në dhjetë muajt e parë të vitit 2026, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), nga janari deri në tetor të këtij viti janë regjistruar 1.897 ngjarje të lidhura me dhunën në familje, kundrejt 1.125 rasteve në periudhën e njëjtë të vitit 2025, transmeton Portalb.mk.
Në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar 1.489 vepra penale, për të cilat janë ngritur 1.450 kallëzime penale.
Janë ndërmarrë masa për ndjekje penale ndaj 1.521 kryerësve, që paraqet rritje prej 48 për qind krahasuar me vitin 2025. Pjesa më e madhe e veprave penale janë regjistruar në territorin e SPB-së Shkup.
Sipas MPB-së, është rritur edhe numri i procedurave urgjente, përkatësisht i procedurave të shpejta. Në dhjetë muajt e vitit 2026 janë paraqitur 153 kallëzime penale me procedurë të shpejtë, kundrejt 59 në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, që paraqet rritje prej 160 për qind. Numri më i madh i këtyre kallëzimeve, 65, është paraqitur në territorin e SPB-së Shkup.
MPB-ja shënon rritje edhe të masave të shqiptuara. Paraburgimi është caktuar për 163 kryerës, ndërsa ndaj 167 kryerësve janë caktuar masa të kujdesit dhe masa urgjente, ndër të cilat largimi nga shtëpia dhe ndalimi i afrimit.
Përveç veprave penale, në dhjetë muajt e parë të këtij viti janë regjistruar edhe 182 kundërvajtje të lidhura me dhunën në familje, për të cilat janë raportuar 221 kryerës. Janë evidentuar 214 viktima. Kundërvajtjet më të shpeshta kanë qenë sulmet fizike, me 65 raste, grindjet dhe bërtitjet në vende publike, me 45 raste, si dhe pjesëmarrja në rrahje, me 36 raste.
Ndërkohë, numri i ankesave me elemente të dhunës në familje është ulur për 7,2 përqind. Në periudhën e analizuar janë regjistruar 4.466 ankesa, kundrejt 4.813 në periudhën e njëjtë të vitit 2025. Si viktima në këto raste janë evidentuar 4.579 persona, ndërsa 40 përqind e ankesave janë regjistruar në territorin e SPB-së Shkup.
Statistikat afatgjata të MPB-së tregojnë se në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025 janë regjistruar 5.537 vepra penale të lidhura me dhunën në familje, 5.699 kryerës dhe 5.890 viktima.
Mesatarisht, në vit janë evidentuar rreth 1.107 vepra penale, përkatësisht afërsisht tri vepra penale në ditë. Sipas analizës, në nivel ditor janë regjistruar të paktën tri viktima.
Gratë përbëjnë pjesën më të madhe të viktimave, me 79 përqind të numrit të përgjithshëm. Nga 5.890 viktima në periudhën pesëvjeçare, 4.658 kanë qenë gra dhe 1.232 burra.
Nga ana tjetër, 91 për qind e gjithsej 5.699 kryerësve të regjistruar kanë qenë burra.
Nga gjithsej 5.537 vepra penale, 3.347 kanë të bëjnë me lëndime trupore gjatë ushtrimit të dhunës në familje, ndërsa 1.979 me rrezikimin e sigurisë.
Në periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2025 janë regjistruar edhe 1.627 kundërvajtje me elemente të dhunës në familje, përkatësisht mesatarisht nga një në ditë.
Në të njëjtën periudhë pesëvjeçare janë evidentuar 23.642 ankesa të lidhura me dhunën në familje.
Kujtojmë se raporti i KE-së vëren se dhuna ndaj grave mbetet problem serioz, ndërsa mbështetja institucionale për viktimat është e pamjaftueshme.