Dy vjet burg për ish-drejtorin e REK “Manastiri”, Pece Matevski për dëm prej 2.9 milionë eurosh

Ish-drejtori i REK “Manastiri”, Pece Matevski, është dënuar me dy vjet burg për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar gjatë një prokurimi publik për gërmimin e materialit të djerrinës, në të cilin ishte përzgjedhur kompania e Manastirit “Rudkop”, ndërsa oferta e kompanisë së Shkupit “Granit” ishte refuzuar, transmeton Portalb.mk.

Aktgjykimin e shpalli gjyqtari Goran Dimovski nga Gjykata Themelore në Manastir, i cili konstatoi se me veprimet e të akuzuarve i ishte shkaktuar dëm REK “Manastirit” në vlerë prej 178,37 milionë denarësh, përkatësisht rreth 2,9 milionë euro.

Sipas arsyetimit të gjykatës, Matevski dhe tre anëtarë të Komisionit Profesional i mundësuan kompanisë “Rudkop” të përfitonte shumën e diferencës ndërmjet çmimeve të ofruara, pasi “Granit” u përjashtua nga procedura dhe nuk iu dha mundësia të merrte pjesë në ankandin elektronik.

Përveç Matevskit, dënime me kusht morën edhe Dimitar Petkovski, Blagojçe Gjorgjievski dhe Toni Angellovski. Secilit prej tyre iu shqiptua dënim prej një viti burg, i cili nuk do të ekzekutohet nëse brenda dy vjetësh nga plotfuqishmëria e aktgjykimit nuk kryejnë vepër të re penale.

Dënime me kusht morën edhe tre të punësuar në Byronë për Prokurime Publike – Aleksandra Maxhevska-Saraçinçeva, Azemina Uçkan dhe Dobrilla Jordanovska. Dënimet e përcaktuara për secilën prej tyre janë nga tetë muaj burg, me periudhë verifikimi prej një viti e gjysmë.

Nga aktakuza u liruan Snezhana Makarijoska, Anita Kuzhevska dhe Lupço Stefanovski, anëtarë të Komisionit për Prokurime Publike, pasi, sipas gjykatës, prokuroria nuk arriti të dëshmojë se ata e kishin kryer veprën për të cilën akuzoheshin.

Mbeten të ngrira 3,5 milionë euro të kompanisë “Rudkop”

Gjykata vendosi të mbetet në fuqi masa e përkohshme për ngrirjen e rreth 3,5 milionë eurove të kompanisë së Manastirit “Rudkop”, në pronësi të Kiril Biljanovskit.

Mjetet do të mbeten të ngrira deri në përfundimin e plotfuqishëm të procedurës penale, përveç nëse ndërkohë paraqiten rrethana që do të kërkonin ndryshimin e kësaj mase.

Njëkohësisht, gjykata e udhëzoi personin juridik të dëmtuar, SHA EMV, që kompensimin e dëmit ta kërkojë në procedurë civile.

Aktakuzën në këtë rast e përfaqësoi prokurorja Olivera Neçakovska nga Prokuroria Themelore Publike në Manastir.

Aktgjykimi nuk është i formës së prerë.

Termocentrali REK - TEC Manastir