Këshilli i Komunës së Bërvenicës në seancë të jashtëzakonshme ka marrë vendim që Robert Millosheski të udhëheqë Komunën e Bërvenicës, ndërsa këshilltari Mirosllav Dailovski do të jetë kryetar i Këshillit të Komunës së Bërvenicës, transmeton Portalb.mk.
“Iniciuar dhe mbështetur në nenin 54 paragrafi 1 pika 2 dhe paragrafi 5 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, Këshilli i Komunës me shumicë votash mori vendim që Kryetari i deritanishëm i Këshillit, Robert Millosheski, të emërohet Ushtrues Detyre (u.d.) Kryetar i Komunës së Bërvenicës. Zoti Millosheski do ta udhëheqë komunën dhe do të menaxhojë punët e saj deri në shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale për kryetar të ri”, njoftoi Komuna e Bërvenicës.
Në pozitën e deritanishme të Millosheskit, do të jetë Dailovski.
Ndryshe, në mbledhjen e 7 korrikut, Qeveria e e Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e miratoi informacionin e dorëzuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale lidhur me krijimin e bazës ligjore për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Komunës së Bërvenicës.
Kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica lievski, vdiq në qershor të këtij viti. Ai ishte kryetar i Komunës së Bërvenicës që nga viti 2021, ai e fitoi mandatin e dytë në krye të kësaj komune në zgjedhjet e fundit lokale në 2025.
Kur do të mbahen zgjedhjet e reja?
Sipas Ligjit të Vetëqeverisjes Lokale, Neni 54 përcakton se në rast të vdekjes së kryetarit të komunës, Këshilli Komunal duhet ta zgjedh një anëtar nga Këshilli Komunal që të zëvendësojë kryetarin e Komunës.
Anëtari i këshillit që do e zëvendësojë kryetarin e komunës, në afat prej 15 ditëve është i obliguar që ta njoftojë Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale.
Më pas, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, në afat prej 15 ditësh që nga pranimi i njoftimit, e njofton Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e cila në afat prej një muaj nga dita e pranimit të njoftimit, inicion procedurë për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar komune.
Këshilli, në afat prej 30 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit të qeverisë, do të zgjedh një nga anëtarët e këshillit i cili do ta kryejë detyrën e kryetarit të komunës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në mënyrë siç zgjidhet kryetari i këshillit.
- LEXO: Qeveria mori vendim për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Komunës së Bërvenicës
- LEXO: Komuna e Bërvenicës shkon në zgjedhje të parakohshme pas vdekjes së Jovica Ilievskit, kur pritet të mbahen?