Premtimi për krijimin e programit ‘Erasmusi shqiptar’, përmes të cilit studentët shqiptarë nga Maqedonia e Veriut do të mund të realizonin shkëmbime akademike në universitetet në Shqipëri dhe Kosovë nuk është realizuar ende. Nga VLEN-i, i cili e ka paralajmëruar këtë program, heshtin se pse nuk është realizuar i njëjti, shkruan Portalb.mk.
Studentët të cilët folën për Portalb.mk u shprehën se paralajmërimi për këtë program ngjalli pritshmëri të larta te studentët.
Studentja Kaltrina Bytyqi thekson se çështja duhet të trajtohet përtej dimensioneve politike, pasi mosrealizimi i programit nënkupton humbjen e mundësive për zhvillimin akademik dhe profesional të studentëve.
Ajo thekson se realizimi i programit do t’u mundësonte studentëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut të kalonin një semestër ose një periudhë të caktuar studimi në universitetet e Tiranës ose Prishtinës, të njiheshin me qasje të ndryshme akademike, të përfitonin nga përvoja e profesorëve dhe institucioneve të tjera universitare, si dhe të krijonin lidhje profesionale që do t’u shërbenin gjatë karrierës së tyre.
“Përfitimet nuk do të kufizoheshin vetëm në nivelin individual, por do të ndikonin edhe në krijimin e një hapsire të përbashkët akademike shqiptare, forcimin e bashkëpunimit ndëruniversitar dhe rritjen e konkurrueshmërisë së studentëve në tregun rajonal dhe evropian të punës. Ideja duhet të nxirret nga debati politik dhe të shndërrohet në propozim konkret institucional”, u shpreh ajo.
Për këtë, sipas saj, nevojitet program zyrtar shkëmbimi ndërmjet universiteteve në Maqedoninë e Veriut, Shqipëri dhe Kosovë, i shoqëruar me mbështetje financiare nga shteti për bursat, udhëtimin dhe qëndrimin e studentëve.
“Studentët nuk kanë nevojë për premtime të reja, por për politika që krijojnë mundësi reale. Nuk kërkojmë privilegje dhe as trajtim të veçantë. Kërkojmë investim në dije, mundësi të barabarta dhe të drejtën për të përfituar nga potenciali akademik i gjithë hapësirës shqiptare. E ardhmja e studentëve nuk mund të presë deri në zgjedhjet e ardhshme qeveritare”, përfundon ajo.
Në të njëjtën linjë për rëndësinë e programit është edhe studenti Çlirim Iseni, i cili vlerëson se ‘Erasmusi shqiptar’ do të krijonte ura bashkëpunimi ndërmjet universiteteve shqiptare, do të forconte lidhjet mes të rinjve dhe do të kontribuonte në ruajtjen dhe zhvillimin e identitetit kombëtar.
Megjithatë, Iseni thotë se përgjegjësia për mosrealizimin e premtimit nuk mund t’i atribuohet vetëm një subjekti politik pa u njohur të gjitha rrethanat.
“Pavarësisht se kush mund ta ketë penguar realizimin, përgjegjësia për t’u dhënë studentëve një shpjegim mbetet te institucionet dhe përfaqësuesit politikë që e kanë premtuar”, nënvizoi Iseni.
Ai shton se bashkëpunimi arsimor ndërmjet shqiptarëve nuk duhet të shihet si kërcënim për askënd, por si e drejtë dhe mundësi zhvillimi, ndërsa studentët shqiptarë kërkojnë mundësi të barabarta dhe respektim të zotimeve të dhëna.
Portalb.mk i është drejtuar edhe VLEN-it me pyetje gazetareske për kërë premitim të parealizuar, por nga aty nuk u përgjigjën.
Ministria flet për Erasmus+, por jo për iniciativën e VLEN-it
Të pyetur për këtë program, nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në përgjigjen për Portalb.mk, duke mos folur konkretisht për të njëjtën, theksuan programin Erasmus+ të Bashkimit Evropian për mobilitetin e kuadrit dhe shkëmbimin e përvojave në arsim, sport, kulturë dhe fusha të tjera, në të cilin Maqedonia e Veriut merr pjesë prej vitesh.
“Për këtë vit kalendarik janë siguruar më shumë mjete se kurrë më parë, gjithsej 8 milionë euro. Këto mjete janë në dispozicion të të gjitha subjekteve të interesuara, përfshirë universitetet, të cilat mund të krijojnë lidhje me komunitetet akademike të vendeve të tjera”, thanë nga Ministria e Arsimit.
Nga atje theksojnë se nxisin bashkëpunimin me vendet e zhvilluara evropiane, por edhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, me qëllim forcimin e rajonit dhe integrimin më të lehtë në hapësirën evropiane të arsimit.