Qeveria mori vendim për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Komunës së Bërvenicës

Në mbledhjen e sotme, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi informacionin e dorëzuar nga Ministria e Vetëqeverisjes Lokale lidhur me krijimin e bazës ligjore për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Komunës së Bërvenicës, transmeton Portalb.mk.

Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, pas njoftimit të pranuar paraprakisht nga kryetari i Këshillit të Komunës së Bërvenicës, filloi procedurën për shkak të ekzistimit të rrethanës së paraparë me ligj, e cila çon në përfundimin e parakohshëm të mandatit të kryetarit të komunës sipas fuqisë së ligjit.

Në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisjen Lokale, Ministria është e obliguar që në afat prej 15 ditësh nga marrja e njoftimit ta informojë Qeverinë për ekzistimin e kësaj baze ligjore, pas çka Qeveria, në afat prej 30 ditësh, fillon procedurën për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar komune.

Në këtë drejtim, përputhje me afatet e parapara ligjore, Qeveria miratoi informacionin dhe solli vendim për ndërprerjen e mandatit të kryetarit të Komunës së Bërvenicës, me çka krijohen parakushtet ligjore për zbatimin e procedurës së mëtutjeshme në përputhje me rregulloret dhe afatet e vlefshme.

Kryetari i Komunës së Bërvenicës, Jovica lievski, vdiq në qershor të këtij viti. Ai ishte kryetar i Komunës së Bërvenicës që nga viti 2021, ai e fitoi mandatin e dytë në krye të kësaj komune në zgjedhjet e fundit lokale në 2025.

Kur do të mbahen zgjedhjet e reja?

Sipas Ligjit të Vetëqeverisjes Lokale, Neni 54 përcakton se në rast të vdekjes së kryetarit të komunës, Këshilli Komunal duhet ta zgjedh një anëtar nga Këshilli Komunal që të zëvendësojë kryetarin e Komunës.  

Anëtari i këshillit që do e zëvendësojë kryetarin e komunës, në afat prej 15 ditëve është i obliguar që ta njoftojë Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale. 

Më pas, Ministria e Vetëqeverisjes Lokale, në afat prej 15 ditësh që nga pranimi i njoftimit, e njofton Qeverinë e Maqedonisë së Veriut, e cila në afat prej një muaj nga dita e pranimit të njoftimit, inicion procedurë për shpalljen e zgjedhjeve të reja për kryetar komune. 

Këshilli, në afat prej 30 ditëve nga dita e shpalljes së vendimit të qeverisë, do të zgjedh një nga anëtarët e këshillit i cili do ta kryejë detyrën e kryetarit të komunës deri në zgjedhjen e kryetarit të ri, në mënyrë siç zgjidhet kryetari i këshillit. 

Komuna e BervenicësQeveria e Maqedonisë së Veriut