U tërhoq lënda e Edukimit Githëpërfshirës Seksual në Maqedoninë e Veriut

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka vendosur ta tërheqë lëndën zgjedhore të Edukimit Gjithëpërfshirës Seksual nga shkollat e mesme, raporton Portalb.mk.

Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska tha se programi mësimor është tërhequr për tu rishikuar pas reagimeve lidhur me futjen e kësaj lënde si zgjedhore për nxënësit e shkollave të mesme nga viti i parë deri në të katërtin.

“Për momentin e kemi tërhequr programin dhe lëndën dhe do të bëjmë një rishikim të thellë, me kërkesë të opinionit publik, për të parë nëse vërtet në program ka diçka për të cilën mund të ketë vërejtje. Në program ka tema si familja, mbrojtja nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, mbrojtja nga shtatzënia e padëshiruar, barazia gjinore dhe mosdiskriminimi ndërmjet gjinive. Por, po e përsëris, tashmë i kam kërkuar Byrosë për Zhvillimin e Arsimit, sepse unë nuk jam eksperte në këtë fushë, por edhe personalisht do të angazhohem që ta shqyrtojmë programin fjalë për fjalë dhe të shohim se çfarë është problematike në të”, deklaroi Janevska.

Në shkollat e Maqedonisë së Veriut ende nuk ka lëndë të posaçme për edukimin seksual. Edhe pse janë ndërmarrë përpjekje për ta futur atë si lëndë zgjedhore dhe janë zbatuar programe pilot në disa shkolla, edukimi gjithëpërfshirës seksual ende nuk është pjesë e kurrikulave shkollore.

Edukim seksualTë rinj - Rini - Rinia