Kryeministri Mickoski foli në lidhje me rastin Alta Banka, ai paraqiti një shqetësim tjetër

Në lidhje me rastin e Alta Bankës, një problem që filloi në Serbi dhe vazhdoi në Maqedoninë e Veriut, u deklarua edhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski. Ai kërkoi qetësi nga qytetarët, transmeton Portalb.mk.

“Shteti po e ndjek procesin, qytetarët të jenë të qetë, do të kompensohen deri në centin e fundit”, deklaroi Mickoski, duke deklaroi se rasti me Alta Bankën nuk është i ngjashëm me falimentimin e bankës Eurostandard.

Mickoski deklaroi se mbyllja e bizneseve në Serbi për shkak problemit me Alta Banka është më shqetësues, pasi ajo po ndikon edhe në kompanitë e Maqedonisë së Veriut.

“Unë jam më shumë i shqetësuar për një fenomen tjetër, për të cilin askush nuk parashtron pyetje, dhe ai është si vijon. Në vitin 2025, shkëmbimi tregtar ndërmjet dy vendeve, ndërmjet nesh dhe fqinjit tonë verior, ishte diku rreth një miliard e dyqind milionë euro. Më kanë telefonuar disa kompani maqedonase, të cilat thonë se partneri i tyre është në prag të falimentimit ose tashmë ka falimentuar në Serbi, sepse mjetet e tij janë bllokuar në Alta Bankën. Çfarë të bëjmë, ju lutemi, na ndihmoni si Qeveri. Ky do të jetë një problem shumë më i madh”, deklaroi Mickoski.

Problemet me ALTA Bankën në Maqedoninë e Veriut pasuan zhvillimet në bankën e saj amë në Serbi, së cilës Banka Popullore e Serbisë ia revokoi licencën e punës. Më 1 nëntor, Banka Popullore e Maqedonisë së Veriut vendosi bankën në Manastir nën administrim të përkohshëm për tre muaj dhe caktoi tre administratorë për të shqyrtuar gjendjen financiare dhe për të përcaktuar hapat e mëtejshëm. Ndërkohë, klientët u përballën me kufizime në tërheqjen dhe transferimin e parave, ndërsa degët u mbyllën përkohësisht.

Sipas Bankës Popullore, rreth 11.500 pensionistë i marrin pensionet përmes kësaj banke, prej të cilëve rreth 3.500 nuk kanë kartela bankare. Për këtë arsye, nga 5 nëntori është mundësuar tërheqja deri në 20.000 denarë në sportelin kryesor në Manastir. Administrimi i përkohshëm duhet të sqarojë gjendjen e bankës, ndërsa një nga mundësitë për zgjidhjen e situatës është gjetja e një investitori të ri.

Banka - BankëBanka Popullore e RMV