Në raportin e sivjetshëm është vërejtur përparim më i madh krahasuar me vitin e kaluar, veçanërisht në fushat e transformimit digjital, kërkimit shkencor, shkencës dhe arsimit, si dhe në ndërmarrjen e hapave në sundimin e ligjit, deklaroi euroambasadori Mihalis Rokas në konferencën e përbashkët për media me kryeministrin Hristijan Mickoski, lidhur me Raportin e Komisionit Evropian për përparimin e vendit. Ai i kujtoi vendit, megjithatë se nuk është bërë aspak përparim në luftimin e korrupsionit, transmeton Portalb.mk.
“Ka përparim, veçanërisht në fushat e transformimit digjital, kërkimit shkencor, shkencës, arsimit dhe, natyrisht, tashmë kemi parë se po ndërmerren hapa të rëndësishëm në sundimin e ligjit. Janë miratuar shumë ligje të mira dhe një vit më vonë, po, shohim përparim dhe kjo është e qartë. Duhet të përsëris se këtë duhet ta shohim si një ushtrim vjetor dhe faktin se vendi tashmë ka arritur një nivel të mirë të përgatitjes. Natyrisht, duam të shohim edhe më shumë përparim”, tha Rokas.
Ai i numëroi aspektet pozitive për vendin, siç është harmonizimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së në një kohë sfidash serioze, gjë që, siç tha, dëshmon se vendi është vërtet një partner i besueshëm që ndan prioritetet tona strategjike.
“Maqedonia e Veriut gjithashtu ka arritur tashmë harmonizim të konsiderueshëm me legjislacionin e BE-së dhe mbetet një nga vendet kandidate me nivelin më të lartë të përgatitjes. Raporti i vitit 2026 e vlerëson pozitivisht zhvillimin, të cilin e përmendi edhe kryeministri. Maqedonia e Veriut e ka intensifikuar angazhimin e saj sa i përket Planit të Rritjes të BE-së dhe është bërë një nga vendet lidere me rezultate të mira në zbatimin e Agjendës së Reformave. Kemi parë përparim, veçanërisht në transformimin digjital, shkencë dhe arsim, përfshirë edhe përmes miratimit të Ligjit për Komunikimet Elektronike. Megjithatë, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet përparimit në Agjendën e Reformave dhe vlerësimit më të gjerë të raportit. Raporti i Zgjerimit i përfshin të gjitha fushat e marrëdhënieve me BE-në, ku përparimi është i pabarabartë”, tha Rokas.
Sipas tij, raporti identifikon fushat ku nevojiten veprime më të vendosura dhe më të përkushtuara – gjyqësor i pavarur, institucione të fuqishme dhe luftë kundër korrupsionit, të cilat janë të domosdoshme dhe kyçe për anëtarësimin në BE.
“Para së gjithash, ato janë thelbësore për qytetarët dhe bizneset. Raporti tregon se gjatë periudhës raportuese nuk është shënuar përparim në parandalimin dhe luftimin e korrupsionit. Kjo kërkon institucione më të fuqishme, ndjekje penale dhe hetime efektive, si dhe rezultate konkrete në luftimin e korrupsionit të nivelit të lartë. Pavarësia e gjyqësorit duhet të mbrohet përmes mbrojtjes së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mbrojtja e lirisë së mediave dhe lirisë së shprehjes është gjithashtu shumë e rëndësishme. Nevojiten përpjekje të mëtejshme edhe në administratën publike, prokurimet publike, energjetikë dhe mbrojtjen e mjedisit jetësor. Këto reforma nuk janë vetëm kërkesa të procesit të anëtarësimit. Ato janë thelbësore për përmirësimin e jetës së njerëzve, forcimin e besimit në institucione dhe krijimin e mundësive për rritje ekonomike”, theksoi Rokas.
Ai theksoi se raporti gjithashtu rikujton hapat e nevojshëm për avancimin e negociatave të anëtarësimit.
“Gjithashtu, ndryshimet kushtetuese të dakorduara në vitin 2022 ende nuk janë përfunduar. Këto janë obligime të marra përsipër nga vendi. BE-ja është e gatshme të përfundojë hapjen e negociatave në momentin kur të miratohen ndryshimet. U bëjmë thirrje të gjitha palëve politike të punojnë në mënyrë aktive dhe të përparojnë drejt anëtarësimit në BE, gjë që kërkon përpjekje kombëtare, dialog të konsiderueshëm dhe bashkëpunim ndërmjet aktorëve politikë dhe shoqërisë. Nuk ka arsye të pritet për zbatimin e atyre reformave nga të cilat qytetarët përfitojnë gjithsesi. Këtë e shohim në Planin e Rritjes, sepse ai sjell përfitimet e anëtarësimit në BE edhe para se ai të ndodhë”, tha ai.
Si përfitim shtesë për qytetarët, euroambasadori përmendi pjesëmarrjen e vendit në Zonën e Vetme të Pagesave Evropiane (SEPA).
“Bashkimi Evropian do të mbetet partner i përkushtuar, i cili do të ofrojë mbështetje politike, teknike dhe financiare, por në fund përparimi varet nga rezultatet këtu. Bashkimi Evropian mbetet plotësisht i përkushtuar ndaj së ardhmes evropiane të Maqedonisë së Veriut. Evropa po përballet me sfida të thella gjeopolitike, ndërsa zgjerimi është bërë një prioritet edhe më i madh strategjik dhe investim në paqen, prosperitetin dhe stabilitetin tonë të përbashkët. Zgjerimi vazhdon. Vendet që realizojnë reforma, përmbushin obligimet e tyre dhe shënojnë përparim konkret drejt anëtarësimit në BE”, tha Rokas.
Ai shtoi se Unioni i njeh përpjekjet e vendit, potencialin dhe aspiratat e popullit.
“Përkushtimi ynë ndaj së ardhmes suaj në Bashkimin Evropian mbetet i palëkundur dhe i pandryshuar. Raporti i Zgjerimit për vitin 2026 është një udhërrëfyes i qartë për rrugën që kemi përpara dhe tani është koha t’i shfrytëzojmë këto mundësi”, tha Rokas.
Në pyetjen e gazetarëve lidhur me lirinë e mediave dhe faktin se BE-ja nuk ka evidentuar se mediat, televizionet kombëtare dhe gazetarët janë nën kërcënim të drejtpërdrejtë politik nga opozitarja LSDM, Rokas u përgjigj se liria e mediave është një fushë ku ende duhet të punohet.
“Vendi duhet ta rishikojë kornizën ligjore për mediat, në mënyrë që ta harmonizojë atë me legjislacionin dhe standardet e BE-së, veçanërisht përmes vendosjes së rregullave për transparencë të plotë të pronësisë së mediave, reklamimit shtetëror, konkurrencës, ndihmës shtetërore, si dhe të drejtave të pronësisë intelektuale. Natyrisht, ende ka gjëra që duhet të përfundojnë dhe mendoj se fusha që lidhet me mediat meriton vëmendjen tonë të plotë. Ne po e ndjekim nga afër dhe, natyrisht, ofrojmë të gjitha këshillat e mundshme kur na kërkohet dhe kur na pyesin se si mund të kontribuojmë në këto ndryshime ligjore, të cilat do t’i forcojnë mediat në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Rokas.
Sipas Mickoskit, Komisioni Evropian ka vërejtur përparim të konsiderueshëm në zbatimin e Agjendës së Reformave, prandaj Maqedonia është ndër vendet me rezultatet më të mira në kuadër të Instrumentit Evropian për Reforma dhe Rritje. Ai theksoi se niveli i gatishmërisë për anëtarësim është rritur në dy kapituj negociues – në transformimin dixhital dhe median, si dhe në arsim dhe kulturë.
Në Raportin, i cili dje u prezantua në Bruksel, vlerësohet se Maqedonia e Veriut është angazhuar aktivisht në Planin e ri të Rritjes për Ballkanin Perëndimor dhe i ka intensifikuar aktivitetet për realizimin e katër shtyllave të tij: integrimin në tregun e përbashkët të BE-së, integrimin ekonomik rajonal, zbatimin e reformave thelbësore dhe rritjen e mbështetjes financiare.
Megjithatë, Komisioni Evropian thekson se mbetet e nevojshme zbatimi i reformave kyçe që lidhen me procesin e integrimit evropian.
Në pjesën për politikën e jashtme, Komisioni konstaton se vendi e ka ruajtur harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë të BE-së, përfshirë edhe qëndrimin ndaj agresionit rus kundër Ukrainës. Sipas Raportit, kjo dëshmon përcaktimin strategjik të shtetit për anëtarësim në Union dhe rolin e tij si partner i besueshëm.
Maqedonia e Veriut ka vazhduar përgatitjen e dokumentacionit të nevojshëm për përmbushjen e kushteve për hapjen e klasterit të parë “Themeloret e procesit të anëtarësimit”. Megjithatë, nuk ka përparim në miratimin e ndryshimeve kushtetuese, të parapara me konkluzionet e Këshillit të BE-së të vitit 2022.
Gjatë periudhës raportuese ka vazhduar edhe zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Komiteti për Stabilizim dhe Asociim mbajti takim në prill të vitit 2026, i pari pas vitit 2021. Komisioni Evropian thekson se vendi ka ruajtur marrëdhënie të mira me shtetet e tjera të procesit të zgjerimit dhe ka vazhduar pjesëmarrjen në iniciativat rajonale.
Sa i përket marrëdhënieve me fqinjët, në Raport theksohet se marrëveshjet dypalëshe ekzistuese duhet të zbatohen me vullnet të mirë nga të gjitha palët. Ndër to përmenden Marrëveshja e Prespës me Greqinë dhe Marrëveshja për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim me Bullgarinë.
Vërejtjet më serioze kanë të bëjnë me sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore, ku është konstatuar nivel i moderuar i përgatitjes dhe përparim i kufizuar. Komisioni Evropian vlerëson se nuk ka përparim në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, i cili mbetet gjerësisht i përhapur dhe paraqet arsye serioze për shqetësim.
Në veçanti, theksohen vonesat në trajtimin e lëndëve të korrupsionit të nivelit të lartë, disa prej të cilave parashkruhen. Sipas Komisionit, kjo kontribuon në krijimin e perceptimit se ekziston pandëshkueshmëri.
Duke prezantuar Pakon e Zgjerimit për vitin 2026 në Bruksel, eurokomisionerja për Zgjerim, Marta Kos, deklaroi se Maqedonia e Veriut e ka rritur gatishmërinë për anëtarësim në BE dhe është ndër vendet kandidate me nivelin më të lartë të harmonizimit me legjislacionin evropian.
Ajo theksoi se vendi e ka përshpejtuar zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes, por se nevojiten rezultate shtesë në luftën kundër korrupsionit dhe reformën e administratës publike.
Kos përsëriti se për zhbllokimin e negociatave të anëtarësimit dhe hapjen e klasterit të parë “Themeloret”, Maqedonia e Veriut duhet t’i miratojë ndryshimet kushtetuese të dakorduara në vitin 2022, me të cilat parashihet përfshirja e pakicave në Kushtetutë.
Raportuesi për Maqedoninë në Parlamentin Evropian (PE), Thomas Waitz, në mbledhjen e djeshme të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, pas prezantimit të pakos së sivjetshme të zgjerimit të Bashkimit Evropian, i bëri thirrje eurokomisioneres për Zgjerim, Marta Kos, që të angazhohet diplomatikisht për zgjidhjen e kontestit ndërmjet Shkupit dhe Sofjes.
Komisioni Evropian, në Raportin më të ri për Maqedoninë e Veriut, në pjesën që u referohet marrëdhënieve me Greqinë, ka vlerësuar se anëtarë të Qeverisë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë, në raste të caktuara, nuk veprojnë në përputhje me Marrëveshjen e Prespës, përfshirë edhe mospërdorimin e emrit kushtetues të shtetit, gjë që mund të ndikojë negativisht në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.
Në dokument thuhet se bashkëpunimi me fqinjin jugor vazhdon në disa fusha, veçanërisht në ekonomi, ndërlidhjen infrastrukturore dhe energjetike, turizëm dhe kulturë. Megjithatë, Komisioni thekson se është i domosdoshëm zbatimi konsekuent i marrëveshjeve dypalëshe.
“Zbatimi i marrëveshjeve dypalëshe me mirëbesim, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës, mbetet thelbësor. Anëtarë të Qeverisë dhe zyrtarë të lartë, në raste të caktuara, nuk e respektojnë Marrëveshjen, përfshirë edhe përmes mospërdorimit të emrit kushtetues të shtetit, gjë që rrezikon të ndikojë në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë”, thuhet në Raport.
Komisioni Evropian nuk përmend zyrtarë konkretë dhe as deklaratat e tyre, por kjo vërejtje vjen në një periudhë kur përdorimi i emrit kushtetues dhe respektimi i Marrëveshjes së Prespës kanë qenë shkak për disa reagime nga Athina zyrtare.