Më 15 nëntor në Maqedoni hyn në fuqi detyrimi për pajisja dimërore për automjetet

Nga 15 nëntori deri më 15 mars është periudha gjatë së cilës pajisjet dimërore janë të detyrueshme për automjetet, në përputhje me dispozitat e përcaktuara në Rregulloren për pajisjet e detyrueshme të automjeteve, biçikletave dhe mjeteve të tërhequra nga kafshët për pjesëmarrje të sigurt në komunikacionin rrugor, si dhe të traktorëve për kryerjen e sigurt të punëve bujqësore dhe pyjore, transmeton Portalb.mk.

Si pajisje dimërore për automjetet me masë maksimale të lejuar deri në 3.500 kilogramë konsiderohen gomat e dimrit në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash në të gjithë perimetrin dhe gjerësinë e gomës.

Gjithashtu, lejohen gomat e verës në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash, nëse automjeti ka në pajisjet e tij zinxhirë bore me madhësi të përshtatshme për rrotat tërheqëse ose pajisje të tjera përkatëse.

Për automjetet me tërheqje në të katër rrotat (4×4), si pajisje dimërore konsiderohen gomat e dimrit në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej gjashtë milimetrash.

Lejohen edhe gomat e verës në të katër rrotat, me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash, nëse automjeti ka zinxhirë bore. Në rastet kur automjeti ka tërheqje të përhershme në të katër rrotat, zinxhirët duhet të jenë të paktën për boshtin e pasmë, ndërsa te automjetet me tërheqje të ndryshueshme, duhet të jenë për boshtin që është vazhdimisht aktiv.

Për automjetet me masë maksimale të lejuar mbi 3.500 kilogramë, nga MPB-ja bëjnë të ditur se si pajisje dimërore konsiderohen gomat e dimrit në rrotat tërheqëse, me thellësi minimale të profilit prej gjashtë milimetrash.

Lejohen edhe gomat e verës në të gjitha rrotat, me thellësi minimale të profilit prej katër milimetrash, nëse automjeti ka zinxhirë bore me madhësi të përshtatshme për rrotat tërheqëse ose pajisje të tjera përkatëse.

Autobusët dhe automjetet e rënda transportuese, të cilat për arsye teknike nuk mund të vendosin zinxhirë bore në rrotat tërheqëse, duhet të kenë goma dimërore në rrotat tërheqëse dhe një lopatë.

Goma dimërore konsiderohen ato goma që në anën e tyre kanë shenjat “MS”, “M+S”, “M & S” dhe simbolin e flokut të borës në një mal të stilizuar me tri maja.

Në përputhje me Rregulloren në fuqi për pajisjet e detyrueshme të automjeteve, në komunikacionin rrugor ndalohet përdorimi i gomave me gozhda metalike.

Nga MPB-ja u bëjnë thirrje qytetarëve që ta respektojnë detyrimin ligjor për posedimin e pajisjeve dimërore, pasi në këtë mënyrë mundësohet zhvillimi i papenguar dhe i sigurt i komunikacionit rrugor në kushte dimërore.

Bora - BorëMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)