Seanca gjyqësore për rastin e keqpërdorimeve në Lotarinë Shtetërore e cila ishte caktuar për të premten (11 shtator) është shtyrë për javën e ardhshme për shkak se i akuzuari i parë, Përparim Bajrami i cili ishte në arrati, sot u vetëdorëzua te institucionet ku më pas u dërgua në paraburgim, raporton Portalb.mk.
Drejtoria e Burgut të Shkupit e njoftoi Gjykatën Themelore Penale Shkup se Perparim Bajrami, i akuzuari i parë në lëndën me nr. K.1494/26, që lidhet me Lotarinë Shtetërore dhe për të cilin ishte shpallur fletarrestim ndërkombëtar, sot në mëngjes, pak pas orës 7:00, është dërguar në burg për të vuajtur masën e paraburgimit të caktuar më herët.
“Për këtë arsye, gjatë ditës gjykata do t’i dorëzojë të akuzuarit një kopje të aktakuzës, në mënyrë që ai të mund të njihet me përmbajtjen e saj. Duke qenë se afati ligjor për shqyrtimin e aktakuzës dhe provave është tetë ditë, seancat e caktuara për 11 dhe 16 shtator anulohen, ndërsa gjykimi do të vazhdojë më 18 shtator në ora 12:00”, informoi Gjykata Penale.
Ish-drejtori i Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami i cili kërkohej me fletarrest ndërkombëtar, mëngjesin e sotëm është paraqitur në pikën kufitare Bllacë, pas së cilës është arrestuar dhe është dërguar në Burgun e Shutkës, ai ishte në arrati që nga viti 2024.
“Sot (09.09.2026), në orën 05:35, në PK Bllacë e Poshtme për hyrje në RMV është paraqitur Përparim Bajrami (33), i cili kërkohej me urdhërarrest ndërkombëtar sipas urdhrit të PTHP Shkup nr. XVII KO nr. 4232/24 të datës 17.12.2024. Personi është privuar nga liria dhe është shoqëruar në Institucionin Ndëshkimor-Përmirësues Burgu Shkup”, njoftoi MPB.
Lidhur me këtë rast, me njoftim doli edhe Prokuroria Publike.
“Pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Themelore Publike Shkup kundër të pandehurit, ndaj tij zhvillohet procedurë gjyqësore. Për të, me propozim të prokurorit publik, tashmë është caktuar masa e paraburgimit, e cila është aktive. Procedura gjyqësore, në të cilën ai akuzohet për veprën penale ‘Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar“ nga neni 353 i Kodit Penal, është në zhvillim e sipër. Për më tepër, në Prokurorinë Themelore Publike Shkup janë duke u zhvilluar edhe katër procedura të tjera kundër tij për të njëjtën vepër penale, në kuadër të të cilave po mblidhen prova dhe po kryhen ekspertiza”, tha Prokuroria.
Bajrami është i akuzuar në procesin penal lidhur me keqpërdorimet në Lotarinë Shtetërore, së bashku me ish-zëvendëskryeministrin Artan Grubi, i cili gjithashtu ishte në arrati dhe po ashtu iu dorëzua vetë policisë.
MPB-ja ndaj Bajramit dhe Grubit në dhjetor të vitit 2024 shpalli fletarrestim ndërkombëtar, pasi Gjykata Penale u caktoi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, por ata nuk ishin të qasshëm për organet e ndjekjes. Grubi u dorëzua në shkurt të këtij viti në pikën kufitare Bllacë, në kufirin Maqedoni e Veriut–Kosovë, dhe u mbajt në paraburgim, i cili më vonë u zëvendësua me arrest shtëpiak.
Muajin e kaluar, Prokuroria Themelore Publike Shkup ngriti aktakuzë ndaj tetë personave për keqpërdorime në Lotarinë Shtetërore, mes tyre edhe Grubit, Bajramit dhe ish seksretarit të Qeverisë Metodija Dimovski. Prokuroria i akuzon tetë personat si bashkëkryerës të veprës penale keqpërdorim të pozitës dhe autorizimit zyrtar.
Sipas aktakuzës, gjatë viteve 2023 dhe 2024, ata ndërmorën së bashku veprime me të cilat tejkaluan autorizimet dhe detyrat e tyre, me qëllim që t’i shkaktonin dëm Lotarisë Shtetërore. Dëmi vlerësohet në rreth 9.7 milionë euro.