Ministria e Transportit njoftoi se dje në Sofje u mbajt takimi i parë i grupit të punës së Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, kushtuar përgatitjeve për ndërtimin e tunelit të përbashkët hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8, transmeton Portalb.mk.
Siç njoftoi Ministria, takimin e grupit të punës e kryesuan zëvendësministrat e Transportit të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë – Kaltrina Zekolli-Shaqiri dhe Cveta Timeva.
Zëvendësministrja e Transportit, Zekolli–Shaqiri, në takim theksoi se ndërtimi i tunelit hekurudhor ndërkufitar përbën një projekt strategjik me rëndësi rajonale.
Të dyja palët konfirmuan përkushtimin e tyre për intensifikimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë në të gjitha fazat e realizimit të projektit.
“Në takim u arrit marrëveshje për vendosjen e dinamikës së qartë të aktiviteteve, përcaktimin e obligimeve konkrete të institucioneve kompetente të të dyja vendeve, si dhe vazhdimin e përgatitjeve të përbashkëta teknike për ndërtimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar. Anëtarët e grupit të punës përcaktuan hapat e ardhshëm në drejtim të sigurimit të mbështetjes financiare dhe koordinimit teknik, me ç’rast u konfirmua përcaktimi i përbashkët për përshpejtimin e realizimit të këtij projekti strategjik infrastrukturor”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit.
Është dakorduar që takimi i ardhshëm i grupit të përbashkët të punës të mbahet në Shkup. Në atë takim pritet të bëhet shqyrtimi i realizimit të aktiviteteve të dakorduara dhe të përcaktohen hapat e ardhshëm.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut mbeti pa fondet IPA të parashikuara për ndërtimin e pjesës së tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, pasi brenda afatit të paraparë nuk u lidh kontrata për ndërtimin.
Për të vazhduar realizimin e projektit, Qeveria i ka dorëzuar Kuvendit ndryshimet në ligjet për kreditë nga BERZH-i dhe BEI-ja, me të cilat nuk kërkohet huamarrje e re, por ndryshohet mënyra e realizimit të projektit.
Në arsyetimin e të dyja projektligjeve thuhet se tenderi i shpallur në vitin 2024 ishte anuluar, pasi brenda afatit të paraparë nuk ishte lidhur kontrata për ndërtim.
Për këtë arsye, fondet IPA të siguruara për projektin nuk janë më në dispozicion, ndërsa Sektori për Financim Qendror dhe Lidhjen e Kontratave i Ministrisë së Financave e humb kompetencën për zbatimin e tij.
Me ndryshimet ligjore nuk ndryshohen kreditë prej 175 milionë eurosh secila, të siguruara nga BERZH-i dhe BEI-ja. Në vend të kësaj, krijohet bazë ligjore që projekti të vazhdojë me strukturë të re financiare dhe zbatuese.
Tenderi i ri nuk do ta përfshijë ndërtimin e tunelit ndërkufitar me Bullgarinë, por vetëm pjesën hekurudhore nga Kriva Pallanka deri te portali perëndimor i tunelit.
Njëkohësisht, Qeveria merr përsipër që mjetet deri në 52 milionë euro për elektrifikimin e tri pjesëve dhe sistemet sinjalizuese dhe telekomunikuese për pjesën e tretë t’i sigurojë nga buxheti i shtetit, por jo para vitit 2032 dhe përmes disa viteve buxhetore.
Nëse Bashkimi Evropian nuk siguron grant edhe për pjesën e tunelit ndërkufitar nga Maqedonia e Veriut, shteti paralajmëron se edhe këto mjete do t’i sigurojë nga buxheti, gjithashtu pas vitit 2032.
Ndryshe, modernizimi, gjegjësisht rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Korridori 8 është një nga korridoret evropiane të transportit që duhet të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.