Nikolloski: Tenderi për përzgjedhjen e mbikëqyrësit për hekurudhën drejt Bullgarisë është shpallur, aktivitetet do të fillojnë këtë verë

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit, Aleksandër Nikollovski tha se ndërtimi i seksionit hekurudhor dhe rrugor të Korridorit 8 do të kushtojë rreth pesë miliardë euro. Ai shtoi se vendi po tregon se mund të zbatojë projekte të mëdha infrastrukturore. Nikollovski tha se shpreson që fqinjët tanë Shqipëria dhe Bullgaria do të punojnë me të njëjtën përgjegjësi, sepse nuk ka kuptim që ne të shpenzojmë kaq shumë para, derisa nuk ka aktivitete nga ana tjetër, shkruan Portalb.mk.

“Kështu që shpresoj se do të ketë përkushtim edhe nga ana e tyre, me qëllim që të përfundojmë së bashku projektet”, nënvizoi Nikollovski.

Nikoloski para takimit kushtuar aktiviteteve dhe planeve për projektet e Korridorit 8, njoftoi se është shpallur tenderi për përzgjedhjen e mbikëqyrësit për fazën e tretë të hekurudhës drejt Bullgarisë, dhe në 10 ditët e ardhshme pritet të shpallet tenderi për përzgjedhjen e kontraktorit, pas së cilës gjatë verës do të fillojnë aktivitetet e ndërtimit për seksionin nga Kriva Pallanka deri në tunelin e përbashkët.

“Lidhur me tenderin për përzgjedhjen e mbikëqyrjes për fazën e tretë më të ndërlikuar të hekurudhës për në Bullgari, shpresoj që të aplikojnë sa më shumë kompani ndërkombëtare”, tha Nikoloski.

Lidhur me tunelin e përbashkët, ai tha se gjërat po shkojnë mirë dhe se shpreson që aktivitetet të fillojnë së shpejti.

“Faza e dytë po zhvillohej me një ritëm më të ngadaltë, tani po i tejkalojmë problemet edhe atje, të 16 tunelet janë shpuar tashmë dhe presim që faza e dytë, segmenti nga Beljakovca në Kriva Pallankë, të përfundojë diku në vitin 2028. Faza e parë nga Kumanova në Beljakovcë është tashmë në funksion”, tha ai.

Ai njoftoi se në takimin e sotëm do të diskutohet edhe për anën perëndimore të hekurudhës të Korridorit 8, së pari seksioni nga Shkupi përmes Jegunovcës, Tetovës, Gostivarit, Kërçovës, ku tashmë ka hekurudhë, por duhet të sillet në një nivel më të lartë. Seksioni i dytë duhet të shkojë nga Kërçova, Ohri, Struga në drejtim të kufirit me Shqipërinë.

“Ndërtimi i seksionit hekurudhor dhe rrugor të Korridorit 8 do të kushtojë rreth pesë miliardë euro. Shteti po tregon se mund të zbatojë projekte të mëdha infrastrukturore. Shpresoj që fqinjët tanë Shqipëria dhe Bullgaria do të punojnë me të njëjtën përgjegjësi, sepse nuk ka kuptim që ne të shpenzojmë kaq shumë para dhe nga ana tjetër të mos ketë aktivitete. Prandaj shpresoj që të ketë përkushtim edhe nga ana e tyre, në mënyrë që të përfundojmë së bashku projektet”, tha Ministri i Transportit, Nikollovski.

Në pjesën e lidhjes autostradale të Korridorit 8, Nikolloski theksoi se duke filluar nga Deve Bair, po përfundon rindërtimi i pikës kufitare dhe tashmë po shqyrtohet një fazë e dytë për zgjerimin e pikës kufitare.

“Kemi vënë në funksion unazën anësore të Kriva Pallankës. Për momentin, së bashku me ‘Bechtel dhe Enka’, po punojmë në ndërtimin e autostradave Tetovë – Gostivar dhe Gostivar – Bukojçan. Po punojmë edhe për përfundimin e autostradës Ohër-Kërçovë, dhe aktualisht jemi në fazën përfundimtare të përzgjedhjes së një kontraktori për autostradën Kërçovë – Bokojçan, një pjesë tjetër e Korridorit 8. Së bashku me Bashkimin Evropian, do të punojmë në kuadër të Planit të Rritjes për ndërtimin e një autostrade midis Kumanovës dhe Straçinit, që do të thotë se nga kufiri me Shqipërinë deri në kufirin me Bullgarinë duhet të kemi një autostradë. Gjithashtu kemi përfunduar rindërtimin e pikës kufitare ‘Qafë Thanë’ dhe ajo tashmë është vënë në funksion, dhe tashmë po punojmë në fazën e dytë, që është zgjerimi dhe e dini sfidën që kemi me UNESCO-n. Nuk është aspak në dyshim nëse do të arrijmë në Strugë dhe pikën kufitare ”Qafë Thanë’. Por çështja është se vetëm cilën trasetë do të ndjekim dhe kjo është diçka që do ta diskutojmë sot me përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, por edhe gjatë vizitës që do të kemi nga UNESCO”, tha Nikoloski.

Zëvendëskryetari i Delegacionit të Bashkimit Evropian, Ben Nupnau, tha se Korridori 8 përfaqëson një veprim strategjik me përfitime të konsiderueshme për qytetarët dhe vendet e rajonit, duke theksuar rëndësinë e tij të sigurisë në krizën aktuale gjeopolitike.

“Ky takim është një konfirmim i angazhimit të Qeverisë për zbatimin e projekteve nga Korridori 8“, tha Nupnau.

Nikoloski raportoi në shkurt se Parlamenti në Bullgari kishte ratifikuar Marrëveshjen me Maqedoninë për ndërtimin e një tuneli hekurudhor ndërkufitar në Korridorin 8.

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski dhe homologu i tij bullgar Grozdan Karadzhov nënshkruan Marrëveshjen për përgatitjen, ndërtimin dhe funksionimin e tunelit hekurudhor ndërkufitar midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë në Grueshevo në nëntor 2025. Me këtë, të dy vendet përcaktojnë detyrimet e tyre të ndërsjella për ndërtimin e tunelit, gjatësia e parashikuar e të cilit është rreth 2.4 kilometra, nga të cilat 1.2 kilometra janë në territorin e Maqedonisë së Veriut dhe 1.2 kilometra të tjera në territorin e Bullgarisë.

Ndryshe, modernizimi, gjegjësisht rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Kështu deklaroi ministri i Transportit Aleksandar Nikolloski në shkurt të këtij viti, i cili shtoi se krahas kësaj pike, kolegët bullgarë kanë biseduar edhe për ndërtimin e tunelit të përbashkët që duhet të lidhë dy vendet, si dhe për obligimin që duhet të marrë Sofja për ndërtimin e hekurudhës nga Gjuesheva deri në kufirin me shtetin, gjatësia e së cilës do të jetë rreth katër kilometra. Korridori VIII është një nga korridoret evropiane të transportit që duhet të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Aleksandar NikollovskiHekurudha Shkup – Sofje (Maqedoni – Bullgari)Korridori 8Marrëveshja me BullgarinëUNESKO – UNESCO