Mickoski: Jemi të inkurajuar nga mesazhet e Von der Leyen-it, por jo nga qëndrimi për ndryshimet kushtetuese

Kryeministri Hristijan Mickoski sot e vlerësoi takimin e djeshëm me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, si jashtëzakonisht miqësor, të dobishëm dhe përmbajtësor, duke theksuar se ai mund të jetë kyç për disa procese në të ardhmen. Megjithatë, siç tha, nuk është i kënaqur me mesazhet lidhur me ndryshimet kushtetuese, transmeton Portalb.mk,

“Takimin do ta vlerësoja si jashtëzakonisht miqësor, të dobishëm dhe përmbajtësor dhe vlerësoj se ndoshta do të jetë kyç edhe për disa procese në të ardhmen. Pres që këto procese të fillojnë që javën e ardhshme, pasi Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme tashmë i ka dërguar kërkesë homologëve tanë nga fqinji lindor për një takim dypalësh. Nga ana tjetër, nuk mund të them se jam i kënaqur me mesazhet që përcolli presidentja. Ajo tha qartë se ndryshimi i Kushtetutës është ende në tryezë, një çështje që ishte pranuar nga qeveria e mëparshme”, tha Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas inspektimit të punimeve ndërtimore në urën që po ndërtohet në rrugën “Ljubljanska”, në Komunën e Karposhit.

Sipas Mickoskit, mesazhet e Von der Leyen megjithatë krijojnë një ndjenjë inkurajimi, veçanërisht mesazhi se angazhimi personal i qeverisë dhe krahasimi i reformave tregojnë se vendi është më i miri në rajon.

“Integrimi gradual ose i shkallëzuar është gjithashtu një mundësi për ne. E gjithë kjo na inkurajon dhe na motivon të vazhdojmë në rrugën e reformave në periudhën që vjen. Në muajin nëntor kam planifikuar dy udhëtime në Bruksel: të parin te komisionerja evropiane për zgjerimin dhe politikën e fqinjësisë së mirë, ndërsa i dyti është për samitin rajonal që kemi me Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor. Kështu që do të luftojmë. Nuk ka dorëzim, do të luftojmë. Nuk është e lehtë; këta të mëparshmit kanë shitur shumë, kanë shkatërruar shumë, kanë vjedhur shumë, por ne nuk heqim dorë. Ajo që është vjedhur do të kthehet, ndërsa për atë që është shitur do të luftojmë që ta rikthejmë. Kjo është detyra e kësaj gjenerate”, theksoi kryeministri.

I pyetur nëse ka marrë përgjigje për takimin e paralajmëruar dypalësh me palën bullgare dhe çfarë priste nga takimi, si dhe çfarë do të ndodhte nëse pala bullgare e refuzonte, Mickoski tha se në një rast të tillë “edhe një herë do të konfirmoheshin të gjitha ato teza që ne i kemi dhe për të cilat jemi të shqetësuar”, por shtoi se nuk e pret një skenar të tillë.

“Nuk e pres. Nuk do të ishte e mençur ta refuzonin, por në rregull, kjo është vendimmarrje e tyre sovrane, nuk është vendim i yni. Mora, do të thoja, një këshillë konstruktive nga presidentja, që t’i kërkoja ministrit të Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme të kërkojë takim në margjinat e takimit kushtuar Korridorit 8. Këtë e bëra, sepse vlerësoj se presidentja kishte absolutisht të drejtë kur e propozoi këtë. Ministri e bëri kërkesën dhe tani mbetet në dorë të fqinjit tonë lindor të vendosë se çfarë do të bëjë më tej”, tha Mickoski.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, të premten (më 2 tetor) vizitoi Shkupin, prej ku paralajmëroi se që javën e ardhshme duhet të ndërmerret një hap i ri në përpjekjen për zhbllokimin e procesit të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut. Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Hristijan Mickoski në Shkup, ajo tha se në takimin e tyre është dakorduar që procesi të fillojë sërish të lëvizë.

Bashkimi Evropian po zhvillon plane veprimi, sipas të cilave katër vendet që janë më pranë anëtarësimit në bllok do të marrin një rrugë të qartë dhe të detajuar drejt anëtarësimit. Në këtë plan nuk bën pjesë Maqedonia e Veriut.

Eurointegrime Negociata RMV-BEHristijan Mickoski HristianMarrëveshja me BullgarinëUrsulla fon der Llajen (Ursula von der Leyen)