Maqedonia e Veriut mbeti pa grantin e fondeve IPA për hekurudhën, Qeveria ndryshoi modelin e ndërtimit

Maqedonia e Veriut mbeti pa fondet IPA të parashikuara për ndërtimin e pjesës së tretë të Korridorit Hekurudhor 8 drejt Bullgarisë, pasi brenda afatit të paraparë nuk u lidh kontrata për ndërtimin, transmeton Portalb.mk.

Për të vazhduar realizimin e projektit, Qeveria i ka dorëzuar Kuvendit ndryshimet në ligjet për kreditë nga BERZH-i dhe BEI-ja, me të cilat nuk kërkohet huamarrje e re, por ndryshohet mënyra e realizimit të projektit.

Në arsyetimin e të dyja projektligjeve thuhet se tenderi i shpallur në vitin 2024 ishte anuluar, pasi brenda afatit të paraparë nuk ishte lidhur kontrata për ndërtim.

Për këtë arsye, fondet IPA të siguruara për projektin nuk janë më në dispozicion, ndërsa Sektori për Financim Qendror dhe Lidhjen e Kontratave i Ministrisë së Financave e humb kompetencën për zbatimin e tij.

Me ndryshimet ligjore nuk ndryshohen kreditë prej 175 milionë eurosh secila, të siguruara nga BERZH-i dhe BEI-ja. Në vend të kësaj, krijohet bazë ligjore që projekti të vazhdojë me strukturë të re financiare dhe zbatuese.

“Duke pasur parasysh faktin se brenda afatit të paraparë nuk u lidh kontrata për ndërtim, fondet IPA të alokuara për këtë projekt nuk janë më në dispozicion, prandaj as Sektori për Financim Qendror dhe Lidhjen e Kontratave në Ministrinë e Financave nuk ka më kompetencë për zbatimin e tij. Duke pasur parasysh sa më sipër, u shfaq nevoja për ndryshimin e strukturës financiare dhe zbatuese të projektit, përkatësisht ndryshimin e institucionit kompetent që do të jetë përgjegjës për zbatimin e procedurës së tenderit për ndërtim”, thuhet në propozimligjin e dorëzuar në Kuvend.

Tenderi i ri nuk do ta përfshijë ndërtimin e tunelit ndërkufitar me Bullgarinë, por vetëm pjesën hekurudhore nga Kriva Pallanka deri te portali perëndimor i tunelit.

Njëkohësisht, Qeveria merr përsipër që mjetet deri në 52 milionë euro për elektrifikimin e tri pjesëve dhe sistemet sinjalizuese dhe telekomunikuese për pjesën e tretë t’i sigurojë nga buxheti i shtetit, por jo para vitit 2032 dhe përmes disa viteve buxhetore.

Nëse Bashkimi Evropian nuk siguron grant edhe për pjesën e tunelit ndërkufitar nga Maqedonia e Veriut, shteti paralajmëron se edhe këto mjete do t’i sigurojë nga buxheti, gjithashtu pas vitit 2032.

Në projektligje thuhet se ndryshimet nuk do të shkaktojnë implikime shtesë fiskale gjatë periudhës 2026–2029, pasi nuk bëhet fjalë për kredi të reja, por për ndryshimin e marrëveshjeve dhe mënyrës së realizimit të financimit tashmë të siguruar.

Nga LSDM-ja akuzuan se Qeveria e Hristijan Mickoskit i ka humbur fondet IPA të Bashkimit Evropian për ndërtimin e hekurudhës drejt Bullgarisë, pasi nuk i ka respektuar afatet e parashikuara. Sipas kësaj partie, në vend që projekti të realizohet me grant evropian, shteti do të marrë kredi që do t’i kthejnë qytetarët.

Nga LSDM-ja vlerësojnë se me këtë nuk humben vetëm fondet evropiane, por edhe mundësia që projekti të zbatohet sipas standardeve evropiane për transparencë dhe kontroll, duke e akuzuar Qeverinë për paaftësi dhe politika të gabuara.

Ndryshe, modernizimi, gjegjësisht rindërtimi i një pjese të hekurudhës bullgare në kuadër të Korridorit 8 ishte pjesë e bisedimeve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim të arritjes së marrëveshjes për intensifikimin e punimeve për lidhjen hekurudhore Shkup-Sofje. Korridori 8 është një nga korridoret evropiane të transportit që duhet të lidhë Adriatikun me Detin e Zi përmes Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.

Banka Evropiane e Investimeve (BEI)Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)BE Fonde - ParaHekurudhaHekurudha Shkup – Sofje (Maqedoni – Bullgari)IPA FondeKorridori 8Lidhja Social Demokrate (LSDM)Parlamenti - Kuvendi i Maqedonisë së VeriutQeveria e Maqedonisë së Veriut