U hapën konkurset vjetore për kulturën, afati për aplikim deri më 31 tetor

Artistët, shoqatat dhe organizatat kulturore nga sot mund të aplikojnë për financimin e projekteve me interes nacional në kulturë për vitin 2027. Konkursi u hap sot në orën (12:00) dhe do të zgjasin deri më 31 tetor, në orën 15:30, shkruan Portalb.mk.

Në konferencën për shtyp, ministri i Kulturës dhe Turizmit Sedat Sulejmani theksoi se konkurset synojnë mbështetjen e projekteve cilësore, inovative dhe të qëndrueshme, të konceptuara mirë dhe me potencial për të lënë gjurmë afatgjata.

“Kulturën e shohim si investim strategjik në potencialin krijues dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të shoqërisë sonë. Me konkurset për vitin 2027, vazhdojmë me rregulla të qarta dhe të qëndrueshme, por edhe me qëllim të përcaktuar qartë-të mbështesim projektet që kanë cilësi, vizion dhe potencial për të krijuar vlerë afatgjatë. Presim projekte profesionale dhe të menduara mirë nga artistët, shoqatat dhe organizatat tona kulturore”, theksoi Sulejmani.

Ai informoi se në fokus do të jenë projektet me potencial për kontribut afatgjatë në zhvillimin kulturor përmes bashkëpunimit institucional, shtrirjes rajonale, afirmimit ndërkombëtar dhe tërheqjes së publikut të ri.

Siç potencoi, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet edhe projekteve që do të realizohen në zonat kufitare, me qëllim që përmbajtjet kulturore të jenë të qasshme në mjedise të ndryshme dhe të kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve lokale.

Aplikimi për të gjitha fushat bëhet ekskluzivisht në mënyrë elektronike përmes Portalit Nacional për shërbime elektronike- uslugi.gov.mk. Aplikimet në formë të shtypur ose të dërguara me postë nuk do të shqyrtohen.

Konkurset vjetore për vitin 2027 janë publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit.

Kultura shqiptareKulturë lajmeMinistria e Kulturës dhe Turizmit (MKT)