Te Opera dhe Baleti në Shkup do të shfaqet “Zonja me kamelie”, histori baleti për dashurinë

Më 22 tetor, duke filluar nga ora 20:00, në skenën e Operës dhe Baletit Nacional do të shfaqet baleti “Zonja me kamelie”, një histori emocionale skenike për dashurinë, pasionin dhe sakrificën, e treguar përmes fuqisë së vallëzimit dhe muzikës nga Xhuzepe Verdi, shkruan Portalb.mk.

E frymëzuar nga historia e famshme e Margaritës dhe Armandit, shfaqja përcjell fatin e dashurisë së dy personazheve kryesorë në skenën e baletit. Muzika e Verdit, e njohur për bukurinë e saj melodike dhe ngarkesën e fortë emocionale, plotëson dramaturgjinë dhe thellon historinë e dashurisë, sakrificës personale dhe kufizimeve shoqërore.

Foto nga vepra “Zonja me kamelie”. Foto: OBN

Shfaqja do të dirigjohet nga Eduard Ambarcumjan nga Armenia, ndërsa koreografia është nga Vasili Medvedev, një nga koreografët e shquar rusë, i cili bashkëpunon me teatrot kryesore të baletit, përfshirë “Bolshoi’ në Moskë dhe “Mariinski” në Shën Petersburg. Skenografia dhe kostumografia janë vepër e Pavol Jurash nga Sllovakia, ndërsa koncert-mjeshtre është Verica Lambevska.

Rolet kryesore të Margaritës dhe Armanit do të interpretohen nga Marija Kiçevska Shokarovska dhe Francisko Himenez Ruiz nga Spanja, së bashku me solistët, ansamblin e baletit dhe orkestrën e Operës dhe Baletit Nacional.

“Zonja me Kamelie” sjell në jetë një histori dashurie të përjetshme përmes elegancës së shprehjes baletike dhe fuqisë së emocioneve skenike.

Foto nga vepra “Zonja me kamelie”. Foto: OBN
Kultura shqiptareKulturë lajmeOpera dhe Baleti RMV