Përfundoi edicioni jubilar i 30-të i festivalit “Ditët e Naimit”

Me mbrëmjen letrare “Meridianet e Poezisë”, në Tetovë përfundoi mbrëmë edicioni jubilar i 30-të i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Manifestimi mblodhi poetë dhe krijues nga vende të ndryshme të botës, ndërsa programi ndërthuri lexime poetike, promovime botimesh dhe diskutime për letërsinë, shkruan Portalb.mk.

Ky edicion shënoi dy përvjetorë: tri dekada të veprimtarisë së festivalit dhe 180-vjetorin e lindjes së Naim Frashërit, emrin e të cilit e mban manifestimi.

Laureat i çmimit të madh letrar “Naim Frashëri” u shpall poeti dhe akademiku rumun Ion Deaconescu.

Shaip Emërllahu dhe Laureati rumun Ion Deaconescu.

Në mbrëmjen përmbyllëse juria e përbërë nga kryetari Ndue Ukaj dhe anëtarët Haxhi Shabani e Xhelal Zejneli ndanë edhe çmimet e tjera të festivalit.

Poeti francez Pierre Ech-Ardour u nderua me çmimin “Menada” për krijimtari të veçantë poetike, ndërsa poetja turke Elçin Sevgi Suçin mori çmimin “Oeneumi” për ciklin më të mirë poetik.

Çmimi “Ditët e Naimit” për karrierë letrare iu nda shkrimtares nga Shqipëria, Flutura Açka.

Çmimi “Qiriu i Naimit” për poezinë më të mirë iu nda poetes nga Venezuela, Ely Rosa Zamora, ndërsa çmimi “Silke/Liria” për shprehje poetike i takoi poetes nga Monako, Angela Valenti Durazzo.

Programi i edicionit jubilar nisi më 15 tetor, me ceremoninë kushtuar Naim Frashërit dhe hapjen zyrtare në Qendrën e Kulturës në Tetovë. Mbrëmja e parë iu kushtua orës së madhe letrare “Globi poetik”, në programin e së cilës ishte edhe dorëzimi i çmimeve “Naim Frashëri” dhe “Ditët e Naimit”.

Dita e dytë përfshiu tribunën shkencore “Ditët e Naimit-30 vjet në poezinë botërore”, kushtuar historikut të manifestimit dhe kontributit të tij në promovimin e krijimtarisë letrare. Në program ishin edhe vizitat në monumentet kulturore e historike të Tetovës dhe ora letrare “Poetë dhe vargje”, në Teqenë Arabati Baba.

Mes krijuesve të përfshirë në këtë edicion ishin Flutura Açka, Arjan Kallço, Donika Dabishevci, Ndue Ukaj, Haxhi Shabani, Puntorie Muça Ziba dhe Remzi Salihu, krahas poetëve nga Rumania, Italia, Franca, Turqia, Spanja dhe vende të tjera.

Me rastin e jubileut u botua edhe Antologjia e Festivalit, e përgatitur dhe redaktuar nga drejtori i manifestimit, Shaip Emërllahu.

FestivalFestivali Ditët e NaimitKultura shqiptareKulturë lajmePallati i Kulturës TetovëPoezi