Derisa punimet për objektin e ri zvarriten me vite, biblioteka “Koço Racin” në Tetovë e mori statusin e bibliotekës universitare

Qeveria, me propozim të Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, në mbledhjen e sotme e miratoi vendimin për zgjerimin e veprimtarisë së Institucionit Nacional Biblioteka “Koço Racin” në Tetovë dhe shndërrimin e saj në Bibliotekë Universitare. Me statusin e ri, institucioni pritet të zgjerojë shërbimet për studentët, profesorët dhe studiuesit, përmes pasurimit të fondit bibliotekar, qasjes në literaturë shkencore dhe zhvillimit të shërbimeve digjitale, shkruan Portalb.mk.

Drejtori i bibliotekës, Binas Pajaziti, në një prononcim për Portalb.mk, tha se transformimi paraqet një hap të rëndësishëm për avancimin e veprimtarisë së institucionit, ndërsa shpjegoi se çfarë do të ndryshojë konkretisht për përdoruesit.

“Shndërrimi i IN Bibliotekës ‘Koço Racin’ në IN Bibliotekë Universitare ‘Koço Racin’ paraqet një hap të rëndësishëm në avancimin e veprimtarisë së institucionit. Konkretisht, biblioteka do ta zgjerojë veprimtarinë e saj me shërbime që u përgjigjen më mirë nevojave të studentëve, pedagogëve dhe studiuesve, përmes pasurimit të fondit me literaturë profesionale, universitare dhe shkencore, sigurimit të qasjes në publikime elektronike, zhvillimit të shërbimeve digjitale dhe mbështetjes së procesit mësimor e shkencor-hulumtues”, deklaroi Pajaziti.

Sipas tij, hapat e parë do të përqendrohen në identifikimin e nevojave për literaturë dhe burime shkencore, planifikimin e pasurimit të fondit bibliotekar, zhvillimin e shërbimeve elektronike dhe forcimin e bashkëpunimit me universitetet dhe institucionet e tjera përkatëse.

Megjithatë, ndryshimet nuk pritet të ndodhin menjëherë. Pajaziti sqaroi se zbatimi i tyre do të jetë gradual dhe do të varet nga sigurimi i burimeve dhe përmbushja e kushteve institucionale.

Një nga sfidat kryesore mbetet mungesa e hapësirave të mjaftueshme. Drejtori bëri të ditur se tashmë janë siguruar 130 metra katrorë hapësirë shtesë, ndërsa paralelisht po ndërtohet objekti i ri, investitor i të cilit është Ministria e Kulturës dhe Turizmit.

“Duke pasur parasysh nevojat që sjell statusi i ri universitar, paralelisht me këtë proces kemi punuar për sigurimin e hapësirave shtesë dhe tashmë kemi arritur të sigurojmë 130 m² hapësirë shtesë. Gjithashtu, është në proces ndërtimi i objektit të ri, për të cilin përgjegjëse si investitore është Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Unë si drejtor, jam angazhuar në krijimin e infrastrukturës ligjore dhe institucionale të nevojshme për funksionimin e bibliotekës me statusin e ri, duke përfshirë statutin, sistematizimin e vendeve të punës dhe aktet e tjera të brendshme që duhet të përmbyllen në ditët në vijim. Sa u përket sallave të leximit dhe hapësirave për punë studimore e kërkimore, ky është një proces që do të kërkojë kohë dhe planifikim të mëtejshëm. Megjithatë, jam shumë optimist se, në një periudhë të caktuar, do të finalizohet edhe objekti i ri, i cili do të krijojë kushte më të mira për studentët, studiuesit dhe të gjithë përdoruesit e bibliotekës”, deklaroi Pajaziti.

I pyetur nëse vendimi për ndryshimin e statusit shoqërohet me një plan konkret investimesh dhe buxhet të përcaktuar, Pajaziti nuk dha shumë konkrete, por theksoi se procesi nuk kufizohet vetëm te ndryshimi formal i statusit.

“Ky proces nuk kufizohet vetëm te ndryshimi i statusit të institucionit, por shoqërohet me punë paralele në disa drejtime për përgatitjen e bibliotekës për funksionin e saj të ri. Sa i përket investimeve dhe buxhetit, planifikimi dhe realizimi i tyre duhet të ecin në përputhje me nevojat dhe mundësitë institucionale. Aktualisht, jemi në proces të digjitalizimit të shtypit që posedojmë, si dhe të teksteve të vjetra, me qëllim ruajtjen e trashëgimisë bibliotekare dhe lehtësimin e qasjes në këto materiale. Gjithashtu, në bazë të neneve 12 dhe 15 të Ligjit për veprimtarinë botuese, biblioteka do të furnizohet me kopje të detyrueshme të botimeve, gjë që gradualisht do të kontribuojë në pasurimin dhe zgjerimin e fondit bibliotekar.

Një rëndësi të veçantë do t’i kushtojmë nevojave dhe kërkesave të studentëve, pedagogëve dhe studiuesve. Përveç literaturës shkencore nga fusha të ndryshme, synojmë të pasurojmë fondin edhe me tekste profesionale dhe shkencore, në mënyrë që shërbimet e bibliotekës t’u përgjigjen sa më mirë kërkesave të arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor”, tha Pajaziti.

Pavarësisht statusit të ri universitar, biblioteka pritet ta ruajë karakterin e saj publik, kulturor dhe arsimor.

Ndryshe, objekti i ri i Teatrit dhe Bibliotekës të Tetovës premtohet për 15 vite, ndërsa ka filluar të ndërtohet në 12 vitet e fundit. Punimet vazhdimisht janë zvarritur, ndërsa nuk pritet të përfundojnë në afatin e paraparë.

BibliotekaKultura shqiptareKulturë lajme