Policia Federale Belge njoftoi se skeleti i gjetur verën e kaluar në bodrumin e një shtëpie në lagjen Forest të Brukselit i përkiste shtetasit nga RMV-ja, Rexhep Rahmanovski, i cili figuronte i zhdukur që nga viti 2003, transmeton Portalb.mk.
Skeleti u gjet gjatë rinovimit të shtëpisë në korrik të vitit 2025, pas çka iu dorëzua analizës mjeko-ligjore. Pas analizave u përcaktua se i përkiste Rahmanovskit, i lindur në Maqedoni në vitin 1976.
Sipas dosjes policore, Rahmanovski është parë për herë të fundit mbrëmjen e 16 korrikut të vitit 2003, kur u largua nga vendi i tij i punës. Që nga ajo kohë, nuk kishte gjurmë dhe deri në identifikimin e skeletit të tij policia nuk kishte asnjë informacion se çfarë kishte ndodhur me të.
Policia informoi se, bazuar në gjetjet mjeko-ligjore, është lëshuar urdhër për kontroll të shtëpisë, me shpresën se do të sigurohen më shumë informacione për atë që i ka ndodhur viktimës.
Policia belge njëkohësisht kërkon dëshmitarë të mundshëm ose këdo që mund të japë çfarëdo informacioni për Rahmanovskin apo për zhdukjen e tij.
Në njoftimin e policisë theksohet se çdo informacion i dorëzuar do të trajtohet “në mënyrë diskrete”.