U formua Komiteti Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve në RMV

Sot në Shkup u mbajt mbledhja konstituive e Komitetit Nacional për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, me çka zyrtarisht fillon punën mekanizmi i ri ndërinstitucional për avancimin e sigurisë së gazetarëve dhe punonjësve mediatikë në Maqedoni. Komiteti është formuar me iniciativë të Qeverisë, në përputhje me standardet evropiane dhe rekomandimet e Këshillit të Evropës, me qëllim forcimin e parandalimit, mbrojtjes dhe reagimit institucional ndaj kërcënimeve, presioneve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, transmeton Portalb. mk.

Në këtë ngjarje fjalim mbajti ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, i cili theksoi se gazetaria e lirë dhe e sigurt është një nga parakushtet themelore për funksionimin e një shoqërie demokratike, në të cilën institucionet duhet të jenë të hapura ndaj pyetjeve, kritikave dhe mbikëqyrjes nga publiku.

“Gazetaria e lirë dhe e sigurt nuk është privilegj i gazetarëve, por e drejtë dhe nevojë e çdo shoqërie demokratike. Gazetarët janë ata që shtrojnë pyetje në emër të publikut, zbulojnë parregullsi, kërkojnë përgjegjësi dhe u mundësojnë qytetarëve të marrin vendime bazuar në informacione të sakta dhe të verifikuara. Fuqia e një institucioni nuk shihet nga sa lavdërohet, por nga sa është i gatshëm të pyetet, të kontrollohet dhe të thirret në përgjegjësi”, theksoi ministri Toshkovski.

Ai theksoi se formimi i Komitetit është pjesë e përcaktimit të Qeverisë për avancimin sistematik të lirive mediatike dhe mbrojtjes së gazetarëve, në përputhje me Rekomandimin e Këshillit të Evropës të vitit 2016, i cili përcakton katër shtyllat themelore të mekanizmave nacionalë për sigurinë e gazetarëve: parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen penale të autorëve dhe promovimin e edukimin.

Ministri theksoi edhe bashkëpunimin e deritanishëm të MPB-së me komunitetin e gazetarëve, veçanërisht me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, përmes aktiviteteve të përbashkëta, trajnimeve dhe krijimit të mekanizmave për ushtrimin më të sigurt të profesionit të gazetarit. Në këtë drejtim, janë emëruar një pikë kombëtare fokale dhe pika lokale fokale në të gjithë sektorët për punë të brendshme, si dhe një pikë kontakti në fushën e sigurisë kibernetike, me qëllim lehtësimin e komunikimit dhe reagimin në kohë ndaj kërcënimeve dhe sulmeve të raportuara.

“Sulmi ndaj një gazetari për shkak të punës së tij profesionale nuk është vetëm sulm ndaj një individi. Është sulm ndaj të drejtës së publikut për t’u informuar”, deklaroi Toshkovski, duke theksuar se mbrojtja e gazetarëve kërkon bashkëpunim të vazhdueshëm ndërmjet policisë, prokurorisë, institucioneve gjyqësore dhe organizatave të gazetarëve.

Për kryetar të Komitetit Nacional është caktuar ndihmësministri për Marrëdhënie me Publikun dhe Çështje Strategjike në MPB, Muhamed Ismaili, i cili njëkohësisht është edhe pika nacionale fokale e Këshillit të Evropës për sigurinë e gazetarëve.

Në fjalimin e tij, Ismaili shpjegoi arsyet e formimit të Komitetit, organizimin, kompetencat dhe aktivitetet e ardhshme, duke theksuar se bëhet fjalë për një trup koordinues që do të bashkojë institucionet përgjegjëse për sigurinë, drejtësinë dhe mediat me përfaqësuesit e komunitetit të gazetarëve.

Në përbërjen e Komitetit janë përfshirë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Transformimit Digjital, Prokurorisë Publike, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Radio-Televizionit të Maqedonisë, Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe Sindikatës së Pavarur të Gazetarëve dhe Punonjësve Mediatikë.

Detyra kryesore e tij do të jetë avancimi i koordinimit ndërinstitucional, monitorimi i gjendjes me kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve, nxitja e shkëmbimit të informacioneve dhe propozimi i masave për përmirësimin e mekanizmave ekzistues të mbrojtjes, pa ndërhyrë në kompetencat ligjore të policisë, prokurorisë dhe gjykatave.

“Nuk duam të krijojmë një mekanizëm në të cilin institucionet do të diskutojnë mes vete për sigurinë e gazetarëve. Duam një mekanizëm në të cilin gazetarët do ta kenë zërin e tyre, ndërsa institucionet detyrimin për ta dëgjuar atë zë”, theksoi Ismaili.

Ai nënvizoi se një nga prioritetet kryesore do të jetë përgatitja dhe zbatimi i Planit Nacional të Veprimit për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, i cili duhet t’i shndërrojë objektivat e përcaktuara në aktivitete konkrete, me kompetenca, afate dhe rezultate të matshme qartë të përcaktuara.

Ndër aktivitetet prioritare janë avancimi i procedurave për raportimin e kërcënimeve dhe vlerësimin e rrezikut, përmirësimi i koordinimit ndërmjet policisë dhe prokurorisë, trajnimet e specializuara për institucionet, forcimi i kapaciteteve për trajtimin e kërcënimeve online dhe provave digjitale, si dhe përmirësimi i evidencave dhe monitorimi i veprimeve institucionale.

Vëmendje e veçantë do t’i kushtohet mbrojtjes së gazetareve nga ngacmimet me bazë gjinore, sigurisë së gazetarëve hulumtues, lokalë dhe të pavarur, si dhe parandalimit të keqpërdorimit të procedurave gjyqësore përmes të ashtuquajturave padi SLAPP, të cilat synojnë frikësimin dhe heshtjen e gazetarëve.

“Qëllimi ynë nuk është të krijojmë një sistem në të cilin gazetarët do të duhet të kërkojnë guxim të veçantë për ta thënë të vërtetën, por një sistem në të cilin ata do të mund ta kryejnë punën e tyre lirshëm, profesionalisht dhe pa frikë”, deklaroi Ismaili.

Formimi i Komitetit Nacional është pjesë e aktiviteteve më të gjera që realizohen me mbështetjen e Këshillit të Evropës, veçanërisht përmes fushatës evropiane “Gazetarët kanë rëndësi” (Journalists Matter), si dhe programeve të përbashkëta të Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Evropës për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe mediave.

Ministria e Punëve të Brendshme mbetet e përkushtuar në avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit me komunitetin e gazetarëve dhe institucionet kompetente, me qëllim krijimin e një sistemi funksional, të qëndrueshëm dhe efikas për mbrojtjen e gazetarëve.

Qëllimi përfundimtar është që çdo gazetar të mund ta ushtrojë lirshëm dhe në mënyrë të sigurt profesionin e tij, ndërsa çdo kërcënim apo sulm të marrë përgjigje institucionale në kohë dhe në mënyrë përkatëse.

Gazetarë - Gazetari - MediaMinistria e Punëve të Brendshme (MPB)Pançe Toshkovski