Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë vizitës zyrtare në Maqedoninë e Veriut, përveç takimit me homologun e tij, Hristijan Mickoski, është takuar edhe me liderët e partive shqiptare. Ai ka takuar kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti, si dhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, shkruan Portalb.mk.
Takimin me Ramën e ka bërë të ditur vetë kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, përmes një postimi në Facebook. Ai ka shkruar se me Ramën kanë biseduar për çështje me interes të përbashkët kombëtar.
“Me Edin, si gjithmonë, biseduam vëllazërisht, hapur dhe me përkushtim për çështjet me interes të përbashkët për kombin tonë shqiptar, për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve tona, për perspektivën evropiane dhe partneritetin në kuadër të NATO-s”, ka shkruar Ahmeti.
Ndërkaq, takimin me Ramën e kanë njoftuar edhe bashkëkryetarët e VLEN-it, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami. Sipas Mexhitit, në takim është biseduar për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.
“Biseduam për lidhjet që kemi ndërtuar ndër vite dhe për atë që mund të bëjmë sot që bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut të ndihet më shumë në jetën e qytetarëve tanë”, ka shkruar Mexhiti.
Vizitën në Maqedoninë e Veriut, Rama e nisi së bashku me kryeministrin Hristijan Mickoski, me përurimin e sistemit të përbashkët kufitar “One Stop Shop” në pikën kufitare Qafë Thanë. Pas përurimit, dy kryeministrat zhvilluan takim të përbashkët, ndërsa më pas Rama vizitoi Shtëpinë e Alfabetit në Manastir, me rastin e Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe.