Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim për formimin e Komitetit Kombëtar për Mbrojtjen dhe Sigurinë e Gazetarëve, i cili do të ketë për detyrë të përmirësojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve shtetërore dhe organizatave mediatike. Deri më 15 dhjetor 2026, komiteti duhet të hartojë një Plan Kombëtar të Veprimit për mbrojtjen dhe sigurinë e gazetarëve, njoftoi zëdhënësja e Qeverisë, Marija Miteva, transmeton Portalb.mk.
Sipas Mitevas, vendimi synon të krijojë një mekanizëm të organizuar për koordinimin e institucioneve kompetente dhe komunitetit mediatik, me qëllim përmirësimin e sigurisë së gazetarëve, parandalimin e kërcënimeve dhe sulmeve, si dhe krijimin e kushteve për ushtrimin e lirë dhe të papenguar të profesionit të gazetarit.
Ajo theksoi se siguria e gazetarëve nuk duhet të trajtohet vetëm pasi të ndodhë ndonjë incident, por institucionet duhet të veprojnë në kohë, t’i identifikojnë rreziqet dhe të sigurojnë mbrojtjen e duhur.
Plani Kombëtar i Veprimit do të mbështetet në katër fusha kryesore: parandalimin, mbrojtjen, ndjekjen penale efektive të autorëve dhe promovimin e edukimin.
Në kuadër të parandalimit, theksi do të vendoset te pluralizmi mediatik, mbështetja institucionale dhe dialogu me mediat. Për mbrojtjen parashikohet zhvillimi i mekanizmave për reagim urgjent, mbështetje policore dhe juridike, përfshirë mbrojtjen nga kërcënimet në hapësirën digjitale.
Një tjetër segment do të përqendrohet në trajtimin efikas të rasteve të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve, përmes bashkëpunimit me organet kompetente për hetime në kohë dhe sanksionimin e duhur të autorëve, në përputhje me kompetencat ligjore. Ndërkaq, pjesa e katërt do të përfshijë edukimin, trajnimet dhe aktivitetet për ngritjen e vetëdijes publike për rëndësinë e gazetarisë.
Në përbërje të komitetit parashikohet të marrin pjesë përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Transformimit Digjital, Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale, Akademisë për Gjykatës dhe Prokurorë Publikë, Radio-Televizionit të Maqedonisë dhe Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë.
Komiteti do të mbështesë edhe zbatimin në nivel kombëtar të fushatës së Këshillit të Evropës “Gazetarët kanë rëndësi”, e cila synon të kontribuojë në lirinë e mediave dhe sigurinë e punonjësve mediatikë.
Miteva tha se vendimi ka rëndësi edhe për mënyrën se si institucionet duhet të sillen ndaj mediave. Sipas saj, pushteti ka të drejtë t’u përgjigjet kritikave dhe t’i kundërshtojë informacionet që i konsideron të pasakta, por këtë duhet ta bëjë me fakte, transparencë dhe komunikim institucional, e jo përmes presioneve ndaj gazetarëve.
Ajo theksoi gjithashtu se mbrojtja institucionale duhet të jetë e barabartë për të gjithë gazetarët, pa përzgjedhje dhe pa dallime, pavarësisht temave për të cilat raportojnë apo nëse pyetjet dhe informacionet e publikuara u përshtaten institucioneve.
“Ju keni të drejtë të pyesni, ne kemi obligim të përgjigjemi. Ju keni të drejtë ta shqyrtoni punën e institucioneve, ne kemi obligim ta arsyetojmë atë”, deklaroi Miteva, duke shtuar se institucionet duhet të jenë të hapura ndaj publikut dhe liria e shprehjes duhet të respektohet.